“Neomalësores” që bëri të njohur lumin e Shalës me petulla: La Italinë për bujtinën e saj buzë Drinit


Historia e “Neomalësores” që bëri të njohur
Në episodin e shtatë të sezonit të dytë të podkastit “Flasim”, kryeministri Rama kishte të ftuar Marjana Koçekun e diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Itali dhe themeluese e Agroturizmit “Neomalësorja”

E pyetur nga kryeministri Rama pse zgjodhi marrëdhëniet ndërkombëtare, Marjana shprehet se gjithmonë i kanë pëlqyer marrëdhëniet me njerëzit dhe ka pasur dëshirë që të udhëtojë.

“Më kanë pëlqyer gjithmonë marrëdhëniet me njeriun, për të folur, për të shkëmbyer eksperienca edhe më ka pëlqyer gjithmonë edhe për të udhëtuar. I gjeta marrëdhëniet ndërkombëtare edhe shkencat politike si një mundësi të mirë për të njohur edhe më shumë psikologjinë njerëzore, edhe për të patur më shumë mundësi për të njohur kulturat edhe në të ardhmen nëpërmjet profesionit, për të ë dhënë mundësinë për të udhëtuar më shumë, por mbi të gjitha kisha një ideal brenda meje edhe një ëndërr si studente, për të mundur të bëja diçka për Shqipërinë në arenën diplomatike në atë kohë. Kisha ëndërr të bëhesha diplomate dhe ambasadore e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara”, shprehet Marjana.

Marjana gjithashtu tregon se jo çdo gjë ishte aq e bukur gjatë studimeve në Itali. Pavarësisht se ishte një studente ekselente, ajo bënte punë të ndryshme si kameriere, pastruese etj.

Gjatë qëndrimit në Genova, asaj i mungonte Shqipëria dhe kjo ishte arsyeja pse u kthe.

“Ka dhe një anë të errët që unë kur kam qenë për shembull studente në Itali, kam punuar pavarësisht se kisha një bursë, më duhej të punoja pak si në të zezë në ato muaj që kam ndenjur për të fituar edhe të ardhura ekstra, për të patur mundësinë edhe për gjëra të tjera që më duheshin t’i kisha, edhe kam punuar punë të thjeshta, edhe pak kamariere, edhe pak pastruese, edhe pse isha 19-20 vjeçe. Dhe ti shikon që nuk është se ke ndonjë prioritet shumë të madh. Ti mund të jesh studente, mund të jesh duke studiuar, por që në fund të fundit ti je një pikë uji në oqean se aty ka edhe qindra, mijëra të tjerë si ti dhe nuk po i intereson fort askujt prezenca jote në atë konkurrencë që ka Evropa.

Dhe e “zhvesha” pak Europën prej atij iluzioni, u ula pak me këmbë në tokë, duke e prekur më qartë dhe sa më shumë që udhëtoja, aq më shumë më merrte malli për Shqipërinë. S’e kisha menduar kurrë, se kam ikur me qëllimin për të gjetur një mundësi për të mos u kthyer më kurrë se më kishte kapur edhe mua antipatia për Shqipërinë, që mendoj se është bërë shumë sëmundje sociale përtej pamundësive ekonomike që njerëzit i shfaqin si arsyen kryesore të largimit.

Unë jetoja në Genova, që është një qytet portual dhe ka ndër atraksionet e famshme botërore të saj, si Portofino, Cinque Terre dhe unë e kisha mundësinë të udhëtoja me tren dhe për t’i parë nga afër. Ishin bukuri të jashtëzakonshme, por që kur ktheja kokën pas, thoja “Portofino nuk ka asgjë më shumë se liqeni i Komanit ku unë jam rritur; nuk ka asgjë më shumë Cinque Terre se Dukagjini, madje është shumë më i bukur vendi nga unë vij sesa vendi ku unë jam sot si turiste. Por ajo që i ka bërë të bukura edhe tërheqëse për tërë botën, është se njerëzit, vendasit në radhë të parë, i kanë dashur, kanë besuar në këtë vend dhe i kanë vlerësuar dhe i kanë çuar në nivelin që kanë merituar gjërat e tyre. Kjo më bëri t’i kthej më shumë sytë nga vetja dhe tek rrënjët dhe më bëri ta shoh me një sy krejt tjetër vendin nga unë vija. Vendosa të kthehem”, tregon Marjana.

Marjana tregon gjithashtu edhe histori nga fëmijëria e saj, ku është rritur mes shkëmbeve dhe mes të askundit. Në fshatin ku ajo jetonte, ishte vetëm një shtëpi, ajo e familjes së saj. Familja e saj në vitet 2011-2012 ishte e para që nisi turizmin me varkë drejt Valbonës dhe Fierzës, pasi babai i saj, kapiteni i parë i liqenit të Komanit, kishte një varkë të tijën personale në shtëpi. Sipas saj, lumin e Shalës e bëri të famshëm dhe të njohur për turistët, familja e saj.

Kryeministri Edi Rama: Po pastaj shkollën ku e ke kryer se aty është fundi i botës?

Marjana: Është fiks fundi i botës. Ishim shumë me fat që të vazhdoja atë që nisa, që babai ishte kapiteni i parë i liqenit te Komanit dhe kemi pasur gjithmonë një varkë në shtëpi. Në 2011-12 filluan të vinin ata zbuluesit e parë po i them, të tokës sonë, turistët e huaj dhe në atë kohë nuk kanë pas punuar tragetet e huaj për në Valbonë e për në Fierzë. Nuk ka pasur absolutisht asnjë lëvizje, ishte vetëm një varkë, e babait në atë kohë. Dhe i pari, babai dhe i dyti vëllai im, Mario Molla e kanë nisur bashkë turizmin në tërë atë zonë të liqenit të Komanit, pionierë. Ka nisur me hapa shumë të vegjël, mimalistë që kur i thoshe dikujt “na ka ardhur një turist’’, kujtoje se po gënjëje se ishte e pamundur të vinte një turist. Si mund të vinte një turist në ato shkrepa? Çfarë kërkonte një turist aty, veç ndonjë i luajtur mendsh. Edhe kur ka folur vëllai për një të ardhme turizmi, e kanë marrë të gjithë për të marrë. Ky vend veç na ka bërë të vuajmë, nuk mund të bëhet vend turistik.

Mendoj që është e natyrës njerëzore, që kur je tërë jetën në atë gjendjen e surviving/mbijetesës, nuk mundesh të shohësh përtej, e sheh veten tek ajo bazikja, jo tek ajo magjia që ka përtej asaj dhe 5 vjet ka marrë turizmi për të patur një nivel njohjeje për të shkruajtur guidat ndëkomëbtare, librat, që aty ekziston një mundësi dhe ju mund të lëvizni.

5 vjet kanë qenë, të vetmit familja jonë që kanë operuar, s’ka qenë askush tjetër dhe lumi i Shalës që u bë aq i famshëm, u bë falë petullave sepse kur vëllai im i çonte turistët në Fierzë dhe i kthente, për të bërë diçka ndryshe dhe për të mos u mërzitur, në vend që t’i kthente në Koman, i kalonte nga kulla jonë. Nëna edhe unë bënim petullat me sheqer, unë hipja në varkë që t’ua shpërndaja 30-40 turistëve që ishin. Iu bëja pak story telling se ku ishim, ishim në shkrepa të një vendi që dikur ka qenë principatë dhe i kalonim në lumin e Shalës që kishte vetëm dhi të egra dhe flutura, asgjë tjetër, laheshin dhe ktheheshin në Koman. Ky ishte turi që kemi pas bërë në atë kohë dhe ashtu u bë i famshëm lumi i Shalës dhe liqeni i Komanit.

Kryeministri Edi Rama: Shkolla?

Marjana: Në vitin 2000 kam lindur, jam e vogla e shtëpisë. Babai dhe nëna vendosën që për shkak të mungesës së shkollës edhe të një ambulance, një sistemi shëndetësor jo të mirëfilltë po as bazik, nuk ekzistonte fare, të lëviznin në Shkodër. Unë jam me fat që kam lindur në 2000 sepse vëllezërit dhe motrat që janë më të mëdhenj se unë, ata kanë bërë 1 deri në 2 orë ngjitje, veç vajtje në ato shkrepa se territori jonë është as pjerrtë, as jashtë, “thikë përpjetë” themi ne, si në verë, si në dimër nëpër borë për të shkuar tek një shkollë e fshatit të paktën për të mësuar të shkruajnë e të lexojnë dhe i merrte babai prapë në darkë. Pra, një sfidë e jashtëzakonshme që as unë nuk mund ta imagjinoj edhe pse ata ma thonë vetë. Ata vendosën që të paktën fëmijës së katërt t’i japin një mundësi ndryshe, me qëllim që edhe të tjerët të fillonin shkollimin dhe kemi jetuar mes Shkodrës dhe Dukagjinit.


Like it? Share with your friends!