Me fundosjen e projektit të Su per Ligës, tani vëmendja spostohet e gjitha në ndeshjet e shumta që do të karakterizojnë Champions-in e ri. Dhe mendimet për këtë nuk janë aspak të këndshme edhe në këtë rast. Mbi të gjitha nga ana e Jyrgen Klopit dhe Pep Guardiolës. “Të gjithë kërkojnë cilësi dhe bota e futbollit zgjedh sasinë” shpjegoi tekniku i Mançester Sitit në konferencën për shtyp.
“Ndoshta duhet t’i kërkojmë UEFA-s që të kemi 400 ditë në një vit”, shtoi tekniku katalanas. Champions-i i ri nuk më pëlqen, pasi ka 10 ndeshje në vend të 6″, thotë tekniku i Liverpulit. “Nuk ia kam idenë se ku do ta vendosin”. “Ky është biznes, nuk mund ta mohojmë. Të gjitha skuadrat, tifozët, duan futbollistët më të mirë të mundshëm dhe për këtë është e nevojshme të bëhen investime të mira”, nënvizoi Pep. “Por kapitulli është mbyllur, tani duhet të përqendrohemi përsëri. Çdo klub ka bërë një deklaratë të sinqertë, kështu që tani duhet parë përpara.
Unë nuk jam një ekspert. Nëse thonë për 10 ndeshje më shumë, atëherë do të luajmë 10 më shumë. Spektakli duhet të vazhdojë. Detyra ime është të përgatis lojtarët. Nëse Kupa e Botës do të luhet me 56 skuadra, atëherë do të luajnë 56 skuadra”, përfundoi katalanasi. “Ajo që dëgjova është që nuk ka përfunduar ende”, saktësoi Klop. “Nuk dua të them se Super Liga mund të vazhdojë të ekzistojë ende, por sigurisht që ka shumë diskutime edhe për gjëra të tjera. Mund të flasim shumë për këto lloj gjërash, vetëm se nuk jam këtu për këtë. Jam dakord me Guardiolën.
Super Liga është jashtë diskutimit, shumë mirë, por për Champions-in e ri nuk mund të thuhet: ‘Oh, është fantastik’. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Ndoshta UEFA do të kërkojë që kompeticionet e Kupave në Angli të anulohen dhe të kemi vetëm 18 skuadra në kampionat”.
Një shfryrje e vërtetë ajo e Klopit: “Të vetmit persona që nuk pyeten kurrë janë trajnerët, lojtarët, tifozët. Besomëni, jemi në limite, të gjithë trajnerët e mendojnë në të njëjtën mënyrë. UEFA nuk na ka pyetur, shpikësit e Super Ligës nuk na pyetën. Askush nuk na pyet, por numri i ndeshjeve shtohet gjithnjë e më shumë. Siç e thamë më parë, nuk është e mundur. Me këtë strukturë nuk mund të ketë 20 skuadra në kampionat, 2 Kupa, 10 ndeshje ndërkombëtare përpara Krishtlindjeve. Këto gjëra janë të pamundura”, përfundoi gjermani.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO