Zbardhet DËSHMIA e mbesës së Adriatik Llallës: Ju prezantohesha si e afërmja e kryeprokurorit, paratë i kam harxhuar për jetën time personale… (Mashtrimi në kohën kur “xhaxhai” ia kishte mbathur”)


Një histori më interesante sesa ajo e largimit të kryeprokurorit Adriatik Llalla nga detyra po përsëritet në dyert e drejtësisë shqiptare, atje ku Ilda Kërkapi, mbesa e ish-kryeprokurorit po hetohet për mashtrim. 24-vjeçare ka arritur të shpëtojë nga prangat e policisë në muajin maj 2020, pasi sapo ishte bërë nënë, por prokuroria e Tiranës ka arritur të zbardhë disa raste mashtrimi, ndërsa vetë Kërkapi, nuk i mban mend numrin e personave që ka mashtruar duke i premtuar vende pune në administratë.

 

Kërkapi, dëshmia e të cilës është zbardhur pjesërisht nga gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno, ka rrëfyer para hetuesve se “sportin” e vështirë të mashtrimit e ka nisur në kohën kur kryepokurori Adriatik Llalla drejtonte organin e akuzës.

 

Që prej 2016-ës ajo nisi të përdorë emrin e Llallës për të bërë mashtrime, madje gjatë 2017-2018, me urdhër të Llallës, Ilda Kërkapi, thotë në rrëfimin e saj se ka bërë praktikën pranë drejtorisë së Financës në Prokurorinë e Përgjithshme.

 

Ajo që është edhe më e çuditshme në këtë histori është fakti, se “viktimat”, kanë pranuar të japin para edhe në kohën kur Adratik Llalla ishte larguar, dhe ishte futur edhe në listën e zezë të DASH, (Departamenti Amerikan i Shtetit).  Por kjo nuk pengonte mbesën, Ilda Kërkapi që të mashtronte njerëz të ndryshëm duke i premtuar se kundrejt një shume prej 2 mijë deri në 3500 euro do arrinte të mundësonte punësimin e tyre në prokurori.

 

E reja thotë se ka marrë 6 milionë lekë të vjetra nga dy vajza, D.L. dhe A. L.. Këtë sasi parash ia ka marrë për arsye personale, dhe kur ka shitur mjetin e saj, “Benz-Mercedes C-Class”, iu ka kthyer paratë mbrapsht. 24-vjeçarja thotë se hynte çdo ditë në sektorin e Financës në Prokurorinë e Përgjithshme në 2017-2018. Viktimave sipas saj, iu ka thënë se ishte punonjëse e prokurorisë dhe më konkretisht,punonjëse pranë Departamentit të Financës.

Ky prezantim e ka bërë atë më të besueshme tek viktimat, e më tej thotë se i duheshin para dhe prandaj zgjodhi këtë rrugë. Të mashtruarit nuk e kërkonin Kërkapin, por ishte ajo që i telefononte duke iu thënë se në prokurorinë e Përgjithshme ishte hapur një vend pune, ndërsa kishte raste që iu shkruante në rrjete sociale ose iu ulej në kafene.

 

“Duke qenë se unë kam bërë praktikën mësimore në Prokurorinë e Përgjithshme dhe u prezantohesha si mbesa e kryeprokurorit Adriatik Llalla, njerëzit mendonin vërtetë se mund të bëja një punë të tillë dhe pranonin të më jepnin lekët. Lekët ose eurot m’i jepnin në dy pjesë dhe pasi kalonte një kohë, u thosha se nuk bëhej gjë dhe i premtoja se do ua ktheja lekët në një moment tjetër…”, ka pohuar Ilda Kërkapi, ndërsa më tej thotë se “paratë që kam marrë i kam shpenzuar për jetën time dhe gjërat personale”.

 

Kërkapi është marrë e pandehur dhe pritet që në ditët në vijim çështja kundër saj të referohet për gjykim në gjykatën e Tiranës, për akuzën e “Mashtrimit” më shumë se njëherë.


Like it? Share with your friends!