# Shqiptarët shpenzojnë 360 mln euro në vit për argëtim, renditja e qyteteve

> Pandemia e ka kushtëzuar pothuajse tërësisht mënyrën se si njerëzit, kryesisht të rinjtë, e kalojnë kohën, apo dhe argëtohen këtë verë, sidomos pas ndalimit të&hellip;

**URL:** https://publialb.al/shqiptaret-shpenzojne-360-mln-euro-ne-vit-per-argetim-renditja-e-qyteteve/
**Published:** 2020-07-31
**Modified:** 2020-07-31

---

![](https://adrianet.al/wp-content/uploads/2020/07/lokal-1-770x433-1-300x169.jpg)

Pandemia e ka kushtëzuar pothuajse tërësisht mënyrën se si njerëzit, kryesisht të rinjtë, e kalojnë kohën, apo dhe argëtohen këtë verë, sidomos pas ndalimit të muzikës dhe lokaleve të natës në bregdet dhe mbylljes të kinemave e shfaqjeve teatrale.

Por, mesatarisht çdo vit, shqiptarët shpenzojnë rreth 3.1% të vlerës së shtuar bruto në vend për argëtim e kulturë, që për vitin 2018, kur janë dhe të dhënat e fundit të INSTAT, i korrespondon një shume prej rreth 360 milionë euro.

Në art, argëtim dhe kulturë përfshihen një sërë aktivitetesh, shfaqjet artistike deri tek aktivitetet e lojërave të fatit dhe basteve, nga aktivitetet në muze dhe biblioteka te palestrat dhe aktivitetet e tjera çlodhës. Deri në fund të vitit 2018 ishte i ligjshëm aktiviteti i basteve dhe lojërave të fatit, që merrte një pjesë të konsiderueshme të këtyre shpenzimeve, por tashmë bizneset e këtij lloji janë mbyllur.

INSTAT, në publikimin për prodhimin e brendshëm bruto rajonal të vitit 2018, publikuar së fundmi, ka bërë dhe ndarjen e shpenzimeve për argëtim sipas rajoneve.

Rekordin e mban si gjithmonë kryeqyteti. Qytetarët e Tiranës shpenzojnë 4.8% të parave të tyre për t’u argëtuar, një përqindje që ka mbetur e pandryshuar në raport me vitin e mëparshëm.

Në vend të dytë vijon të mbetet Korça, e cila vitet e fundit është bërë një destinacion i preferuar turistik për shqiptarët dhe për të huajt. Por, në 2018-n, pesha e shpenzimeve për argëtim është ulur nga 2.9% vitin e mëparshëm në 2.6%.

Lezha renditet e treta, me 2.6% të vlerës së shtuar bruto që shkon për argëtim, me rritje të ndjeshme nga 2% vitin e mëparshëm.

Tendencë në rritje kanë shënuar dhe Vlora e Shkodra, duke arritur në 2.4% secila.

Më pas renditet Durrësi, që ka shënuar rënie, nga 2.4% në 2%.

Por, tkurrja më e madhe ka ndodhur në qytetin e Gjirokastrës, që më parë “konkurronte” me Tiranën për peshën e lartë të shpenzimeve për argëtim. Pas mbylljes së burimeve të paligjshme të parave që vinin nga zonat e Gjirokastrës, qyteti duket se është bërë më “dorështrënguar’ për të derdhur para në shpenzime që nuk janë të domosdoshme.

**Kukësi dhe Dibra, që janë dhe qytetet më të varfra në vend, renditen nga fundi i listës.**

Por, qyteti në Shqipëri, që pothuajse nuk argëtohet fare është Fieri, që është një nga qytetet më të mëdha në vend, pas Tiranës e Durrësit. Banorët e Fierit shpenzojnë më pak se 1% të vlerës së shtuar bruto për të dalë, shkuar në kinema, apo aktivitete të tjera.

Në raport me vendet e Bashkimit Europian, ne së bashku me vendet e tjera të rajonit, argëtohemi shumë më pak. Sipas Eurostat, mesatarja e BE shpenzon gati 8.5% të totalit. Peshën më të ulët në rajon e Europë e ka Maqedonia (1.9%), ndërsa në rajon më qejflinjtë janë shtetasit e Kosovës (4.1%)./ monitor.al

---

**Categories:** Ekonomi, Lajme
**Tags:** renditja e qyteteve, Shqiptarët shpenzojnë 360 mln euro në vit për argëtim
