Trump mund të rikthehet përsëri?


Ish Presidenti Donald Trump mund të flasë për mundësinë e kandidimit përsëri për president në vitin 2024, tha organizatori i një konference konservatore që do të zhvillohet këtë fundjavë dhe ku ish-presidenti do të mbajë fjalimin e tij të parë të rëndësishëm pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

Matt Schlapp, kryetari i Bashkimit Konservator Amerikan, i cili do të drejtojë Konferencën e Veprimit Politik Konservator në Orlando të Floridës, tha se pret që ish-presidenti të flasë për një rol aktiv të tij në politikën e Partisë Republikane.

“Nuk jam i sigurt se çfarë do të thotë ai për vitin 2024, por jam shumë i bindur se ai do ta bëjë të qartë se kjo është një mundësi shumë konkrete“,  tha Schlapp për Reuters. Trump ka thënë më herët se do të shikojë mundësinë për të garuar përsëri për president.

Ai ka sinjalizuar se synon të luajë një rol në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022, ku do të përcaktohet nëse demokratët do të mbajnë kontrollin e Kongresit, duke mbështetur ata kandidatë, që do të sfidojnë republikanët e Kongresit, të cilët votuan për ta hequr ose ndëshkuar atë nën akuzën e nxitjes së trazirave vdekjeprurëse në ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar.

Por nëse ai flet për të kandiduar përsëri, kjo do të bënte që në kampin republikan të mos dilnin kandidatë të tjerë për Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që aspirantët për garën e vitit 2024 do të grumbullonin në heshtje mbështetës.

Kandidatë të tjerë të mundshëm republikanë për zgjedhjet e 2024-s përfshijnë Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe guvernatoren e Dakotës së Jugut Kristi Noem, të cilët do të marrin pjesë gjithashtu në konferencën e Floridës. Një sondazh mes pjesëmarrësve të konferencës mbi preferencat e tyre për 2024-n pritet të krijojë debate në mbarim të konferencës të dielën.


Like it? Share with your friends!