Meta takim me vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të OSBE: I informova hollësisht mbi situatën. Bashkëpunim për të faktuar çdo krim zgjedhor


Presidenti  Meta zhvilloi sot, tri ditë para zgjedhjeve, një takim me përfaqësues të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, që do të vëzhgojnë procesin në Shqipëri.

Meta shprehet se i informoi ata lidhur me situatën parazgjedhore në Shqipëri, dhe i siguroi për bashkëpunim për të faktuar “çdo krimi zgjedhor, që synon të deformojë rezultatin përkundër vullnetit të qytetarëve”.

Mesazhi i Metës

Zhvillova një takim të frytshëm dhe të hapur me përfaqësues të lartë të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, që do të vëzhgojnë procesin zgjedhor në Shqipëri, Zëvendëspresidentin, Azay Guliyev dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Roberto Montella.

Vlerësova përpjekjet e sinqerta dhe ndër vite të Asamblesë Parlamentare të OSBE në mbrojtje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri dhe veçanërisht angazhimin e tyre për monitorimin e këtyre zgjedhjeve, pavarësisht vështirësive të pandemisë.

I informova hollësisht mbi situatën parazgjedhore dhe i sigurova për bashkëpunimin e plotë në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe evidentimin e faktuar të çdo krimi zgjedhor, që synon të deformojë rezultatin përkundër vullnetit të qytetarëve.

Theksova se këto zgjedhje kanë një rëndësi historike për të ardhmen europiane të Shqipërisë, dhe se si President i Republikës do të bëj çdo përpjekje për të garantuar paprekshmërinë e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, të cilët do të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e së dielës.

 


Like it? Share with your friends!