Nga sfidat e studimeve jashtë shtetit, tek dashuria në distancë/ Rrëfimi ndryshe i Lulzim Bashës: Si u njoha me Aurelën!


MARIGLEN KUME/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dhënë një intervistë ndryshe së bashku me bashkëshorten e tij, Aurela Basha.

I ftuar në “E Diel”, kandidati për Kryeministër ka treguar për marrëdhënien që kanë pasur me Aurelën gjatë kohës që ishin shokë klase në gjimnaz dhe lidhjen e dashurisë gjatë kohës që studionin që të dy në Holandë larg familjeve të tyre.

Në rrëfimin e veçantë, kreu i PD tregon pasionin e tij për muzikën dhe si e praktikoi gjatë kohës që ishte në universitet. Ndërsa Aurela tregoi për pasionin për kafshët dhe sportin e hipizmit. Sipas rrëfimit që do lexoni më poshtë, lidhja e tyre ka zgjatur për disa vite, madje ka pasur edhe sfida gjatë kohës kur Lulzim Basha punonte në Kosovë, ndërsa Aurela në Holandë.

Intervista ka pasur edhe momente prekëse kur moderatori pyeti çiftin Basha për marrëdhëniet me fëmijët.

RRËFIMI

Historia juaj zë fill që nga bankat e shkollës. Në cilën shkollë keni qenë bashkë?

Aurela Basha: Te “Sami Frashëri”

Në cilin vit?

Lulzim Basha: Vitin e dytë faktikisht, vitin e parë kemi qenë në klasa të ndryshme dhe në vitin e dytë klasa ime u shkri dhe unë përfundova në klasën ku ishte dhe Aurela nxënëse.

Si ishte Luli si nxënës?

Aurela Basha: Ishte më i miri i klasës. Ishte ai që për çdo pyetje, kushdo që kishte një pyetje, përgjigjen e kishte Luli.

Ndërsa Aurela si ka qenë si nxënëse?

Lulzim Basha: Ka qenë një vajzë që binte në sy. Binte në sy edhe kur nuk isha në klasën e saj. Ishte e veçantë në sjellje, në stilin e flokëve, jo ky që ka tani, dhe kishte një mënyrë të komunikuari ndryshe, të themi me aq sa e kujtoj, ne adoleshentë ishim. Aurela është… të dy kemi një pasion për letërsinë, në kuptimin që na pëlqen letërsia. Por ajo që ndoshta nuk dihet se në këtë marrëdhënien tonë në raport me publikun, ku kam dominuar gjithmonë unë për shkak të profilit mediatik që të jep të qenarit në politikë, në shërbimin publik, është që Aurela është ndryshe nga unë. Më në fund kam hedhur në botim një libër, por që nuk është libër, është një letër e hapur ndaj shqiptarëve, është një të themi një përqasje ime ndaj politikës etj. Nuk është letërsi e mirëfilltë në këtë kuptim, është një letër e hapur ndaj shqiptarëve. Ndryshe nga kjo, ajo që nuk dihet është që Aurela është marrë me letërsi të mirëfilltë, madje është vajza e parë, apo shqiptarja e parë që ka marrë çmimin mbarëkombëtar të poezisë. Në ‘91-shin në Tetovë. Pra, ishte një, domethënë kur më pyet si e kujton, kjo më vjen ndër mend, jo se ky ishte momenti kur ne u njohëm, po kishte diçka poetike, diçka në eter ndryshe, një aureolë rreth saj, siç e ka dhe emrin Aurela.

Sa vjeç ishit kur u larguat për studime në Holandë? Shkuat të dy?

Llulzim Basha: Pas gjimnazit, një vit pas gjimnazit. Se sot ndodh, por në ato vite nuk është se ka qenë një gjë e përditshme.

Lulzim Basha: I përkasim ndoshta një grupi prej 80 studentësh shqiptarë që studionin jashtë në ato vite. Sot janë 30 mijë që studiojnë anembanë botës. Atëherë nuk besoj se ishim më shumë sesa 80 apo 90, shumica në Itali dhe në Greqi.

Po ju pse pikërisht në Holandë? Se ndodhi që ishit edhe të dy. Ishit shokë akoma apo jo?

Lulzim Basha: Ishim, po

Nuk kishte ndonjë gjë tjetër?

Lulzim Basha: Si fillim jo

Aurela Basha: Ne shokë ishim akoma. Është rastësi që kemi shkuar në Holandë, është fat njëherë sepse duhet të jesh në momentin e duhur në vendin e duhur, në moshën e duhur, se po të ishim më të mëdhenj do të kishim filluar universitetin edhe do ta kishim mbaruar këtu.

Ndërkohë, ju atje në kohën e lirë jeni marrë… Dy aspekte doja të veçoja. Imagjinoni, Aurela hipizëm dhe Luli dixhej. Dy gjëra që i veçoj sepse keni pasur shumë aktivitete, siç thatë edhe ju, jashtëshkollore, por këto të dyja më tërhoqën. Çne hipizmi, Aurela?

Aurela Basha: Po, kam qenë në shoqatën e studentëve të hipizmit të universitetit dhe e kam bërë me vite. Po më pëlqejnë shumë kuajt, kafshët dhe hipizmi është një sport që veç sportit, anës sportive, të lejon që të kujdesesh, të merresh me kafshën, ta shëtisësh, ta pastrosh. Harxhon shumë kohë në stallë edhe kjo më pëlqente shumë.

Po dixhej?

Lulzim Basha: Shiko DJ është fjalë e madhe. Unë kam pasur një pasion të jashtëzakonshëm për muzikën. Kam një shok, kisha dhe kam një shok, Richardin. Richard-i është gjysmë holandez e gjysmë australian dhe ai ishte DJ i vërtetë. Afër kampusit të Fakultetit Juridik kishte një disko të famshme “Woolloomooloo”, kështu e ka emrin, dhe Richardi-i ishte mbreti i “Ëoolloomooloo”-së. Sigurisht që ne shkonim, kërcenim në orët e vona, të gjitha ato këngë të bukura që deri para disa vitesh ishin të ndaluara dhe mua… Mendoj që dashuria për muzikën që më kishte nisur me Hit Parades të radios italiane m’u kthye në një kuriozitet të madh se si funksiononte kjo gjë, kështu ëë mësova përmes tij të..

Si i kalonit momentet e bukura bashkë atje?

Lulzim Basha: Një nga gjërat që kemi bërë goxha me frekuencë ka qenë kinematografia. Për shembull, mbaj mend që premierat e filmave perëndimorë nuk mungonin, të paktën nga periudha ‘94-‘95 derisa unë u largova drejt Kosovës, fillova punë në Kosovë…

U largove në Kosovë dhe Aurela mbeti në Holandë

Lulzim Basha: Po, se punonte, punonte në Amsterdam.

Si ia bënit larg njëri-tjetrit?

Aurela Basha: A e di çfarë, se të dy ishim të rinj, mbas shkollës. Për Lulin puna ishte në Kosovë, unë gjeta punë në Holandë dhe fillova aty. Kemi qenë 5-6 vjet në dy vende të ndryshme, deri në vitin 2005 që u kthyem.

Si frekuentoheshit? Si lidheshit?

Lulzim Basha: Udhëtonim. Edhe Aurela vinte në Kosovë, edhe unë shkoja. Ishte një periudhë leje që jepte OKB-ja, jepte një leje çdo 3 muaj për shkak të vështirësive në punë dhe e ndanim kohën midis… Unë shkoja në Utrekt, Aurela vinte në Prishtinë. Takoheshim në Tiranë.

Ka pasur ndonjë luhatje mes jush, ndonjë tundim?

Aurela Basha: Nga largësia?

Po

Aurela Basha: Po, normale, po.

Lulzim Basha: Largësia bën të vetën edhe në kuptimin pozitiv, edhe në kuptimin negativ. Si është ajo shprehja larg syve, larg zemrës, por është dhe ajo shprehja tjetër, kur të merr malli…

Aurela Basha: Largësi edhe pranë zemrës, thonë francezët

Lulzim Basha: Francezët thonë largësi edhe pranë zemrës?

Aurela Basha: Po.

Lulzim Basha: S’e kanë dhe aq keq.

A nuk e ndjeni ndonjëherë që edhe familja është mision dhe duhet t’i japësh dhe kohën e duhur, se ndonjëherë ju zë rutina e punës, takime, gjithçka tjetër dhe aty është një bashkëshorte, janë dy vajza?

Lulzim Basha: Pa pikë diskutimi!

Aurela Basha: Po, Lulin, e zë ajo! Unë jam gjithë kohën në shtëpi

Lulzim Basha: Vajzës së vogël ia ka shpjeguar Aurela. Ndërsa unë mbaj mend këtë episod me Dafinën kur ka qenë 4 ose 5 vjeçe, edhe po ecnim përdore bregut të detit në Qeret. Një 4-vjeçare shumë e bukur, bardhoshe dhe unë vdisja të kaloja kohë me të. Duhet të ketë qenë korrik, gusht, se ishin muaj vere dhe kalonin. Ne ishim në qeveri, kalonin dhe sigurisht na ndalonin njerëzit, pavarësisht se unë përpiqesha që mos të na ndalonin, edhe i puthnin faqet se i kishte shumë të mira dhe shumë të ëmbla.

Aurela Basha: I kishte shumë të mira

Lulzim Basha: Dhe kjo mërzitej dhe e kuptoja që bëhej timide dhe një moment më thotë: “Ba, hajde ikim, se u mërzita, se gjithë këta njerëz”. “Po pse mo babë”, i thashë unë, “se këta të vijnë të puthin faqet ty se ti je kaq e bukur, kaq e mirë”. “Jo. Këta më puthin në faqe se ti je i famshëm”, tha. Më goditi në zemër që një 4 apo 5-vjeçare të të thotë këto. Do të thotë që e ka perceptuar këtë dhe në atë moment thashë ky është momenti, apo shpejt do të vijë momenti të ulem me gocën time, se vetëm Dafinën kishim atëherë, dhe t’i flas më pas, të fillojë të kuptojë, sepse këto janë vite kur formohet karakteri i njeriut, sepse në qoftë se kjo në këtë moshë, 4 vjeçe, 5 vjeçe, më thotë mua më trajtojnë të tillë sepse jam goca jote dhe ti je i famshëm, ka ardhur koha, sado që duket paradoks, që t’i shpjegosh diçka me çfarë merret babai yt. Jam ulur, ndoshta jo menjëherë pas kësaj ngjarjeje.

Ngjarjen ia thashë Aurelës. Isha shumë i mërzitur kur ma tha, mbeta se nuk e prisja nga një 4-vjeçare të ma thoshte që e kishte zhvilluar këtë vetëdije. Se ç’është e vërteta, ne i kemi mbajtur larg politikës, shumë larg në kuptimin që shumë më larg mendoj sesa shumë fëmijë politikanësh që njohim të dy kahet.

Panorama


Like it? Share with your friends!