Basha vijon takimet me biznesin e vogël: Pamundësia për të siguruar mbijetesën ka prekur shumicën e shqiptarëve


Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka nisur ditën sot me takimet me banorë dhe administratorë të biznesit të vogël, në kryeqytet. Basha, në vijim të takimeve të tij, është ndalur në Njësinë me Nr. 4, në Tiranë, ku është njohur me vështirësitë me të cilat po përballet biznesi i vogël. Sipas një postimi të shpërndarë në rrjetin social “FaceBook” të Partisë Demokratike, Basha është shprehur se biznesi i vogël me punën nga mëngjesi deri në mbrëmje, nuk po arrin që të sigurojë as bukën e gojës.

 Postimi i plotë Lulzim Bash:

Pamundësia për të siguruar mbijetesën ka prekur shumicën e shqiptarëve.

Nga mëngjesi deri në orët e vona të mbrëmjes në këmbë, në kushte të vështira për bukën e gojës e në fund dalin me humbje: Kjo është e vërteta e përditshme e shitësve dhe sipërmarrësve te vegjël në Njësinë Nr. 4 në Tiranë.

Përditë nga çdo qytetar, pensionist apo i ri, konsumatorë apo tregtarë dëgjoj të njëjtin shqetësim; Rënie e fuqisë blerëse, rritje e faturave dhe e çmimeve, pasiguri dhe pamundësi për të nesërmen.

RAMAVIRUSI godet përditë shumicën e qytetarëve dhe majmet me paratë e taksave. Xhepat e shqiptarëve po boshatisen përditë sepse paratë e tyre, paratë e taksave të tyre pasurojnë një grusht oligarkësh.

Pas 7 vitesh ky KM nuk mund të ofrojë më asgjë sepse gjithçka që ka bërë në këto 7 vjet ka qenë e kundërta e asaj që ka premtuar duke përkeqësuar vit pas viti situatën ekonomike të shqiptarëve.

Njerëzit kanë nevojë për mbështetje, kanë nevojë për punë, kanë nevojë për liri dhe mundësi. Shqipërisë i duhet një qeverisje normale, për të zgjidhur krizën që po thellohet çdo ditë dhe për të parë përpara drejt normalitetit dhe zhvillimit.

 


Like it? Share with your friends!