Manjani: Partia Socialiste ka shkelur kornizën ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale


Ylli Manjani, politikan i njohur, tani ekspert i çështjeve ligjore, shpjegoi se, përdorimi i të dhënave sensitive nga Partia Socialiste ka shkelur të gjithë kornizën ligjore që garanton mbrojtjen e të dhënave personale, duke nisur që nga Kushtetuta.

Si në faktin se ata mbajnë e përdorin të dhëna shtetërore, ashtu edhe për faktin se a kanë pëlqimin e njerëzve, e vendos Partinë Socialiste në kurs përplasje me Kushtetutën dhe Ligjin 9887, tha Manjani. Në një intervistë për “Monitor”, ai shpjegoi anën ligjore në lidhje me aksesin e partive politike në të dhënat sensitive të qytetarëve dhe se si ligjet dhe rregullat janë shkelur, dhe mbi të gjitha parimet e funksionimit të një shoqërore të lirë.

 

Çfarë të drejtash gëzojnë partitë politike për përdorimin e të dhënave personale?

Si fillim, duhet të sqarojmë se të dhënat personale të çdo shtetasi garantohen e mbrohen nga Kushtetuta e Republikës (neni 35) dhe nga ligji nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

Sipas ligjit 9887, “Të dhëna personale” është çdo informacion për një person fizik, i cili është i identifikuar ose i identifikueshëm. Elementet, me të cilat realizohet identifikimi i një personi, drejtpërdrejt apo tërthorazi, janë numrat e identitetit ose faktorë të tjerë të veçantë fizikë, psikologjikë, ekonomikë, socialë, kulturorë etj.”

Gjithashtu, po sipas ligjit 9887, “Të dhëna sensitive” është çdo informacion për personin fizik, që ka të bëjë me origjinën e tij racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësimin në sindikata, besimin fetar apo filozofik, dënimin penal, si dhe të dhëna për shëndetin dhe jetën seksuale. Si të dhënat personale, ashtu edhe ato sensitive, janë të mbrojtura në ligj. Ligji përcakton rregulla se si këto të dhëna mbrohen dhe çfarë ndodh kur mbrojtja e tyre cenohet.

Në çdo rast, të dhënat personale ose sensitive mund t’i bëhen të ditura dikujt tjetër ose edhe publikut VETËM ME PËLQIMIN E PERSONIT QË i PËRKASIN ATO TË DHËNA. Ligi thotë se: “Pëlqim” është deklarata specifike, e dhënë me vullnet të lirë nga subjekti i të dhënave personale për përpunimin e të dhënave të tij.

 

Çfarë konsiderohet e dhënë personale dhe apo sensitive në rastin e databazës?

Nga shqyrtimi i ligjit, Nr. i ID është qartësisht e dhënë personale dhe mbrohet me ligj si e tillë. Kjo do të thotë se gjeneruesi e përpunuesi i kësaj të dhëne nuk mund ta bëjë publike e as t’ia bëjë të ditur dikujt tjetër. Informacioni mbi bindjen ose orientimin politik të personit është një e dhënë sensitive që gjithashtu mbrohet dhe nuk i jepet askujt pa pëlqimin e personit.

 

Çfarë të drejtash kanë partitë në raport me të dhënat personale dhe sensitive?

Në parim, partitë NUK KANË ASNJË TË DREJTË, të posedojnë të dhëna personale apo sensitive të marra në institucionet publike që kanë për detyrë t’i ruajnë ato. Pra e thënë thjesht, nr. i ID është një e dhënë që gjenerohet nga shërbimi i Gjendjes Civile dhe është e dhënë e mbrojtur. Shërbimi mund t’ia japë këtë të dhënë një institucioni tjetër publik (fjala vjen e-Albania apo Policisë së Shtetit), për nevoja të shërbimit publik apo shërbimeve të sigurisë kombëtare, institucione të cilat kanë barrë t’i ruajnë këto të dhëna gjatë kryerjes së detyrave publike. Por asnjë institucion publik nuk mund t’ua japë këto të dhëna organizatave politike, shoqatave apo edhe individëve.

Qartësisht posedimi i numrave ID të shtetasve nga PS është i pambështetur në asnjë ligj! Nga ana tjetër, partitë, për shkak të veprimtarisë së tyre publike e politike, mund të administrojnë të dhëna personale e sensitive, por në çdo rast vetëm të dhëna për anëtarësinë e tyre dhe të dhëna që vetë anëtarët i japin me dëshirën e tyre. Kur them të dhëna, kam parasysh edhe ato sensitivet.

Fakti që ID ime apo e të gjithë jo anëtarëve të PS, gjendet në zyrën e PS është e paligjshme, sepse nuk e kam dhënë unë, por e kanë marrë nga një burim zyrtar, kur ky i fundit kishte detyrë ta ruante. Ose alternativa tjetër është se këtë të dhënë PS e ka vjedhur…

Njësoj vlen dhe logjika për deklarimin e bindjes politike. Edhe ajo është e mbrojtur dhe nuk ka punë ta dijë askush tjetër, nëse unë vetë nuk jap pëlqimin për ta përdorur. Kufizimi themelor është ndalimi për të mbajtur të dhëna personale e sensitive nga zyrat publike, si dhe ndalimi i përdorimit të tyre pa pëlqimin e personit që i takojnë.

Në të dyja kriteret, pra si në faktin se ata mbajnë e përdorin të dhëna shtetërore, ashtu edhe për faktin se e kanë pëlqimin e njerëzve, e vendos Partinë Socialiste në kurs përplasje me Kushtetutën dhe Ligjin 9887.

monitor/


Like it? Share with your friends!