Risia e Kodit Zgjedhor në zgjedhjet e 25 prillit ishte fakti që krerëve të partive politike u lejohej të garonin për deputet në më shumë se një qark.
Kryeministri Edi Rama zgjodhi të garonte në dy qarqet e rëndësishme me qytetet bregdetare, Durrës dhe Vlorë, ku pozicionohej i 8-ti në listë.
Tanimë që procesi i numërimit të votave ka përfunduar kryeministrit i duhet të zgjedhë nëse në legjislaturën e re do të përfaqësojë Durrësin apo Vlorën. Të paktën në vota, kreu i qeverisë duket më i preferuar në Durrës ku ka marrë 15871 vota, ndërsa në Vlorë 11412.
Më herët gjatë fushatës shefi i ekzekutivit deklaroi se ai do të mbajë mandatin në atë qark që do të votohet më shumë. Gjatë një dreke me peshk e karkaleca, ku ishte i pranishëm edhe biznesmeni Gjergj Luca dhe peshkatarët, Rama u shpreh: “S’kam ardhur në Durrës për të marrë vota, por për të bërë historinë me ju! Do qëndroj deputet atje ku do më duan më shumë. Pastaj varet ku do rri te njerëzit e nonës apo te njerëzit e babës!”.
Nëse Rama zgjedh të jetë deputet i Durrësit, atëherë automatikisht mandatin e tij në Vlorë, e merr kandidatja e renditur pas tij në listë, Teuta Ramaj, që ka grumbulluar 1738 vota preferenciale.
Nëse Rama preferon të mbetet ligjvënës në Vlorë, atëherë mandati i deputetes në Durrës i shkon kandidates nr.9 në të qark Ana Dhamo.