Pol Milo, prezanton librin Shtegtimi i dinozaurëve fluturues


Pol Milo, libri Shtegtimi I dinozaurëve fluturues – një pelerinë prej mëndafshi që vesh groteskun e evoluar
Shkrimtari dhe autori durrësak Pol Milo sjell në treg librin me titull “Shtegtimi i dinozaurëve fluturues”. Ky libër është i përbërë nga tregime dhe ese të shkurtra në formë copëzash filozofike-letrare, duke sjellë një risi në llojin e vet.
Do të lexoni copëza që, e shumta, do të shkojnë deri në tri faqe, por që nga intensiteti i koncepteve peshojnë shumë më tepër. Në këto copëza filozofiko-letrare është bërë përpjekje të ribashkohen krijesat e ndara dikur në kohë duke u përballur me njëra-tjetrën meditimi filozofik me relacionet shkencore, inevolucioni i bashkësisë me ndjeshmërinë individuale.
Satira që përdoret në libër është disi absurde në vendin e vet; është e detyruar të ndjekë diçka shumë më të thellë, më meditative, aspak empirike.  Për ta detyruar satirën të ndjekë tregimet e veta hap pas hapi, edhe aty ku e ka të pamundur, autori ia ka hedhur atë si pelerinë; një pelerinë prej mëndafshi, mbi një armaturë të ndryshkur kalorësiako-mesjetare, që vesh groteskun e evoluar.
Promovimi i librit u bë në ambientet e librarisë Redon duke respektuar masat e sigurisë. Ishin të pranishëm gjatë promovimit kryetari i shoqatës Durrësi Autokton, z. Abdulla Deljallisi, përfaqësues të Bibliotekës së qytetit, shkrimtari Enton Bido dhe Teuta Dhima, Prof Dok Fatmir Minguli dhe shumë dashamirës dhe miq të librit.
   Personazhet e Pol Milos në tregimet e tij, – thekson profesor Minguli – ndonëse të shumtë, janë të edhe të fshehur, jo se nuk kanë emra por ata edhe faktet e të vepruarit i kanë të fshehura. Kështu ai zbaton një lojë narrative duke përdorur artificën letrare “ Fakti i fshehur” për të cilin Mario Vargas Llosa shkruan:
  “ Nuk do ta tepronim se historitë më të mira të Heminguejit janë plot heshtje domethënëse, plot lodra shpejtësie për fshehje faktesh nga ana e një rrëfimtari dinak.”
Mbarësi në udhëtimin e vërtetë të librit “ Shtegtimi i dinozaurëve fluturues” e urime autorit Pol Milo!

Like it? Share with your friends!