Basha marrëveshje me Shoqatën Kombëtare të Biznesit të Vogël dhe të Mesëm: Jeni shpirti i lëvizjes përpara të shoqërisë,një angazhim i përbashkët në mbështetjen tuaj


TIRANË

Lulzim Basha Kreu i PD-së  ka zhvilluar një takim me shoqatën Kombëtare të Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, me të cilën ka firmosur dhe një marrëveshje. Basha tha se është një angazhim i përbashkët në mbështetjen e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.

Ku theksoi se ky biznes është shpirti i lëvizjes përpara të shoqërisë dhe se PD është shtëpia e sipërmarrjes së lirë.

“Takim që konkludon vite bashkëpunimi dhe qëndrimi krah njëri-tjetrit. Dua t’jua them ju dhe përmes jush të gjithë sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm në Shqipëri. Për mua personalisht ka qenë një objektiv parësor që forcën politike që lindi me idealet e lirisë, demokracisë dhe tregut të lirë, Partinë Demokratike të Shqipërisë e cila lindi nga lëvizja e studentëve, pedagogëve dhe intelektualëve, që ka në ashtë interesat e të përndjekurve dhe pronarëve ta ktheja po kështu edhe në forcën politike të sipërmarrjes shqiptare.
Të sipërmarrjes së lirë shqiptare e në veçanti të sipërmarrjes së vogël e të mesme. Kam bindjen më të thellë se më këtë ne i bëjmë një shërbim të jashtëzakonshëm shoqërisë, i bëjmë shërbimin më të mirë ekonomisë shqiptare dhe qëllimit tonë madhor ringritjes ekonomike, zgjimit kombëtare ekonomik, hapjes së vendeve të punës dhe rritjes së pagave për shqiptarët. Në këtë afërsi që kemi gjetur me njëri-tjetrin, në fakt sa herë jemi takuar në ditët më të vështira kur jeni goditur nga represion, dhuna dhe arbitrariteti qeveritar, ju kam thënë jeni në shtëpinë tuaj. Dhe sot ju them përsëri, mirë se vini në shtëpinë tuaj! Por dua ta bëjë farë të qartë, unë nuk e di nëse jeni demokrat apo socialist, apo nëse jeni pjesëtar apo votues të partive të tjera tradicionalisht.

Postimi i plotë:

Unë ju ftoj në shtëpinë tuaj sepse kjo është shtëpia e sipërmarrjes së lirë. Dhe duke bërë këtë të mundur, gjatë këtyre viteve kemi realizuar edhe një objektiv parësor të familjes politike europiane të cilës i përkasim, Partisë Popullore Europiane, partisë më të madhe politike në parlamentin Europian, që drejtuesin në Komisionin Europian, kryekomisioneren Von Der Leyen që ka kryeministrat më të fuqishëm të Europës dhe për mua si kandidati për kryeministër sot dhe me përgjegjësinë e drejtimit të qeverisjes së vendit nesër”, deklaroi Basha.

Ai tha se nuk ka nder dhe kënaqësi më të madhe sesa ta nisim me këtë partneritet me biznesin, me sipërmarrjen e në veçanti me sipërmarrjen e vogël e të mesme që përbën 98.5% të sipërmarrjes shqiptare.

 

“Ju jeni një pasuri, një thesar, ju jeni forca që lëvizi vendin më të varfër të Europës në vitet 90’ nga një varfëri ekstreme që mund të krahasohej vetëm me vendet më të varfra të Afrikës.
Ju jeni pra shpirti i sipërmarrjes, shpirti i lëvizjes përpara të shoqërisë. Asnjë shoqëri europiane nuk ka ecur përpara pa i dhënë sipërmarrjes së mesme dhe të vogël vendin që i takon. Qëllimi kryesor i Shqipërisë, qëllimi kryesor i shqiptarëve pa dallim bindjes politike është anëtarësimi në Bashkim Europian. Ky është objektivi kryesor i Partisë Demokratike. Sepse anëtarësimi në Bashkimin Europian do të garantojë njëherë e përgjithmonë që kurrë të mos përsëritet një cikël 8-vjeçar apo qoftë edhe 4-vjeçar si ky që do lëmë bashkë pas me datë 25 prill. Një cikël pasigurie, terrori, masash të njëpasnjëshme që kanë goditur në palcë ekonominë duke goditur në veçanti sipërmarrjen e vogël.
Kjo është arsyeja pse jemi rreshtuar në krahun tuaj. Kur u rritën çmimin e energjisë që ishte fillimi i rënies ekonomike dhe i goditjes së biznesit të vogël. Kur insistuan për kasa fiskale vetëm e vetëm për të bërë tendera fiktivë dhe për t’ju zhvatur ndërkohë që asnjë shërbim real nuk erdhi në kuptimin e formalizmit apo të përmirësimit të gjendjes ekonomike. Kjo ishte arsyeja pse protestuam për dy vjet me radhë kundër vendimit absurd, do të thoja kriminal të futjes së TVSH-së në biznesin e vogël që tani kryeministri në largim thotë që do ta heqë pa guxuar as ta shohë në sy sipërmarrjen dhe t’i thotë më fal sepse siç e tha opozita ky nuk ishte vetëm një gabim, por ishte një goditje e fortë në stomakun e ekonomisë shqiptare që e uli në gjunjë ekonominë shqiptare sepse goditi pjesën më vitale të saj biznesin e vogël, biznesin mesëm”, deklaroi Basha.

Kreu i PD tha se jemi në një krizë të thellë ekonomike që është produkt i 8 viteve dështimesh dhe vendimesh anti-biznes. “Sot jemi në një situatë ku 3, 4 apo 5 njerëz që i thonë vetes biznesmenë por që jam i bindur që pa shtetin nuk hapin dot një kioskë jo më biznes, janë oligarkë që jetojnë si shushunja në biznesin e ndershëm, mbi kurrizin e taksapaguesve shqiptarë dhe kemi gjithë botën tjetër të biznesit që mezi po pret çlirimin me datën 25 prill. Dhe kam kënaqësinë që disa nga aspektet kryesore të çlirimit të klimës pozitive ekonomike, të zhvillimit që do të pasojë, t’i njoftojmë sot në këtë paketë, në këtë marrëveshje me Shoqatën e biznesit të Vogël e të Mesëm të Shqipërisë dhe Partinë Demokratike. Një angazhim të përbashkët në mbështetje të biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri”, u shpreh Basha.

 

 


Like it? Share with your friends!