A mund të ikim me pushime tani? Profesor Sulçebe tregon se ku dhe kur duhet të bëni kujdes


Nga ZHAKLIN LEKATARI

 

Është verë dhe pas disa muajsh pasigurie dhe qëndrimi në shtëpi, ka ardhur koha e pushimeve, por a na lejohet të shkojmë me pushime tani? Nëse përgjigjen e doni në një fjalë të vetme ajo është: PO. Edhe Ministria e Shëndetësisë ka dhënë direktiva që lejojnë lëvizjen brenda kufijve shqiptarë. Sigurisht që në mesin e një pandemie globale kjo nuk është e thjeshtë.

 

Disa ndihen më të “sigurt” në shtëpi dhe mundohet të dalin nga shtëpia vetëm për veprime të domosdoshme, duke parë që ambientet më shumë njerëz vetëm e përkeqësojnë përhapjen e virusit. Për të qenë sa më të sigurt, pyetëm Dr. Genc Sulçeben që sqaron: “Të gjithë mund të shkojnë me pushime pa problem, rëndësi ka që  në ambientet e mbyllura të mbahet maska dhe të ruhet distanca fizike. Është e rëndësishme që mos ketë grumbullime në restorant, apo në lokal ose në ndonjë pistë vallëzimi.”

 

 

 

Si të përgatitesh nëse vendos të udhëtosh?

 

–         Bëj kujdesin e zakonshëm: Mos harro situatën botërore edhe kur je me pushime. Laj shpesh duart, mos prek fytyrën, qëndro pothuajse një metër larg të tjerëve, vendos maskën.

 

–         Mos harro që problemi janë njerëzit: Virusi shtohet me densitetin e njerëzve dhe grumbullimin e tyre. Prandaj duke pasur këtë në mendje duhen zgjedhur ambiente të jashtme që janë më pak të populluara.

 

–         Kontrollo statistikat e të infektuarve në vendin ku po shkon: Ndonëse numri është më i madh në qendrat urbane dhe ne zakonisht për pushime largohemi nga qendrat urbane, marrja e informacionit nuk është asnjëherë e tepërt.

 

A është plazhi i sigurt?

 

Edhe një ekspert si dr. Sulçebe ndonëse pranon që virusi shpërndahet edhe nëpërmjet ajrit dhe nuk është që qëndrimi jashtë vjen pa asnjë rrezik, shton që gjithsesi udhëtimi në plazh na lejon që të jemi larg të tjerëve fizikisht dhe për këtë arsye është i realizueshëm. Me pak fjalë, frika e infektimit nuk qëndron te uji i pishinës apo i detit por më shumë te qëndrimi fizik i afërt.

 

A mund të shkoj në hotel?

 

Nëse do të shkon në hotel ose në ndonjë shtëpi me qira, është e këshillueshme të kontrollosh pastrimin dhe hapësirën ku do të qëndrosh. Një problematikë që mund të ketë hoteli është ashensori i cili vështirëson largësinë, ndonëse qëndrimi në ashensor është zakonisht i shkurtër. Si rrjedhojë marrja me qira e ndonjë apartamenti ul rrezikun edhe të qëndrimit më shumë njerëz, por dhe atë të ashensorit.

 

Prandaj,  mos kini frikë, merrni masat e duhura, respektoni higjienën dhe largësinë fizike dhe zbuloni Shqipërinë tonë të dashur.


Like it? Share with your friends!