Rekordet dhe mbrojtja e blinduar/ Ruleta e Kontes, ja shifrat drejt titullit


ATO 17… – Në dyshim, Interi i Kontes ka rishkruar historinë duke u bërë skuadra e parë e aftë të fitojë 11 ndeshjet e para të fazës së dytë. Goli i Darmianit i lejoi të kalonin Milanin e sezonit 1989-’90, që u ndal në 10 radhazi. Ndërkohë, rezultati 1-0 ndaj Kaljarit vlen edhe suksesin e 12-të radhazi brenda fushe. Një seri paradoksale, pikërisht në sezonin pa tifozë, që Interi e ka arritur më përpara vetëm tri herë: në vitet ’50, ’71 dhe 2011. Skuadra e Kontes ndërkohë mban të gjallë mundësinë për të arritur një rekord që dukej i pamenduar, mbi të gjitha në një sezon të shënuar nga pandemia ku vazhdimësia mendohej të ishte vetëm teori. Mungojnë, në fakt, shtatë fitore (teorikisht Napoli, Specia, Verona, Krotone, Samp dhe Roma) për të arritur kuotën 17 të mbledhur nga Interi i Mançinit në edicionin 2006-’07: sezon ku, nuk duhet harruar, konkurrenca ishte e paktë nga efektet e “Calciopoli”-t. Në nivel trajnerësh Konte mund të arrijë… veten e tij: 12 fitore me Juven 2013- ’14, si Alegri në 2017-’18 dhe përpara, përtej të përmendurit Mançini, do t’i mbetej vetëm vetë Alegri (15 radhazi, me Juven 2015-’16).

MBROJTJE E BLINDUAR – Interi, ndërkohë, ndodhet në vendin e dytë me gola të shënuar (69 kundër 70 të Atalantës) dhe ka arritur Juven si mbrojtjen më të mirë pas goditjes me kokë të gjenovezit Skamaka që dërgoi rivalët historikë në 27 gola të pësuar. Një primat që nuk bën të lumtur vetëm Handanoviçin, i cili arriti edhe Bordon në kuotën 382 prezenca dhe ka përpara vetëm Zengën me 473, por gjithë grupin që sfilitet në fazën pa top. Një rekord fryt i nëntë ndeshjeve nga 13 të fundit të mbyllura me portën e paprekur, me vetëm 4 gola të pësuar. Ja, nga shifrat e shumta ndoshta është më befasuesja: një skuadër që në 17 ndeshjet e para kishte pësuar më shumë se një gol për ndeshje (18), më pas ka ulur saraçineskën dhe ka zbritur në 0,3. Për fatin e keq të konkurrencës.

Panorama Sport/


Like it? Share with your friends!