Lëvizja Socialiste për Integrim në Durrës, ka protestuar pasditen e së premtes përpara Drejtorisë Vendore të Policisë, kundër gjobës prej 50 milionë lekë të vjetra ndaj kryetarit të shoqatës ‘Durrësi Autokton’ Abdullah Deliallisi. Në protestë kanë marrë pjesë drejtues të kësaj partie në Durrës dhe disa të rinjë dhe të reja, ndërkohë që ajo është shfaqur live nëpërmjet rrjeteve sociale. LSI, shprehet se është kundër vendosjes së këtyre gjobave.
“Ndal shtetit policor.
Ndal gjobave ndaj pensionistëve dhe intelektualëve të Durrësit.
Ndal gjobave ndaj qytetarisë së Durrësit.
Jemi kundër gjobës prej 50 milionë lekë të vjetra ndaj kryetarit të shoqatës ‘Durrësi Autokton’ Abdullah Deliallisi, vetëm sepse organizoi takimin në nderim të figurës së arkeologut të njohur durrsak, Vangjel Toçi.
“Rilindja” gjobit intelektualët dhe pensionistët ndërsa oligarkëve u jep qindra milionë euro tendera dhe PPP.
Krye-oligarkut Rama dhe shtetit policor e anti-qytetar të “Rilindjes” do i vijë fundi më 25 prill”, shkruan LSI në postimin që shoqëron videon.
Por, sot ditën e shtunë Drejtoria Vendore e Policisë në Durrës bëri me dije se procedohen penalisht 2 organizatoret e grumbullimit të personave përpara organit blu.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” shtetaset:
- G., 38 vjeçe banuese në Tiranë dhe K. K., 35 vjeçe, banuese në Durrës.
Këto shtetase më datë 12.02.2021, rreth orës 16:00, përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë organizuar një tubim të paligjshëm, pa lejen e organeve kompetente dhe në kundërshtim me Aktin Normativ nr.3, datë 15.08 2020, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”