Dhuroi tri fanella, Kina i bën dhuratë 50 mijë vaksina Mesit


CONMEBOL bëri publik lajmin që do të marrë 50 mijë doza nga vaksina “Sinovac”, të cilat do të shërbejnë si një ndihmë e madhe për zhvillimin e Kupës së Amerikës dhe përfundimin e të gjitha kompeticioneve në Amerikën e Jugut. Megjithatë, organizata më e madhe e futbollit në Amerikë nuk e ka bërë publike mënyrën dhe rrugën që do të ndiqet më vonë për vaksinimin e futbollistëve.

Gonzalo Beloso, sekretari i përgjithshëm i CONMBEBOL, e ka postuar diçka të tillë në rrjetet sociale duke falënderuar në njëfarë mënyre Lionel Mesin, ndërhyrja e të cilit ka qenë shumë e rëndësishme për të marrë vaksinat si dhuratë nga Kina. “Dua të publikoj lajmin se do të marrim 50 mijë doza vaksine nga Kina. Drejtuesit e ‘Sinovac’ kanë vlerësuar maksimalisht Leo Mesin, i cili dërgoi 3 fanella të firmosura.

Ai gjithashtu është pjesë e kësaj arritjeje”, shkroi ai në rrjetet sociale. Kujtojmë që e gjithë bota është në një sfidë dhe në luftë me COVID-19, por gjithashtu edhe për të siguruar sa më shumë vaksina. Në Amerikë kanë përdorur Lionel Mesin për t’ia dalë. Futbolli në Amerikën e Jugut merr një lajm të rëndësishëm për vazhdimësinë.

PANORAMASPORT.AL

 


Like it? Share with your friends!