Britani/ 24 vite në arrati, kapet vrasësi nga Elbasani me pasaportë britanike


Gazeta britanike Daily Telegraph ka zbuluar se një vrasës i dyfishtë shqiptarë nga Elbasani mundi të merrte pasaportë britanike duke përdorur një identitet të rremë me emrin Ilir Krasniqi.

Editori çështjeve të brendshme të kësaj gazete Charles Hymas shkruan se Artan Muça, 49, vjeç pas 24 vitesh është arrestuar në veri të Londrës dhe po përballet me një proces ekstradimi.

Muça është dënuar në mungesë me 25 vite burg pasi ekzekutoi në vitin 1997 në një bilardo dy persona në një fshat të Elbasanit.
Në Angli ai kishte mundur të hapte një kompani transporti duke përdorur një emër të rremë përpara se të zbulohej dhe arrestohej në shtëpinë e tij në veri të Londrës nga skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard.

Charles Hymas shkruan se është e paqartë se si Artan Muça mundi të fshihej për 24 vite me radhë në Angli pasi kreu dy vrasje në Shqipëri.
Megjithatë burime policore thonë se Scotland Yard iu paraqitën të dhëna përpara se përshkrimi këtij dënimi të ekzekutohej në vitin 2022.
Autoritetet shqiptare kishin në dispozicion edhe 1 vit kohë në dispozicion për të ekzekutuar me sukses urdhrin e arrestit ndërkombëtar.

Burime nga policia shqiptare citohen në Daily Telegraph të kenë deklaruar se rihapja e kësaj dosje erdhi pasi u përgjuan telefonat e të afërmve të Muçës dhe u zbulua se ata flisnin me një person në Angli që rezultoi të ishte i kërkuari Interpol Tiranës, vrasësi i dyfishtë Artan Muça.

Kreu prokurorisë së Elbasanit, citohet në këtë shkrim të ketë thënë se: “Ne jemi përpjekur prej shumë kohës ta vendosim këtë individ përpara drejtësisë i cili me gjakftohtësi ekzekutoi dy persona të pafajshëm. Ne nuk e dimë se si ai me sukses mundi të fshihej në Angli për plot 24 vite por ne asnjëherë nuk I ndërpremë përpjekjet për ta sjellë atë në Shqipëri e vuajtur dënimin prej 25 vitesh burg”.

Ngjarja

Artan Muça është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e kryer në vitin 1997 ku me breshëri kallashnikovi ka ekzekutuar shtetasit Sefedin Gjata dhe Bujar Musai. Krimi ndodhi në një bilardo në fshatin Kusrath në Elbasan që ishte në pronësi të shtetasit Sefedin Gjata.

Në bilardo, Muça ka debatuar ashpër me shtetasi Bujar Musa, duke i drejtuar armën kallashnikov.

Sipas të dhënave hetimore në këtë moment ka ndërhyrë pronari i bilardos dhe në përpjekje për ti hequr armën Artanit, ky i fundit arrin ta shkrepë atë duke e goditur në kokë shtetasin Sefedin Gjata, duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas Artan Muça ka qëlluar ndaj Bujar Musës duke e vrarë dhe atë. Pas krimit ai ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes. Prokuroria e Elbasanit mbi bazën e kallëzimit të shtetases Fatushe Gjata, bashkëshortja e të ndjerit Sefedin Gjata ka regjistruar procedimin penal në dhjetor të 2000 ndaj të pandehurit Artan Muça.

Në përfundim të hetimit çështja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Elbasanit, e cila me vendimin e dhjetorit 2001 ka vendosur ta deklarojë fajtor të pandehurin Artan Muça për vrasjen e dy personave, duke e dënuar me 25 vite burg gjithsej pas bashkimit të dy dënimeve.
Vendimi ka marrë formë të prerë dhe po në dhjetor të 2001 nga prokurori Neritan Hoxha është nxjerrë urdhri i ekzekutimit ndaj tij.

Top Channel


Like it? Share with your friends!