Europa mbyllet, Shqipëria e hapur/ Për festa në Itali nuk lejohen lëvizjet. Turqia mbyllet për ramazan


“Pjesa më e madhe e vendeve të Europës kanë rikthyer masat kufizuese deri në karantinë totale për festën e Pashkës, për të frenuar përhapjen e infeksionit. Por, e kundërta ndodh në Shqipëri.

Pavarësisht masave të vendosura, përgjatë ditës jeta sociale vijon normalisht. Kjo edhe për shkak se njësitë e shërbimit si lokalet, baret e restorantet janë të hapura për qytetarët. E së fundmi, me nisjen fushatës elektorale rregullat e vendosura duket se po thyhen edhe nga vetë ligjvënësit.”

Një kontrast i madh me atë që po ndodh sot në Europë, ku qytetarët europianë po përballen me një ashpërsim të masave, një reagim që vjen nga autoritetet si një mënyrë për të frenuar grumbullimet që krijohen në festën e Pashkës.

Këto janë pamjet e kësaj të shtune në plazhin e durrësit të mbushur plot me pushues ditorë. Festa e pashkëve ka rritur turizmin e brendshëm dhe jo vetëm. Në bregdet hotelet po mbushën dhe baret dhe restorantet janë plot.

Por pamje të tilla janë të rralla në të gjithë Europën. Gjermania ka rikthyer karantinën totale në vend duke bërë që gjermanët të festojnë pashkët brenda shtëpive vetëm me familjarët e tyre ndërsa baret e restorantet janë mbyllur prej një kohe të gjatë. Italia u mbyll totalisht dhe askush nuk mund të lëvizë jashtë shtëpisë. Edhe Turqia në pritje të muajit të shenjtë të Ramazanit do mbylle edhe xhamitë jo vetëm baret e restorantet.

Në Shqipëri panorama është krejt ndryshe nga ajo e vendeve Europiane. Nuk mungojnë grumbullimet e njerëzve në rrugë, parqe e plazhe, ku tashmë me ngrohjen e motit dhe zgjatjen e orës verore shkujdesja shihet edhe më e madhe mes qytetarëve. Shumë prej tyre i janë drejtuar qyteteve bregdetare këtë fundjavë duke tejmbushur kafenetë buzë detit, e ka prej tyre që si në kohë normale kanë nisur edhe plazhin.

Top Channel


Like it? Share with your friends!