Nga Rita Kalaj Shkurtaj
Kirurgjia e së ardhmes në Spitalin Rajonal të Shkodrës premton të ruajë dhe të rritë standartet e kujdesit të shëndetit publik falë ambicieve të mjekëve të rinj por mbi te gjitha falë mbështetjes dhe kujdesit të
vazhdueshëm të kirurgëve me përvojë që i mbajnë afër, i mësojnë, i edukojnë me kulturën e punës dhe aftësojnë për të marrë përgjegjësi profesionale.
Ishte një surprizë e bukur kur në sallën e operacionit më përshëndeti dhe thirri në emër një zë i ëmbël vajze të cilën për momentin nuk e njoha pasi ajo ishte veshur me uniformën e punës së kirurgut dhe ndër të tjera mbante maskë profesionale ku mund t’i shikoje vetëm sytë. “Jam Ervina Gjeçaj”- më tha, “vajza e Nikolinit, shoqja e klasës së Dritanit” (djalit tim, për më tepër janë edhe kushërinj). U lumturova së tepërmi për arritjet dhe suksesin e saj aq sa një emocion i thellë më preku në zemër e përloti sytë sa t’i drejtohem me fjalët: “krenare do të ishte dikush për ty….” ndërkohë po merrja narkozën dhe këto ishin fjalët e fundit që mbaj mënd nga ato çaste në sallë para operacionit, edhe pse rreth meje kishin nisur punën një personel i tërë nën udhëheqjen e kirurgut të shquar Dr. Shpëtim Ymeri.
Pas disa orësh u zgjova dhe mu duk sikur kisha shpëtuar nga një makth i frikshëm dhimbjesh që zakonisht krijojnë gurët e thepisur tek lëvizin dhe gërryejnë organet jetike të njeriut. U zgjova por akoma nuk guxoja të flisja apo të përgjigjesha në telefon pasi për ditë të tëra nuk më ishte lejuar të ushqehem, madje as të pi ujë çka më shkaktonte tharje fyti e për pasojë kollitje, gjë që ishte tepër e dëmshme për shkak të plagës. U deshën disa ditë të rikthehem në normalitetin e mëparshëm dhe po ashtu të mund të përgjigjesha në telefon. Zakonisht darkave bënim komunikimin e përbashkët familjar me kamera ku gjeta edhe momentin t’u përcjell të falat e doktoreshë Ervinës fëmijëve të mi e në veçanti Dritanit. Të gjithë ishim të gëzuar për fatin dhe arritjet e asaj vajze me të cilën jeta nuk kishte qënë shumë bujare.
Dr. Ervina është një vajzë malësore nga Bajza e Malësisë së Madhe e lindur nga dy prindër të thjeshtë por shumë fisnikë e tepër bujarë. Lidhjet familjare dhe fakti se fëmijët i kishim bashkëmoshatarë na bënë të jemi edhe më të afruar me ta. Nëna e saj Vjollca ishte një grua e rrallë me karakter e virtyte të larta humane që falte dashuri të jashtëzakonshme për familjen dhe tre vajzat e saj të mitura. E qeshur, e dashur, e ëmbël, plot jetë e pozitivitet aq sa ta kishte ënda ta takoje e bisedoje me të, qoftë edhe vetëm për pak çaste. Cilësi që takohen rrallë tek një njeri por si thonë të vjetrit: “Njerëzit e mirë Zoti merr pranë vetes” e kështu ndodhi edhe me këtë grua e nënë të re e cila pas një beteje të gjatë me një sëmundje tejet të rrallë e të pashërueshme, duke u endur për muaj të tërë në spitalet më të mira në rajon humbi jeten duke lënë pas tre vajza të mitura dhe bashkëshortin e saj në lule të rinisë i cili më pas u bë “nënë” e baba i përkushtuar aq sa pa frikë mund të quhet një baba “hero” i realitetit të sotëm social.
Pas asaj disfate familjare e cila la pasoja e brenga të parikuperueshme te kjo familje e re, mungesa e nënës bëri që babai i tyre të merrte një vendim drastik për vete. Të mos martohej kurrë dhe jetën e tij t’ua kushtonte vetëm vajzave që nusja e tij e re ia la amanet në mundimet e fundit të jetës së saj. Një amanet i mbajtur dhe përmbushur me një devocion të lartë prindëror. Dashuria, përkushtimi dhe përkujdesja e tij e pashoqe është shpërblyer më së miri nga të tria vajzat e tij aq sa të ndihet krenar për shkollimin dhe miredukimin e tyre gjë që pasqyrohet edhe tek arritjet e doktoreshë Ervinës.
Dr. Ervina ishte e pafuqishme për të shëruar nënën e saj në ato mundime tek luftonte me sëmundjen e pashpresë edhe pse lotët dhe lutjet e fëmijëve kanë peshën e universit para vullnetit të Zotit, por e them me bindje se falë arritjeve dhe aftësive profesionale të saj, me mallin e nënës dhe dashurisë për jetën që ajo vetë ia mishëroi në ato pak vite sa ishte pranë saj Dr. Ervina do ia shpërblejë me misionin e saj fisnik si një gardiane e përkushtuar në shërbim të shëndetit publik ku do të shërojë e shpëtojë qindra e mijëra jetë të tjera përgjatë karrierës së saj.
Emri i saj lakohet jo pak në media si një profesioniste e talentuar çka e dëshmon fakti i prezencës së saj si asistente në një sërë suksesesh dhe arritjesh që reparti i Kirurgjisë së Spitalit Rajonal të Shkodrës ka arritur kohët e fundit në operacione tejet të vështira.
Pavarsisht terminologjive të përshkallëzimit të profesioneve në këtë repart, mjekja e talentuar Ervina Gjeçaj padyshim është modeli i fëmijës që vesh me krenari prindërit, familjen, shoqërinë dhe gjithë vëndlindjen e saj ndaj le të jetë shembull dhe model për të rinjtë, bashkëmoshatarët e saj të cilët të ardhmen e tyre e shohin larg Shqipërisë.
Suksese e mbarësi në rrugëtimin tënd Dr. Ervina Gjeçaj!