Arrestimi i ”xhaxhait”, pjesë e ”Ndrangheta”/ Policia e Shtetit jep detaje: Ja kujt familje i shërbente në Itali


Një operacion ndërkombëtar në bashkëpunim me Interpol, ka vënë në pranga gjashtë persona, të cilët dyshoheshin se vepronin për llogari të ‘Ndrangheta’. Personat e arrestuar kërkoheshin nga drejtësia Italiane, dhe u kapën në Shqipëri, Argjentinë dhe Kosta Rika, në kuadër të vazhdimit të një operacioni që kishte nisur që prej vitit 2019.

 

Personat në fjalë janë të dyshuar për trafikun e 400 kilogramëve kokainë dhe për posedimin e municioneve. Më 21 korrik, tre nga të arratisurit u arrestuan në Buenos Aires ndërsa një operacion i njëkohshëm në Tiranë, Shqipëri çoi në kapjen e një të arratisuri të katërt të lidhur me Ndrangheta. Të nesërmen, një i arratisur i pestë u arrestua në Kosta Rika.

 

Një i arratisur i gjashtë që kishte shmangur kapjen në Operacionin Magma 2007 u arrestua në Shqipëri majin e vitit të kaluar, po për llogari të drejtësisë italiane.

 

Sipas Interpol në Shqipëri u arrestua Bujar Sejdinaj, i cili njihej ndryshe dhe me nofkën ”xhaxhai”. Dyshohet se Sejdinaj mori pjesë në blerjen e afro 20 kg kokainë në Spanjë. I arratisuri i pestë i Operacionit Magma 2007, Adrian Cekini, u arrestua në Elbasan, Shqipëri, në 26 maj të këtij viti.

 

“Xhaxhai”, sipas Policisë së Shtetit ishte përfaqësuesi i Ndrangheta-s në Shqipëri dhe në zonën e Ballkanit dhe në veçanti përfaqësuesi i familjes mafioze “Bellocco”. Shtetasi B. S. ka marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kg kokainë në Spanjë.

 

Falë këtyre operacioneve të policisë, që çuan në pranga 6 persona, u sekuestruan 400 kg kokainë, 30 kg hashash, 15 kg marijuanë, një pushkë sulmi automatike, tre pistoleta gjysmëautomatike, një silenciator dhe municion të kalibrave të ndryshëm.

 

Lidhur me këtë operacion ka reaguar zyrtarisht dhe Policia e Shtetit:

 

Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar për goditjen e grupeve mafioze në fushën e trafikimit të drogave të forta. Operacioni “Magma 2020”, për goditjen e pjesëtarëve të organizatës mafioze “Ndrangheta”. Operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në Shqipëri, Itali, Argjentinë e Costa Rica.

 

Operacioni, falë bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe projektit I-CAN (Interpol – Bashkëpunim Kundër Ndrangheta-s). 6 persona të shpallur në kërkim janë arrestuar në Argjentinë, Shqipëri dhe Costa Rica.

 

Në kuadër të këtij operacioni, nga Interpol Tirana, në bashkëpunim DVP Tiranë dhe me mbështetjen e FAST ALBANIA, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimi, shtetasi B. S., i quajtur “Xhaxhai”, përfaqësuesi i Ndrangheta-s në Shqipëri dhe në zonën e Ballkanit dhe në veçanti përfaqësuesi i familjes mafioze “Bellocco”. Shtetasi B. S. ka marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kg kokainë në Spanjë.

 

-Po në kuadër të operacionit është bërë dhe arrestimi në Elbasan, më 26 maj 2020, i shtetasit A. C., i cili ka qenë i shpallur në kërkim.

 

Në të njëjtën kohë në Argjentinë u bë arrestimi i shtetasve:

 

-F. S., korrier dhe njeri i besuar i Ndrangheta-s, i cili bënte lidhjen mes Amerikës së Jugut dhe Kalabrisë. Ky shtetas kryente për llogari të organizatës kriminale, detyra të ndryshme operative dhe transport të dokumenteve sekrete;

 

-G. P., lindur në Romë, me emrin M. P., me banim në Buenos Aires, ishte personi që bënte lidhjet midis furnizuesve të drogës të Amerikës së Jugut dhe familjeve mafioze italiane. Gjithashtu merrej dhe direkt me eksportin e substancave narkotike;

 

-F. P., lindur në Argjentinë, bashkëpunëtor i ngushtë i F. M., i cili u arrestua edhe në operacionin e kryer në nëntor 2019. Shtetasi F. P., falë rrjetit të tij të bashkëpunëtorëve në Argjentinë, merrej sidomos me anashkalimin e kontrolleve doganore dhe pastrimin e parave;

 

-Me bashkëpunimin e Interpol San Hoze në Costa Rica u arrestua në qytetin Jaco, shtetasi F. D., lindur në Velletri/Itali, bashkëpronar i një hoteli Casino në Costa Rica. Ky shtetas ishte vendosur në Costa Rica dhe ishte bërë pikë referimi për organizatat kriminale. Roli i tij ishte që të bënte të mundur dërgimin e kokainës në Itali, si dhe u siguronte anëtarëve të organizatës bazën logjistike dhe akomodimin në Costa Rica.

 

Ky operacion, i koordinuar me forcat e Policisë argjentinase, të Policisë shqiptare dhe asaj të Costa Ricas, si dhe me UCI Albania, dëshmon se qasja globale ndaj Ndrangheta-s, e arritur përmes projektit I-CAN dhe bashkëpunimit ndërkombëtar policor, është mënyra kryesore për të luftuar një kërcënim që ka ndotur në heshtje ekonominë e mbi 30 vendeve të botës dhe që duhet të luftohet përmes një veprimi të fuqishëm të rrjetit.


Like it? Share with your friends!