Adi Pojani: “Kokaina gjendet në vendet ku bëhet qejf”, rinia e gjen mënyrën të drogohet edhe kur hajnë byrek  


Leuchtturm.research ka bërë me dije konsumimin e kokainës në nivel të përgjithshëm të popullsive europiane. Shqipëria renditet e treta për nga përdorimi pas Anglisë dhe Spanjës. Dy shtetet europiane kryesojnë me 2.7%, ndërsa ne jemi pas tyre me 2.5% të popullsisë që konsumon kokainën.

Një fenomen që tregon shqetësimin e madh që duhet të kemi si shoqëri për rritjen e numrit të përdoruesve të kokainës.

Kjo temë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në lidhje direkte ishte gazetari i njohur, Adi Pojani.

Ky i fundit u shpreh se përdorimi i kokainës nuk është vetëm te personat që kanë para, por po shtrihet edhe në shtresa të çuditshme.

“Ka nisur të shtrihet edhe te personat që kanë një rrogë minimale.Ka të rinj me rrogë minimale që konsumojnë kokainë. Pjesa që ka goditur më shumë janë ata që bëjnë si influencues në rrjetet sociale, jeta që bëjnë ata, pa gjykuar asnjë. Kjo pjesë e elitës së “Instagram”-it ndikojnë”, tha Pojani.

Ish-banori i “Big Brother” u shpreh se në ditët e sotme është e lehtë që të gjendet lënda narkotike.

“E gjejnë kollaj. Unë jam utopik për këtë debat. Ka marrë ferra uratën. Problemi më i madh është se po shkatërrohet familja tradicionale. Mbroni fëmijët”, tha Pojani.

I pyetur a gjendet kokaina në shkollë, Adi tha se në 9-vjeçare mund të gjesh kanabis, ndërsa në vitin e fundit të gjimnazit kokaina.

“Kokaina gjendet në vendet ku bëhet qejf, aty ku ka kënaqësi, ku pihet dhe nuk ka mundësi frenimi”, shtoi Pojani, i cili në mënyre batute tha: “Ka ardhur koha ku të rinjtë edhe kur hanë një byrek, të thonë hajde të ja fusim një vizë”.

Më pas tha se qeliza kryesore për të ndaluar këtë fenomen që shqetëson vendin, është familja.

“Prindërit e dallojnë të parët. Po u bënë fëmijët për të shkuar në spital, ka marrë fund kjo punë. Mos ti lëmë fëmijët të shkojnë për spitale dhe më pas të gjejnë qendra rehabilitimi për ta. Bëni fëmijët të merren me sport, vetëm sporti mund ti shkëpusë fëmijët nga sjelljet e këqija”, përfundoi Pojani.

 

 


Like it? Share with your friends!