“Luftojmë deri në fund për të gjithë trofetë”, Zidan: Vështirë të jesh trajner i Realit, s’u gëzova për Barçën


Zinedin Zidan e pranon se të jesh trajner i Realit të Madridit është diçka shumë e vështirë. Francezi thotë se ka shumë kritika dhe komente rreth vendimeve që merr. Përpara ndeshjes me Osasunën, Zizu ka besim që skuadra e tij do të luftojë deri në fund për ta fituar titullin kampion dhe për të shkuar në Champions.

 

OSASUNA – “Jemi duke luftuar dhe mendoj se duhet të përqendrohemi tek e përditshmja. Ndeshjet përgatiten ditë pas dite. Është fundi i sezonit, prandaj ndeshja më e rëndësishme është ajo me Osasunën. Do të bëjmë gjithçka për të fituar”.

BARCELONA – “Humbja e Barçës nuk ndryshon asgjë. Ne nuk mund t’i kontrollojmë gjërat jashtë nesh. Do të luajmë me skuadrën më të mirë për të fituar. Kemi bërë shumë zëvendësime, kemi pasur dhe dëmtime, por e rëndësishme është që duam të rivalizojmë”.

MARSELO – “Duhet të përmbushë të gjitha detyrimet që ka, por të mërkurën do të jetë me ne për ndeshjen kundër Çelsit”.

RAMOS – “Është gati për të qenë me ne. Të shohim nëse do të luajë”.

TITULLI – “Nuk është aspak i lehtë tani. Do të jetë i vështirë deri në fund. Unë nuk gëzohem aspak për humbjet e rivalëve. Do të tentojmë ta fitojmë titullin deri në fund. Kemi edhe 7 ndeshje deri në fundin e sezonit në të gjitha kompeticionet”.

TË LODHUR – “Kemi bërë gjithçka që mund të bënim. Nuk është e lehtë të menaxhosh lojtarët e Realit të Madridit. Të gjithë japin mendime dhe opinione. Kemi pasur shumë probleme këtë sezon. Nuk duhet të gjejmë fajtorët. Është një vit i çuditshëm në të gjitha aspektet. Nëse nuk stërvitesh me kohën, mund të ndodhin shumë gjëra”.

DËMTIME – “Nuk mund të them pse kanë ndodhur. Fakti që kemi pasur kaq shumë probleme, do të thotë që ajo që kemi bërë është diçka e jashtëzakonshme. Jam shumë krenar për skuadrën. Kur mungojnë 6-7 lojtarë thua: Çfarë po ndodh? Por, ne jemi duke u stërvitur maksimalisht”.

MREKULLI – “Si mund ta quani mrekulli? Kjo është shumë punë dhe dedikim për pasionin tonë”.

SI FINALE – “Freskia mentale ose psikologjike është e rëndësishme. E kam thënë gjithmonë që duhet të jemi të përgatitur në të gjitha momentet. Në lojën pa top kemi luajtur mirë, por duhet të punojmë edhe në aspektin sulmues me top. Është bukur kur e di që katër skuadrat mund ta fitojnë titullin kampion dhe kjo bën që të luftojmë në çdo ndeshje”.

MENDI – “Nuk e di çfarë do të ndodhë. Nesër (sot) nuk është me ne. Do të shohim nëse rikthehet për ndeshjen me Çelsin”.

PANORAMASPORT.AL


Like it? Share with your friends!