Shengeni rajonal, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshjen për menaxhimin e peshkimit në Liqenin e Ohrit dhe Prespës së Madhe


Rreth dy muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen e çertifikatave fitosanitare për qarkullimin e produkteve bujqësore pa barriera, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hedhin një tjetër hap të rëndësishëm drejt iniciativës strategjike të Shengenit Ballkanik për zhvillimin e rajonit tonë. Ministrat e Bujqësisë të të dy vendeve, Bledi Çuçi e Arjanit Hoxha,  nënshkruan në Strugë Marrëveshjen për Menaxhimin e Përbashkët të Qëndrueshëm të Peshkimit në Liqenin e Ohrit dhe Prespës së Madhe. Pas nënshkrimit, ministri Çuçi tha se finalizimi i kësaj marrëveshje është një tjetër dëshmi e bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy vendeve dhe shprehje e vullnetit për të shfrytëzuar në mënyrë të përgjegjshme këtë pasuri të përbashkët jo vetëm të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut por të gjithë Europës.

 

“Peshqit dhe fauna peshkore nuk kanë as pasaportë as kufij. Sot ne do të fillojmë ta konsiderojmë si një të tërë ekosistemin e Ohrit dhe Prespës së Madhe dhe do fillojmë të ngrrmë struktura për ta menaxhuar si një të tërë, pa kufij pa barriera.  Sepse kur ne në Shqipëri hedhim rasat korani siç hodhëm këtë vit 1.6 milionë, ato nuk i takojnë Shqipërisë por i takojnë ekosistemit të Ohrit.  Marrëveshja e sotme është e një rëndësie të veçantë sepse tenton të disiplinojë peshkimin në dy asete natyrore fantastike të mbarë Europës. Kjo është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi mes dy vendeve dhe mes nesh si ministra, si dhe vjen në frymën e një bashkëpunimi rajonal të synuar që ne e quajmë Shengeni Rajonal. Unë jam i gëzuar që të paktën në fushën e bujqësisë ne po tregojmë një vullnet për të hequr çdo barrierë në funksion të zhvillimit të dy vendeve tona”, tha ministri Çuçi.

 

“Do të kemi edhe marrëveshje të tjera në fushën e bujqësisë dhe menaxhimeve të përbashkëta. Kjo që nënshkruam në Strugë është edhe në frymën e asaj që Kryeministrat e të dy vendeve kanë diskutuar për hapjen e një minishengeni ballkanik, që i paraprin integrimit tonë në Bashkimin Europian”, tha ministi i Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, Arjanit Hoxha.

 

Pas miratimit të kësaj marrëveshjeje do të krijohet një Komitet i përbashkët për peshkimin në Liqenin e Ohrit dhe Prespës së Madhe, në përputhje me dispozitat përkatëse të marrëveshjes. Vendimet e këtij Komiteti nuk do të kenë efekt detyrues, por secila palë duhet të zbatojë rekomandimet e tij nëpërmjet mekanizmave ligjorë të parashikuar dhe të zbatueshëm përmes akteve rregullatore kombëtare.

Për të finalizuar këtë marrëveshje është punuar për rreth dy vite vite nga grupet e punës dypalëshe, të cilat janë mbështetur nga GIZ përmes projektit “Konservimi dhe Përdorimi i Qëndrueshëm i Biodiversitetit në Liqenet e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës”, në partneritet me Institutin Gjerman të Peshkimit të Ujërave të Brendshme. Një marrëveshje e ngjashme për Liqenin e Shkodrës është në fazën e fundit të miratimit dhe pritet të nënshkruhet së shpejti mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

 

 


Like it? Share with your friends!