Italia:Ja banda me shqiptarë që ka në dorë drogën.


Prokuroria italiane e qytetit të Katanias në rajonin e Siçilisë, në deklaratën e saj zyrtare për mediat ka zbardhur detaje mbi operacionin “Rosa dei Venti” i cili çoi në shkatërrimin e bandës italo-shqiptare e cila merrej me trafikimin e marijuanës dhe të armëve nga Shqipëria drejt Italisë.
Arrestimet janë kryer më 14 tetor 2017 dhe 7 personat e arrestuar aktualisht ndodhen në dy struktura të vuajtjes së dënimit në qytetin e Katanias.
Grupi i shqiptarëve në këtë bandë drejtohej nga Moisi Habilaj, 39 vjeç.
Ai së bashku me dy shqiptarët e tjerë të arrestuar janë lokalizuar në komunat Vittoria e Modica në provincën Raguzës dhe në qytezën Palagonia në provincën e Katanias.
4 shqiptarë të tjerë anëtarë të kësaj bande janë shpallur në kërkim. Ata nuk janë lokalizuar në territorin italian e autoritetet italiane të rendit do kërkojnë ekstradimin e tyre.
Hetimet e këtij operacioni kanë qenë mjaft të ndërlikuara duke kërkuar përdorimin e teknikave të ndryshme të pëgjimeve si telefonike ashtu dhe ambientale.
Gjatë viteve të fundit kjo bandë kishte vënë në kontroll importimin e marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë duke zotëruar tregjet e trafikimit të drogës në provincën e Raguzës, Katanias e Sirakuzës me një biznes përfimi mbi 20 milionë euro.
Hetimet e gjata e të ndërlikuara kanë çuar në sekuestrimin si nga deti ashtu dhe nga toka të rreth 3500 kg marijuanë e arrestimin e rreth 20 korrierëve të drogës.
Grupi kriminal kishte në zotërim armë të tipit kallashnikov e municione të ndryshme.
Pjesë e këtij operacioni ishte dhe sekuestrimi i kryer në maj të vitit 2015 në ujërat e komunës Riposto, të një mjeti lundrues me 900 kg marijuanë dhe të dy armëve të tipit kallashnikov, karikatorë e qindra municione.
Gjatë arrestimit, anëtarëve të bandës iu sekuestruan dhe 20 mijë euro.


Like it? Share with your friends!