The Weeknd ka nxjerr në pah anën e tij më humane, teksa ka bërë një lajmërim me rëndësi ditën e djeshme. Këngëtari ka zbuluar se do të dhurojë 1 milion dollarë për në Etiopi për të lehtësuar urinë mes raporteve të spastrimit etnik në rajonin Tigray.
“Zemra ime thyhet për njerëzit e mi në Etiopi, ndërsa njerëz të pafajshëm duke filluar nga fëmijë të vegjël deri tek të moshuarit po vriten pa kuptim dhe po zhvendosen nga frika dhe shkatërrimi. Unë do të dhuroj 1 milion dollarë për të siguruar 2 milionë vakte përmes Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara dhe për të inkurajuar ata që mund të japin”, shkroi artisti në njoftimin e tij.
Nuk është hera e parë që The Weeknd bën një gjest të tillë kaq njerëzor. Në qershor të vitit të shkuar, ai dhuroi 1 milion dollarë të tjera për të ndihmuar në luftën me Covid-19. Po ashtu 2 muaj më vonë, ai dha 300 mijë dollarë për të ndihmuar të prekurit nga shpërthimi i fuqishëm në Bejrut ku mbetën të vdekur 200 persona. The Weeknd dhuroi edhe 500 mijë dollarë për luftën kundër racizmit pas vrasjes së George Floyd.