Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Durrës pasi ka kryer vjedhje në katër banesa të ndryshme brenda një muaji.
Ai dyshohet se ka vjedhur pajisje shtëpiake si dhe armë gjahu. Nga kontrolli i policisë në banesën e tij, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, 7 fishekë dhe vegla pune që dyshohet se i ka vjedhur.
Policia ka arrestuar edhe një 40 vjeçar, banues në Durrës, i cili në periudha të ndryshme kohore, në vende të ndryshme në Durrës, dyshohet ka vjedhur 5 biçikleta, në pronësi të shtetasve E. K., F. H., A. A., A. H. dhe H. H.
Njoftimi i plotë
Zbardhen dhe dokumentohen disa vjedhje të ndodhura më parë në Durrës, Krujë dhe Lezhë.
Arrestohen nga Policia autorët e dyshuar të këtyre ngjarjeve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Lezhë, në vijim të punës për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, arrestuan shtetasin Y. K., 37 vjeç, banues në fshatin Zallë, Krujë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autor i disa vjedhjeve të ndodhura në Krujë dhe Lezhë, konkretisht:
Më datë 31.03.2021, dyshohet se ka vjedhur disa pajisje shtëpiake në banesën e shtetasit S. Ll.;
Më datë 28.04.2021, dyshohet se ka vjedhur një armë gjahu në banesën e shtetasit F. Gj. (të cilën e dispononte me leje);
Më datë 17.04.2021, dyshohet se ka vjedhur në banesat e shtetasve G. Z. dhe A. S., banues në Lezhë;
Gjithashtu, më datë 30.04.2021, ka tentuar të vjedhë në banesat e shtetasve Gj. Z. dhe A. Z., banues në Lezhë.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Y. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, 7 fishekë dhe vegla pune që dyshohet se i ka vjedhur.
—
Specialistët e Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin P. P., 40 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas, në periudha të ndryshme kohore, në vende të ndryshme në Durrës, dyshohet ka vjedhur 5 biçikleta, në pronësi të shtetasve E. K., F. H., A. A., A. H. dhe H. H.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel