Basha në Korçë: Pedagogëve rritje pagash dhe stazh të paguar, për të sapodiplomuarit


Lulzim Basha gjatë vizitës së tij në Korçë, në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit është takuar me pedagogë dhe me mësues të këtij qarku. Kryedemokrati u shpreh se është një turp i madh niveli i pagave të pedagogëve në universitetet publike.

“Është një turp i madh niveli i pagave të pedagogëve shqiptarë. Është një turp i pagëlltitshëm për këdo që çmon arsimin, për këdo që çmon dijen, për këdo që çmon intelektualët e vërtetë, shkencëtarët.  Dhe si dikush që ia dedikon një pjesë të madhe të suksesit personal arsimit, produkt i arsimimit në një universitet cilësor, dua t’ju garantoj se hapi i parë do të jetë që për universitetet publike do të nisim menjëherë me rritjen e pagave dhe vendosjen e pagës minimale. Rritje që do të vazhdojë për gjatë 4-vjeçarit dhe është e buxhetuar në planin tonë të punës, që në 25 prill kemi bindjen që do të kthehet në planin e qeverisjes së shqiptarëve”, tha Basha.

Basha në fjalën e tij ka prezantuar para mësuesve dhe pedagogëve planin e Partisë Demokratike për arsimin e lartë, ku ka theksuar se në fokus do të jetë shtimi i buxhetit për këtë fushë,

Kryedemokrati ndër të tjera ka theksuar se qeveria e tij do të bëjë të mundur krijimin e  10 mijë stazhe me pagesë për një periudhë 12 mujore për studentët ekselentë.

Në radhë të parë e falënderoj për vlerësimin që më bëri! Vërtet dal nga strukturat e Partisë Demokratike, por mbi të gjitha dal nga universiteti i Korçës. Këtu janë kolegët e mi, janë mësuesit dhe siç është vlerësim ashtu është dhe përgjegjësi nëse të përfaqësoj pjesën intelektuale, pjesën qytetare dhe të jem një zë i fortë për pedagogët, për studentët, për mësuesit. Sepse nuk ka vlerësim më të madh, nuk ka detyrim më të madh ndaj brezit të ardhshëm sesa të jesh një pedagog i mirë, një profesionist i mirë dhe mbi të gjitha të jesh një qytetar i ndershëm dhe me integrimit. Unë të falënderoj kryetar për gjithçka që ke bërë deri më sot për Korçën, për universitetin, për mbështetjen që na ke dhënë gjithmonë dhe shpresoj që nesër në qeveri të jemi një zë jo vetëm për Korçën por për të gjithë Shqipërinë.

Disa nga shqetësimet kryesore që ngritën pedagogët, ishte ligji i Arsimit të Lartë, bllokimi i doktoraturave, si dhe pamundësia e studentëve për të gjetur punë pas diplomimit.

“Unë quhem Evionda Pylli dhe jam lektore prej afro 10 vitesh në Universitetin “Fan Noli” në Korçë. Shqetësimi im lidhet pikërisht me ligjin për Arsimin e Lartë numër 80 të miratuar në vitin 2015. E kam ndjekur me shumë vëmendje programin tuaj dhe gjatë parashtrimit të këtij programi ju jeni shprehur se me ardhjen tuaj në pushtet do të abrogoni apo do ta anuloni këtë ligj.”- u shpreh lektorja Eviona Pylli.

“Unë jam Kristi Morava, pedagog në Fakultetin e Bujqësisë dhe diplomuar për mjek veteriner. Ju e cekët dhe unë dua të mbetem pak tek çështja e kualifikimit të pedagogëve. Është një çështje që rrit aftësitë e stafit, por në mënyrë indirekte prek mësimdhënien dhe shërbimin ndaj studentëve. Bllokimi në mënyrë të palogjikshme dhe absurde i doktoraturave prej më shumë se gati pesë vjet, ka sjellë bllokim të projekteve, studimeve të mirëfillta dhe të konkurrimit në rajon me universitetet e tjera të cilat nuk janë më shumë se sa ne. Jemi ndjerë të cunguar, jemi ndjerë të pabarabartë në këtë aspekt. Pika tjetër që unë doja të parashtroja është edhe mbështetja sikundër edhe ju e thatë e studentëve të çilët diplomohen. Sepse janë studentë të kualifikuar jo vetëm studentët që dalin në universitetet e Tiranës, por po aq cilësorë janë edhe studentët e rajoneve.” – tha pedagogu i Kristi Morava.

Pasi dëgjoi shqetësimet e tyre, Basha tha se programi i Partisë Demokratike synon kthimin në normalitet të të gjithë sistemit arsimor shqiptarë. Ai u zotua se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, së pari do anulojë ligjin për arsimin e lartë, do të rrisë buxhetin për arsimin dhe universiteti do të ketë autonominë e tij. Ai gjithashtu u shpreh se në bashkëpunim me Aleancën e Universiteteve Europiane, do t’u mundësojmë studentëve shqiptarë mundësi më të mira formimi profesional dhe punësim dinjitoze.

 


Like it? Share with your friends!