Bastet / Ibrahimoviç në telashe të mëdha, FIFA mund t’a përjashtojë nga futbolli për tre vite


Telashet duket se nuk kanë fund për Zlatan Ibrahimoviç! Pasi u ndëshkua me karton të kuq ndaj Parmës dhe u pezullua për një ndeshje, tashmë suedezi rrezikon një dënim më të madh, këtë herë nga FIFA.

 

Gazeta e njohur suedeze, “Aftonbladet” raporton se Ibra ka shkelur kodin e etikës të FIFA-s dhe UEFA-s, pasi thuhet se është bashkëpronar i markës së basteve sportive “Bethard”, me qendër në Maltë. Dy qeveritë e futbollit botëror dhe europian nuk lejojnë që lojtarët që marrin pjesë në garat e tyre të kenë interesa financiare në kompani të këtij lloji.

Fakti që Ibra zotëron ende aksione te “Bethard” është konfirmuar nga CEO i kompanisë për median suedeze, Erik Skarp. Nga verifikimet e bëra, është zbuluar se kompania “AB” e Ibrës zotëron afërsisht 10% të aksioneve në “Gameday Group PLC”, e cila nga ana tjetër është aksionere e vetme te kompania e basteve. FIFA dhe UEFA e ndalojnë rreptësishtë që lojtarët të marrin pjesë në kompani bastesh, të cilat kanë lidhje me futbollin.

Në rast se vepra dhe gjithçka tjetër konfirmohet, atëherë Ibra rrezikon nga 300 mijë euro gjobë, deri te përjashtimi për 3 vite nga futbolli i luajtur.

PANORAMASPORT.AL

 


Like it? Share with your friends!