Basha: “Rama sillet si ariu i cikut”/ Ja ligji i ri për sekuestrimin e pasurive të zyrtarëve socialistë, për paratë e Becchettit


Lulzim Basha në takimin me banorët e zonës së Unazës së Re, ka rishpallur pretendimin për të zbatuar marrëveshjen e nënshkruar me ato për mos realizuar projektin e nisur nga qeveria socialiste, duke nisur me bllokimin e devijimit të lumit Lana.

“Nuk do të kenë kohë. Unë që kam vendosur firmën timë, fytyrën time, do t’i qëndroj pikë për pikë marrëveshjes me të gjitha familjes e cënuara nga afera e unazës së re, për këtë nuk duhet të ketë asnjë fije dyshimi”, tha Basha, i cili premtoi se do të bllokojë projektin për devijimin e lumit Lana..

Basha ka zbuluar se paratë për vlerësimin e pasurive të paluajtshme të prishura të banorëve të Unazës së Re do t’i siguronte me anë të një ligji për konfiskimin e pasurive.

“Paratë që do t’ju paguhen me vlerën e tregut për pronat e prishura me padrejtësi, si çdo dëm tjetër i shkaktuar nga qeveria e tij, e fatura 110 milionë euro, një nga ligjet e para që do të nxjerrim është që këto para do t’i nxjerrim nga çdo para të pushtetarëve. Nuk kanë rëndësi nëse i kanë cash apo konto bankare të fshehura, në çdo cep të golibit. Pasuritë e paluajtshme në do t’ua konfiskojmë ato. Ndaj, ju ftoj që çdo çast deri më 25 prill ta bëjmë përmasën e bashkimit tonë më të madhin ndonjëherë që ka parë Shqipëria.” – tha Basha.

Ndërsa ka sulmuar dhe kundërshtarin e tij politik, kryesocialistin Edi Rama. “Ai do të vazhdojë të sillet si ariu i cirkut, edhe për këto javë, që s’bëri asgjë në këto 8 vite qeverisje.

Më tej kreu i Partisë Demokratike ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga drejtuesi politik i PD në njësinë 16, Belint Këlliçi, me të rinj të kësaj zone. Në fjalën hapës, Këlliçi tha se zona e Unazës së Re numëron rreth 70 mijë banorë, por që vuan mungesën e investimeve. Ai gjithashtu tha se të rinjtë janë shtresa më e goditur nga keqqeverisja e 8 viteve të fundit.

“Sepse duhet ta dini që jeni sot në një zonë ku numërohen rreth 70.000 banorë por që në zonën e Unazës së Re ju ende nuk gjeni dot një çerdhe, një kopësht, një shkollë fillore, një shkollë të mesme, një qendër multifunksionale për të rinjtë për të kaluar kohën e tyre, një park apo një qendër shëndetësorë. Të rinjtë janë shtresa më e goditur e këtyre 8 viteve të qeverisjes së Edi Ramës por mbi të gjitha të rinjtë e Unazës së Re janë më të goditur nga keqqeverisja e Edi Ramës dhe e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj.” – tha Belind Këlliçi.

Ndërsa të rinjtë ngritën shqetësimet e tyre sa i përketë shkatërrimit të shtëpive të tyre, infrastrukturës arsimore dhe papunësisë që është kthyer një fenomen negativ për të rinjtë shqiptarë.

“Prej 2 vitesh kam qenë pjesë e protestës për mbrojtjen e shtëpive tona nga projekti famëkeq korruptiv i cili fatkeqësisht e shkatërroi shtëpinë time, aktualisht ndodhemi me qira si pasojë e shkatërrimit të shtëpisë nuk kemi marrë asnjë dëmshpërblim, as nga qeveria, as nga bashkia. Askush nuk është i interesuar për ne, kemi muaj që endemi rrugëve. Në situatën time janë edhe shumë banorë të Unazës së Re.” – u shpreh Alda Hajdërasi.

“Unë jam Ramazan Matjani. Jam një maturant dhe jam çun Astiri dhe si çdo bashkëmoshatar i imi do të doja që gjimnazin ta kisha afër shtëpisë time por detyrohem të shkoj në Gjimnazin “Qemal Stafa” që është në rrugën e Durrësit, që i bie rreth 3 kilometra rrugë çdo ditë të javës.” – u shpreh Ramazan Matjani.

“Unë jam Suela Prizreni studente e vitit të dytë arkitekturë. Kam një pyetje. Sa e sigurt është politika juaj për të ardhmen personale të një studenti shqiptarë i cili sakrifikon shumë për tu shkolluar, po ashtu njëkohësisht sakrifikon dhe për të zënë një vend pune?” – tha studentja Suela Prizreni.

Pasi dëgjoi shqetësimet e tyre, Basha tha se mosdëgjimi i zërit të qytetarëve dhe në veçanti i rinisë, ka qenë misioni i vetëm i kryeministrit në ikje. Ai tha se 25 prilli është dita për t’i mbyllur derën të keqes dhe t’i hapet rrugë hapjes të vendeve të punës, arsimit profesional, praktikave mësimore, ndihmës për studentët, biznesin dhe ekonominë shqiptare.

“Heqja e zërit të qytetarëve, mos dëgjuari i zërit të qytetarëve e në veçanti mos dëgjimi i zërit të rinisë ka qenë misioni i vetëm i kryeministrit në ikje dhe i kësaj qeverie që ka dështuar në çdo fushë. E kundërta është misioni im. Ta bëj zërin tuaj të dëgjohet, ta bëj mendimin tuaj të vlerësohet, t’i bëjë pritshmëritë tuaja realitet. Shume kush ka humbur besimin. 8 vite nuk ka bërë detyrën tani vjen dhe troket përsëri, çfarë do t’i themi me 25 prill. Do t’ia hapim prapë derën të keqes, do të lejojmë prapë të futet në shtëpitë tona, pranë familjeve tona, të na marrë më të mirë tanë e t’i çojë në emigracion e të na sjellë njerëz nga Bangladeshi për të justifikuar dhe mbuluar dështimet e tij, kurrsesi jo. Me 25 prill do të çohemi të gjithë do të themi boll më dhe me votë do të ndëshkojmë tetë vite keqqeverisje e do të marrim hak për çdo padrejtësi në kurrizin tuaj dhe të familjeve tuaja. Hapja e vendeve të punës, arsimi profesional, praktikat mësimore, kualifikimi dhe rikualifikimi i studentëve për t’i bërë gati për një treg pune ku vetëm Europa, vetëm në fushën e teknologjisë së informacionit ka nevojë për 500 mijë vende pune, të cilat ne do t’i hapim këtu, në Tiranë dhe jo vetëm, duke i mundësuar rinisë të punësohen me paga dinjitoze dhe të themelojnë një jetë të re në vendin e vet, afër familjes së vet, në komunitetin e vet.

Shikoni ç’ bëjnë, është lajm ndërkombëtar që për faj të Edi Ramës shteti Shqiptar duhet të paguajë 110 milion Euro. Çdo ditë me Edi Ramën në pushtet na kushton, na kushton para, na kushton vende pune, na kushton mirëqenie. Çdo ditë me Edi Ramën e streson shqiptarin e thjeshtë. S’ka rëndësi të djathtë apo të majtë, taksën e sheshtë për biznesin, taksën apo tavanin 0.5% për biznesin e vogël, 18% sigurimet shoqërore, investimet për arsimin e lartë, heqja e tarifave për bachelor dhe master për të gjithë studentët që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj. Reformën shëndetësore që fillon me ndaljen e hemorragjisë mjekëve dhe infermierëve, largimi i të cilëve është kthyer në një problem kombëtar duke i rritur pagat e tyre. Ndihmën ndaj fermerit, luftën ndaj varfërisë ekstreme duke dyfishuar ndihmën ekonomike dhe mënyrën se si do trajtohen familjet e reja.” – tha Basha.

Basha përsëriti planin e Partisë Demokratike për arsimin, ku një ndër nismat e para do jetë anulimi i ligjit për arsimin e lartë dhe rritjen e financave për universitetin. Ndërsa bashkëpunimi me Aleancën Europiane të Universiteteve dhe me Komisionin Europian, do t’u mundësojë studentëve shqiptarë trajnime profesionale dhe mundësinë për punë me paga dinjitoze. Ai gjithashtu tha se prioritet do të ketë edhe plani urbanistik i Tiranës dhe përshpejtimin e procesit të rindërtimit për familjet e dëmtuara nga tërmeti.

“Sepse plani ynë është hartuar gjatë një kohë të bollshme, me një ekspertizë të jashtëzakonshme dhe nuk është një fletushkë premtime fushate. Angazhimi ynë për ligjin e Arsimit të Lartë dhe për rritjen e financave dhe autonominë universitare ka nisur të jetësohet përmes një grupi pune të përbashkët të ekspertëve tanë të pedagogëve dhe të studentëve, kështu që përgjigja ndaj pyetjes së parë është absolutisht po dhe jo vetëm kaq por ju do të jeni bashkë autorë siç do të jenë shqiptarët gjithmonë të konsultuar dhe të informuar.

Me Aleancën Europiane të universiteteve dhe me Komisionin Europian organizuam një konferencë 2 javë më parë që të bëjmë të mundur që të gjithë studentët shqiptarë të përfitojnë nga ajo që quhet trajnimi dual, apo thënë ndryshe kombinimi i praktikës me mësimdhënien. Ne kemi parashikuar që kjo të ndodhë edhe online ku Aleanca Europiane e Universiteteve në bashkëpunim me Komisionin Europian, do të na ndihmojnë të kemi 20 kualifikime të ndryshme online, për t’i përgatitur të rinjtë shqiptarë për investime shqiptare dhe të huaja në fusha të ndryshme, por po kështu, ndërtimin e një kampusi të përbashkët të pesë apo gjashtë universiteteve europiane.

Një tjetër pjesë e programit parashikon që një në tre studentë të sapo diplomuar do t’i ofrohet nga qeveria ime 10 mijë studentëve çdo vit bursa apo një pagesë prej 300 mijë lekë në muaj për një stazh 12 mujor që do të ndihmojë për ndërtimin e një ure nga bankat e shkollës, nga auditorët drejt praktikës dhe drejt vendeve të punës. Dhe është e provuar që kjo sjell dhe ka sjellë punësimin e të rinjve. 70-90% e të rinjve që bëjnë praktika të tilla mësimore ia dalin të sigurojnë një vend pune. Se bashkë me Europën, bashke me Bashkim Europian, bashke me Komisionin Europian, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ne do të arrijmë të rikthejmë shtetin, ekonominë dhe mirëqenien e shqiptarëve në pritshmëritë e rinisë shqiptare dhe të familjeve tuaja.

Ndërsa për të dytën dua të të them që ne kemi sot grupin më të mirë të ekspertëve urbanistë të cilët kanë studiuar jo vetëm problematikën e tmerrshme të Tiranës ku u premtua që s’do të kishte asnjë ndërtim dhe ku betoni mbiu ngado duke shkatërruar e grabitur prona, duke shkatërruar ajrin dhe mbi të gjitha duke shkatërruar infrastrukturën urbane. Se qyteti nuk është vetëm banesë, qyteti është edhe qendra shëndetësore, shkollë e mesme, shkollë fillore, kopsht , çerdhe, qendër kulturore, hapësira të gjelbërta, hapësira sportive. E pra, ky është një grup i përbërë nga ekspertë në zë të nivelit kombëtar dhe nga shumë të rinj që kanë mbaruar shkëlqyeshëm në universitetet më të mira të Europës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që sot po punojnë me Partinë Demokratike në mënyrë që ditën e parë të qeverisjes sonë të nisim korrigjimin e këtyre krimeve të tmerrshme të urbanistikës. Dhe detyra tjetër është të përshpejtojë procesin e rindërtimit dhe t’i japë fund krimit tjetër të Edi Ramës që i la 2 dimra rresht familjet shqiptare të dëmtuara.” – tha Basha.


Like it? Share with your friends!