Rama jep lajmin për një tjetër kategori të riskuar/ Nis vaksinimi i operatorëve turistikë


Nga dita e sotme në gjithë vendin ka nisur vaksinimi i operatorëve turistikë që sipas kryeministrit Rama do të shërbejë “për një sezon turistik përtej pandemisë”.

“Qeveria është gati të vaksinojë gjithë strukturën hoteliere sidomps të bregdetit, ato që do kenë masën më të madhe të turistëve që do presin dhe do japin një garanci më shumë për operarorët e turistët që do vijnë të gjejnë hotele që janë Covid free”, tha kreu i Qeverisë nga Durrësi, teksa i bëri thirrje të gjithë punonjësve të operatorëve turistikë që të aplikojnë në ministrinë e Turizmit për të zënë radhën e vaksinimit.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nënvizoi se deri tani janë 2000 persona që janë regjistruar, por numri do rritet. Ajo garantoi se personeli dhe strukturat hoteliere do kenë një certifikatë që do tregojë se tashmë janë të vaksinuar.

Ndërkohë Rama dha lajmin se do të nisë edhe vaksinimi i një tjetër grupi rrisku siç janë transportuesit e udhëtarëve.

“Do nisë vaksinimi edhe për transportuesit e udhëtarëve. Me drejtorinë e Transportit ne kemi nisur hartimin e listave për të gjithë transportuesit e udhëtarëve në Republikën e Shqipërisë e do vaksinojmë që edhe ata të jenë jashtë zonës së rriskut”.

Ndërkohë teksa vizitoi një nga qendrat e vaksinimit në Durrës, Rama bëri batutë me një djalë të ri që priste të vaksinohej duke i thënë” T’i kam zilui pantallonat, tani në këtë periudhë nuk i vesh dot por dikur kështu i kam veshur edhe unë”

“Të boftë Zoti mbret se je njeri taman e ne kemi shpëtu nga kjo sëmundje e madhe”-, iu drejtua një grua Ramës, i cili iu përgjigj: “Është nderi i im dhe mbret është vetëm populli s’ka mbret tjetër”.


Like it? Share with your friends!