Sot në mbrëmje pritet të bëjë diferencën e të përmbushë një pjesë të misionit, për të cilin u ble disa sezone më parë. Nejmar me shokë, pasi eliminuan një superfuqi si Bajerni i Mynihut, do të mundohen të bëjnë të njëjtën gjë sot në 21:00 kundër Mançester Sitit. Në konferencën për shtyp krah trajnerit Poçetino, ylli brazilian deklaroi:
“E dimë që na pret një ndeshje e vështirë, pasi Siti është një ekip i madh e që nuk gabon të tilla sfida. Do të mundohemi të luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi punuar shumë këto ditë dhe personalisht ndjehem në formë të shkëlqyer”. Më pas, fjala e sulmuesit transferohet te skuadra, nga e cila pret të tregojë me fakte se finalja e humbur në sezonin e kaluar ka shërbyer si mësim. PSG-ja nuk vjen si favorite në këtë ndeshje, por as Siti nuk është e tillë, ndaj pritet një takim i ekuilibruar, siç e konfirmon edhe Nejmar kur thotë:
“Sivjet kemi luajtur gjithmonë e më mirë. Vjet humbëm finalen, e nuk duam të përsërisim atë gabim. Jemi përkushtuar në këtë sfidë të dyfishtë dhe do të japim gjithçka për ta siguruar kualifikimin.” Përveç deklaratave të rastit, sulmuesi nuk mund t’u shpëtonte pyetjeve mbi të ardhmen. Objektivat sezonalë dhe kontrata ishin refreni i gazetarëve në konferencë për shtyp, por “O Ney”, konfirmoi se është një driblues i mirë edhe jashtë fushe.
Sa për rinovimin mund të them se jemi ende në bisedime me drejtuesit dhe menaxherin tim. Do të kemi edhe takime të tjera dhe akordi do të gjendet në mënyrë të natyrshme, pasi nuk duhet harruar që kontrata më përfundon në vitin 2022. Nga ana ime ju siguroj se në Paris ndihem më mirë se kurrë”, sqaroi 27- vjeçari. Forma e tij ka ardhur në rritje dhe siç e pranon vetë ndihet mirë. Këto ndeshje të fundit në Champions mund ta shtyjnë drejt fitimit të “Topit të Artë”, për të cilin mund ta gjejë vetën konkurrent me shokun e skuadrës Kilië Mbapesë.
“Në fillim kam pasur vështirësi ambientimi në Paris, por më pas gjithçka është rregulluar. Kam punuar shumë, edhe në nivel individual, por ‘Topi i Artë’ nuk është një fiksim për mua. E di atë që shkruhet, por sjellja ime ka qenë gjithmonë profesionale, ndaj dua ta shoh sa më lart ekipin dhe shokët. Mbape është fantastik e uroj që ta rrisë edhe më shumë nivelin e tij, pasi ka cilësi të jashtëzakonshme”, përfundoi deklaratën e tij sulmuesi i PSG-së.