Presidenti PPE Donald Tusk thirrje shqiptarëve: Nëse doni ndryshimin, Votoni 9! Shqipëria fiton


Donald Tusk Presidenti i Partive Popullore Europiane,zhvilloi këtë paradite një bisedë online me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku në fokus të diskutimit ishin zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Tusk iu drejtua qytetarëve shqiptarë me mesazhin se, nëse duan ndryshim dhe integrim në BE, duhet të votojnë ndryshimin.

Mesazhi i plotë i Donald Tusk:
Faleminderit shumë! Të dashur përfaqësues të EPP, i dashur president, i dashur Lulzim, të dashur anëtarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike, miq të dashur, është kënaqësi të jemi bashkë sot, përpara zgjedhjeve shumë të rëndësishme parlamentare të dielën më 25 Prill. Nuk ka mbetur shumë kohë, por unë shoh me shumë admirim programin tuaj zgjedhor dhe gjendjen shpirtërore dhe energjinë pozitive të fushatës suaj. Pas gjithë këtyre viteve të fundit është bërë shumë e qartë se Shqipëria meriton më shumë, se ajo meriton ndryshim. Shumë shqiptarë janë larguar nga vendi. Kjo është një arsye më shumë që Shqipëria duhet të anëtarësohet në Bashkimin Europian në mënyrë që të përmirësojë jetën dhe perspektivën për të gjithë qytetarët shqiptarë. Si president i familjes më të madhe të Partisë Popullore Evropiane, e cila përfaqëson sot shumë grupime parlamentare dhe parti europiane, unë jap mbështetjen time të plotë për Partinë Demokratike dhe kam besim se Lulzim Basha dhe ekipi i tij do të realizojnë integrimin e Shqipërisë në BE. Partia Demokratike dhe personalisht Lulzim Basha tashmë kanë provuar se mund të bëjnë shumë për Shqipërinë pasi bënë të mundur anëtarësimin në NATO dhe lëvizjen pa viza për të gjithë shqiptarët.

Sot unë rikujtoj këtë përvojë dhe udhëheqje të rëndësishme, e cila është shumë e nevojshme edhe tani. Fatkeqësisht viti i kaluar ka shënuar skandale korrupsioni, krim të organizuar, një rrjedhje të madhe të trurit, blerje votash dhe papunësi. Kjo është arsyeja pse unë i besoj programit të Partisë Demokratike me fokusin për të rregulluar ekonominë me fondet e nevojshme që do të rikthejnë investitorët, krijojnë vende të reja pune, mbështetjen e familjeve dhe biznesit të mesëm, palcën e shoqërisë shqiptare e cila do të investojë në edukim dhe kujdesin shëndetësor dhe do të rikthejë besimin tek institucionet. Për më tepër, unë shoh ekipin tuaj shumë përfaqësues të grave dhe të rinjve, gjë që gjithashtu më bën të shpresoj se ky ndryshim mund të jetë i suksesshëm. Partisë Demokratike i duhet shumica parlamentare për të pasur sukses. Thirrja ime sot për qeverinë është që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të mos përdor paratë e pista, presion mbi njerëzit dhe blerjen e votës për të prishur zgjedhjet. Shpresoj që njerëzit do ta kuptojnë se nëse duan ndryshimin, duhet të votojnë për ndryshim. Votoni 9! Shqipёria fiton! Faleminderit!


Like it? Share with your friends!