Kryeministri i Shqipërisë që po digjet! Nga Koço Kokëdhima/ (Replikë me një qytetare)


Unë quhem Vera. E lexova te Facebook- u i ZGJIDHJA-s statusin tuaj: ”Shqipëria në flakë, “timonieri” në plazh”. Dua të di se ç’keni bërë ju z.Kokëdhima për shuarjen e zjarreve. N.q.s. ju nuk bëni asgjë për këtë atëhere pse i hidhni benzinë zjarrit me romuze e ironira kundër kryeministrit për zjarret që vënë barinjtë? Nëse s’keni bërë gjë më mirë, mos flisni fare.

E dashur Vera,

nuk e di nga jeni, ku jetoni, ç’punë bëni, çfarë arsimimi keni. Reagimi juaj duket i ndikuar nga “tifozllëku i sëmurë” politik apo nga dëshira për të relativizuar përgjegjësinë flagrante të kryeministrit dhe të qeverisë për situatën e krijuar. Qytetarët e një vendi që ka shtet duhet të bëjnë detyrat e tyre e të zbatojnë ligjet. Për ata që shkelin ligjet merr masa shteti. Çdo qytetar bën detyrën e tij dhe shteti bën detyrat e veta gjithashtu. Duket fare pa lidhje t’i kërkosh qytetarit të bëjë punët e qeverisë. Është njësoj sikur ju zonjë t’i kërkoni kryetarit të bashkisë dhe kryeministrit të Shqipërisë që të vijë në shtëpinë tuaj dhe të gatuajnë darkën për ju dhe familjen tuaj!  Kur një vend është pa shtet e pa qeveri, ose kur ia kanë kapur shtetin, qytetarët e atij vendi duhet të ngrihen në këmbë dhe të luftojnë ta lirojnë e ta modernizojnë shtetin, t’ua marrin pushtetin atyre që e kanë kapur dhe t’ia kthejnë popullit, ta vënë shtetin në funksionet e tij dhe në shërbim të qytetarëve.

Kur ju zonjë, më pyesni se çfarë kam bërë unë për të shuar zjarret keni parasysh se unë si qytetar duhet të marr ndonjë vegël e të shkoj në malin e Çikës dhe të shuaj zjarrin?! Ju ka shkuar mendja se mund ta bëni ju këtë gjë?! E keni menduar ndonjëherë në jetë këtë që thoni? Ju duket realiste apo e mundshme një gjë e tillë? Nëse nuk ja kërkoni vetes dhe familjarëve tuaj këtë gjë, pse keni kurajon të ma kërkoni mua?  Kur ju e shkruat këtë kërkesë kishit parasysh mua si biznesmen? Keni dëgjuar që në ndonjë vend të botës apo të rajonit tonë kur bie zjarri në pyje, në male apo në pallate të shkojnë për t’i shuar biznesmenët dhe punëtorët e supermarketeve, restoranteve, dyqaneve, hoteleve, klinikave, spitaleve apo librarive?! Ju e prisni këtë gjë nga biznesmenët dhe qytetarët e tjerë të Shqipërisë?  Unë nuk jam rrogëtar i shtetit, zonja Vera. Gjithë jetën time në demokraci kam punuar dhe jam paguar në biznesin tim privat. Edhe tani paguhem nga ndërmarrjet e mia. Me ç’të drejtë ju kërkoni që një biznesmen si unë, që i paguan taksa shtetit, të shkojë të bëjë punët e atyre që paguhen nga taksat tona për të mos lejuar në asnjë rrethanë të përvëlohet Shqipëria në zjarre e në flakë?  Nëse ju pyesni se çfarë po bëj unë në cilësinë e drejtuesit të partisë opozitare ZGJIDHJA, mësojeni, zonja Vera, se jam duke bërë fiks detyrën që do të bënte çdo opozitar dhe çdo drejtues i përgjegjshëm partie. Unë ju tregoj juve se qeveria ka në dispozicion 20 reparte zjarrfikësish të cilët në shumicë janë militantë partie që shëllehen në diell e rrinë tapë nëpër klube gjithë vitin. Këto zjarrfikës nuk përgjigjen për të shuar zjarre, por për të bërë vota për kryeministrin! ZGJIDHJA ju tregon juve zonjë, se qeveria jep miliarda e miliarda nga buxheti i shtetit për oligarkët dhe koncensionet e miqve të kryeministrit dhe repartet zjarrfikës i ka lënë në gjendje të mjerë, copë-copë, janë turpi i botës, janë shqepur e rrjepur, pa mjete, pa helikopterë, pa avionë, pa paisje, pa stërvitje, pa disiplinë, pa motivim, pa organizim, pa drejtim. Ai nuk investoi asgjë në katër vitet e shkuara për modernizimin dhe rritjen e aftësive të strukturave të shtetit, që kur të ndodhin emergjencat shteti të jetë i përgatitur. Zonjë, ky shtet dhe kjo qeveri tutkunësh nuk kanë arritur dot të përqëndrojnë forcat në një operacion dhe të shuajnë plotësisht qoftë edhe një zjarr të vetëm. ZGJIDHJA i tregon popullit sesi kryeministri e çon ushtrinë të mbledhi plehrat nëpër plazhe çdo vit, ato plehra që nuk i mbledhin dot qeveria dhe bashkitë. A nuk do ishte e drejtë që ushtria të kishte logjistikë dhe aftësi e të ndihmonte strukturat e tjera të shtetit në përballimin e emergjencave të tilla të rënda kombëtare?!  ZGJIDHJA e denoncon kryeministrin, zonja Vera, se nuk mendon dhe nuk punon për këto. Ai nuk e prish terezinë dhe rri për qejf në plazh ndërkohë që gjithë Shqipëria po digjet në flakë. Ai do të duhej të kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe të ishte në krye të të gjitha strukturave të shtetit. Po t’i duhej edhe ndihma e popullit, t’i bënte thirrje dhe qytetarët patjetër do të përgjigjeshin. Në rrethana të tilla edhe unë do të isha një anëtar i reparteve të zjarrfikësve! Po të ishte njeriu i duhur dhe serioz, kryeministri do të përgatiste me ligj edhe struktura mbështetëse me rezervistë të mirëtrajnuar dhe të pajisura me mjete, që në situata emergjencash qeveria jonë të kishte një forcë të madhe reaguese dhe të mos e sodiste nga shezlonët e plazhit djegien e Shqipërisë. ZGJIDHJA, e nderuar zonjë, ju bën me dije juve se ky kryeministër ka mobilizuar gjithsej një helikopter privat me qera për të shuar zjarret. Ai është i izoluar. Është i vetmuar! Ka vetëm pushtetin, asgjë tjetër. Mendon vetëm për pushtetin dhe për oborrin e tij. Nuk solli dot asnjë helikopter, asnjë avion, asnjë zjarrfikëse, asnjë kovë uji, ndihmë apo mbështetje logjistike nga aleatët tanë të fuqishëm e të pasur në Europë, Amerikë, Turqi e në rajon! Popullit i shitet si mik i privilegjuar i liderëve evropianë e rajonalë. Kudo shkon me atlete të bardha dhe e nxjerr Shqipërinë me këpucë të kuqe. Në mjediset politike e diplomatike ndërkombëtare bën “gaztorin e Ballkanit” dhe argëton udhëheqësit e shteteve me barcaleta! Asnjë mbështetje nuk siguroi ai për këtë katastrofë ku ka rënë Shqipëria. E rrënuan shtetin e tij 20 barinj të papërgjegjshëm! Ky është shteti i falimentuar i kryeministrit që “po bën shtet”! Imagjinoni si mund të përballojë ky kryeministër rreziqe dhe armiq më të sofistikuar të Shqipërisë.  Kryeministri e kupton se do të bien zjarre vetëm pasi zjarret ndizen! Kur flakët mbulojnë vendin, kryeministri shpalos strategjinë e tij me katër pika për shitjen e përgjegjësisë:  Ai thotë se fajin nuk e ka qeveria, fajin e ka populli, sepse zjarret i vënë çobanët që janë pjesë e popullit! Kryeministri thotë se s’ka faj, sepse zjarre bien kudo, siç bien tërmete, vullkane e tajfune. Pika e tretë thotë se kur bien zjarre, të gjithë ne shqiptarët duhet t’i lutemi Zotit mëshirëplotë të na hedhë shi! Mesa di unë, kryeministri lutet për ditë që të bjerë shi!  Dhe më së fundi, ai vë në punë ditë e natë ushtrinë e komentuesve anonimë, një dyzinë me “uritha” që punojnë në bodrumet e kryeministrisë. Ata janë organizuar e përdoren si “vrasës” të ndyrë që paguhen me paratë e popullit, të sulmojnë në mënyrat më vulgare ZGJIDHJEN, mua dhe çdo person që guxon t’i tregojë popullit se ku e kanë katandisur Shqipërinë ky kryeministër dhe kryetarët e partive! ZGJIDHJA, e nderuar Vera, ka përgatitur dhe po zbaton pa asnjë kosto për buxhetin e shtetit projektin e saj politik, që ta shpëtojmë përfundimisht Shqipërinë jo vetëm nga këto zjarre, por nga të gjitha plagët e rënda dhe shkatërrimi që i shkaktoi kjo elitë politike dhe ky kryeministër në vitet e tranzicionit. Mos u merakosni për kryeministrin. Ai dhe kjo elitë politike janë problemi i Shqipërisë dhe shumë shpejt do t’i përkasin të shkuarës së saj. Ne do t’i përmbysim ata që të shpëtojë ky vend dhe ky popull. Ejani me ne Vera. Ne jemi zgjidhja!


Like it? Share with your friends!