Aleanca për Teatrin: Mbase prof. Ndrenika është keqinformuar nga ata që duan të mbulojnë zullumet e tyre…


Deklarata e fundit e aktorit të madh Robert Ndrenika se “…ne te gjithe territorin e teatrit të ri, ne asnje centimeter te tij, nuk do te kete ndertime te tjera dhe as kulla”, ka ndezur reagimin e fortë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, e cila është kundërpërgjigjur, por me maturi dhe me respekt maksimal për figurën e mjeshtrit të skenës.

“Mbase profesor Ndrenika ka qënë i keqinformuar nga ata që duan të përdorin figurën e tij për të mbuluar zullumet e tyre, – shprehet Aleanca në reagimin e saj. –  Pavarësisht se ai është shprehur herë pas here se preferon të qëndrojë i tërhequr, zullumqarët e gjejnë gjithmonë një mënyrë për ta rikthyer në skenën e kësaj tragjikomedie, në role episodike që nuk të shqiten nga mëndja kollaj, në funksion të maskaradës së tyre….

Mbase profesori i madh, nuk është informuar se projekti i ri, të paktën publikisht dhe ligjërisht, nuk ekziston ende; bshkia e Tiranës vetëm pak ditë më parë, shpalli tenderin për realizimin e tij,” nënvizon Aleanca.

Por, çfarë tha Robert Ndrenika, që provokoi sërish zemërim? Në një mesazh ai u shpreh:

Dje me thirrën regjisori Altin Basha, drejtori i teatrit, Hervin Culi dhe inxhinier Bejleri, ne nje zyre arkitekture dhe pashe skicat dhe projektin e ndertimit te teatrit te ri. U kenaqa shume.

Me kete rast dua te bej nje falënderim (per dijeni edhe te mikes sime, gazetares Fatmira Nikolli) dua te falënderoj Aleancen per Mbrojtjen e Teatrit dhe Partine Demokratike, sepse gjate gjithe kohes qe une pashe keto skica si edhe projektin e teatrit te ri, pata parasysh verejtjet dhe sugjerimet qe kane bere Aleanca dhe PD-ja, duke dashur qe ne projekt, te jene te pasqyruara te gjitha verejtjet e tyre per teatrin.

Te gjitha keto verejtje i gjeta te rregulluara ne projektin e teatrit te ri. Per shembull, ne te gjithe territorin e teatrit, ne asnje centimeter te tij, nuk do te kete ndertime te tjera dhe as kulla. I gjeta te pasqyruara ne ate projekt te gjitha kerkesat e tyre pervec njeres ‘qe teatri do behet, aty ku ishte, por do behet shume here me i mire nga sa ishte’. Teatri i ri, do te jete me kushte bashke?kohore si shume teatro europiane.

Me respekte te ndersjella,

Robert Ndrenika”

Pikërisht ndaj këtij qendrimi, ka reaguar Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, që ka ngritu 7 padi nga qeverisë deri tani:

 

POSTIMI I PLOTË

“Pikërisht në momentin kur ishim në kulmin e betejës sonë ligjore ndaj abuzimeve dhe shkeljeve në lidhje me çështjen e ndjeshme të shëmbjes së Teatrit Kombëtar, aktori i madh i skenës Robert Ndrenika, u shpreh i kënaqur me projektin e teatrit të ri, pavarësisht se nuk e kuptuam se për cilin nga projektet e ka pasur fjalën meqë ka pasur disa syresh. Por a thua vallë, që çështja komplekse e teatrit, ku u përfshi fort edhe politika me ligje antikushtetuese, vjedhje të pronës publike, të ishte një cështje thjesht estetike ? Një përplasje pikpamjesh mes artistësh ? Sikur 17 Maji të mos kishte ekzistuar kurrë?

A thua vallë teatri i ri, duhej të ndërtohej duke shëmbur të vjetrin ? Apo vetëm toka e teatrit ishte e shenjtë dhe aspak trashëgimia dhe vlerat që kanë lënë ata që luajtën aty dhe bënë historinë e tij, ku bën pjesë edhe vetë aktori ynë i madh? Mos vallë fillimi ndërtimit të teatrit të ri duhej të ndodhte duke dhunuar artistët dhe qytetarët që po mbronim vlerat e trashëgimisë, duke i sulmuar me polici speciale të armatosur dhe shëmbja e teatrit të vjetër duhej të fillonte kur ata ishin ende brënda?

Gjithsesi, mbase profesor Ndrenika ka qënë i keqinformuar, nga ata që duan të përdorin figurën e tij për të mbuluar zullumet e tyre. Pavarsisht se ai është shprehur herë pas here se preferon të qëndrojë i tërhequr, zullumqarët e gjejnë gjithmonë një mënyrë për ta rikthyer në skenën e kësaj tragjikomedie, në role episodike që nuk të shqiten nga mëndja kollaj, në funksion të maskaradës së tyre.

Pastaj me humor të hollë, na jep një falenderim të pamerituar kur thotë se paskësh konstatuar se të gjitha sugjerimet tona (AMT dhe PD), ishin marrë parasysh, dhe na siguron se në projekt nuk parashikohen kulla, në asnjë centimetër katror të truallit të teatrit. Në fakt ne, por as edhe Pd nuk kanë qënë për teatër të ri duke shëmbur të vjetrin. Mbase falenderimi duhej të na vinte prej tij, kur e futëm teatrin përmes Europa Nostra në listën e shtatë vëndodhjeve më të rrezikuara në Europë dhe po bëheshim gati ta restauronim sipas projektit origjinal pa harxhuar asnjë shpenzim nga arka e shtetit shqiptar. Ndërsa sot pasi teatri është shëmbur, shqiptarët duhet të paguajnë nga taksat e tyre për ndërtimin e teatrit të ri, projekti i të cilit nuk është bërë publik, 30 milionë euro.

Mbase profesori i madh, nuk është informuar se projekti i ri, të paktën publikisht dhe ligjërisht, nuk ekziston ende. Bashkia e Tiranës vetëm pak ditë më parë, shpalli tenderin për realizimin e tij. Nëse paska një projekt fitues të fshehtë, këtu duhet denoncuar fillimisht mungesa e transparencës, përpara se të gjykojmë mbi vlerat e tij teknike.

Cila mund të jetë vallë garancia se projekti i ri nuk do të ketë kulla dhe sipërfaqes së teatrit nuk do ti merret asnjë centimetër, kur në dokumentat e hipotekës së teatrit sipërfaqja e tij figuron vetëm 1100 m2 nga 5500 m2 që ishte realisht? Në projektin e Bjarke Ingels, hapësira e ndërtimit është shumë më e vogël sesa ajo e truallit të teatrit, dhe bashkia asnjëherë nuk ka treguar se çdo bëjë me pjesën e mbetur të tij. Pavarsisht se kryetari i bashkisë ka dhënë e stërdhënë prova të llahtarshme se, jo vetëm që nuk i mban premtimet, por është një poet i mashtrimit, i aftë të gënjejë sy për sy, ditën për diell, ne duhet të besojmë në çdo rast se, garancia e gjallë e kësaj fjale të dhënë, është vetë profesori dhe artisti ynë i madh Robert Ndrenika.

Ta ndërtosh Teatrin e ri duke shëmbur të vjetrin së bashku me historinë dhe trashëgiminë që ai përfaqson, apo ta ruash atë dhe ta ndërtosh teatrin e ri diku tjetër ? Kjo është çështja.

Gjithsesi ne do të bëjmë çmos që trashëgimia e pashlyeshme, që aktori ynë i pakrahasueshëm Robert Ndrenika ka lënë, të ruhet në Teatrin e Rindërtuar aty ku ishte dhe siç ishte !

Alanca për Mbrojtjen e Teatrit/Marrë nga gazeta Shqiptare


Like it? Share with your friends!