Akuzohet për 21 vjedhje biçikletash, pranga 31 vjeçarit në Durrës


Një seri vjedhjesh rëndojnë ndaj tij. Por, si objekt vjedhje kanë një gjë të përbashkët, biçikletat.  Policia e Durrësit, deklaroi se finalizoi me sukses operacionin e koduar “Çiklisti”, për zbardhjen e vjedhjeve të biçikletave të ndodhura më pare, ku arrestoi në flagrancë 31-vjeçari me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.

Njoftimi i plotë i policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, si rezultat i një pune të mirorganizuar, në kuadër të operacionit të koduar “Çiklisti”, arrestuan në flagrancë shtetasin:

 M. M., 31 vjeç, banues në Durrës , i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

 Ky shtetas, më datë 04.06.2020, në lagjen nr. 1, Durrës, ka vjedhur biçikletën e shtetasit B. D. dhe pas  ndjekjes nga shërbimet e Policisë, u kap në flagrancë në lagjen nr. 17, Durrës.

 Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas ka kryer edhe 21 vjedhje të biçikletave gjatë muajve të fundit në Durrës, konkretisht:

 Gjatë muajit shkurt 2020 dyshohet se i ka vjedhur biçikletat shtetasve E. L dhe E. V.;

 Gjatë muajit mars 2020 dyshohet se i ka vjedhur biçikletën shtetasit I. B.;

 Gjatë muajit prill 2020 dyshohet se i ka vjedhur biçikletat shtetasve D. Sh., M. Sh., R. S., S. H., H. C. dhe Z. A.;

 Gjatë muajit maj 2020 dyshohet se i ka vjedhur biçikletat shtetasve A. G., J. B, B. D., O. Gj., B. N., G. K., I. Xh., V. K., M. Xh., L. D., P. K.;

 Më datë 03.06.2020 dyshohet se i ka vjedhur biçikletën shtetasit D. Q.;

 Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

 

 

 


Like it? Share with your friends!