ERE licencon Albpetrol për 10 vjet në aktivitetin e furnizimit të gazit


Enti Rregullator i Energjisë (ERE) licencoi kompaninë publike të prodhimit të naftës Albpetrol në aktivitetin e furnizimit të gazit natyror (shitje me pakicë).

Në një vendim të pak ditëve më parë ERE bëri me dije se nga ana e kompanisë ishin plotësuar shumica e kushteve të kërkuara. Për marrjen e licencës 10 vjeçare gjithsesi Albpetrol ju kërkua që të paraqesë disa vërtetime shtesë.

Bordi i ERE-s, vendosi: Të licencojë shoqërinë “ALBPETROL” sh.a., në aktivitetin e furnizimit të gazit natyror (shitje me pakicë), për një afat 10-vjeçar, me kusht që brenda 3 (tre) muajve nga marrja dijeni e këtij vendimi të depozitojë në ERE: a. Vërtetimet e Gjykatës dhe të Prokurorisë për administratorin e ri te saj, dhe Vërtetimet e Gjykatës dhe Prokurorisë për vetë shoqërinë “ALBPETROL” sh.a., me data të përditësuara; b. Deklarime të lëshuara prej autoriteteve përkatëse për shlyerjen e detyrimeve fiskale dhe sigurimeve shoqërore, në masën që këto detyrime janë plotësuar prej Aplikantit” thuhet në vendimin e ERE.

Shoqërisë “ALBPETROL” sh.a.i është kërkuar gjithashtu të depozitojë në ERE përpara fillimit të operimit Dokumentacionin pronësor dhe Lejet Mjedisore në origjinal ose të njësuar me origjinalin.

Lidhur me dokumentacionin pjesor dhe atë të paplotësuar ERE ka bërë me dije se aplikanti nuk ka plotësuar dokumentin që lidhet me faktin nëse ka synim të përdorë një shoqëri menaxhimi për operacionet e tij ditore. Në këtë rast ai duhet të informojë ERE për këtë synim dhe të japë një Garanci të Performancës për kryerjen me ndershmëri dhe besueshmëri të veprimeve prej kësaj shoqërie menaxhimi. Këto të dhëna nuk janë dhënë nga Albpetrol pavarësisht kërkesës së rregullores.

Po kështu Albpetrol do të duhet të dorëzojë pranë ERE deklarime të lëshuara prej autoriteteve përkatëse për shlyerjen e detyrimeve fiskale dhe sigurimeve shoqërore, në masën që këto detyrime janë plotësuar prej tij.

ERE vlerëson gjithashtu se dokumentacioni që tregon titujt ose pronësinë mbi asetet që ka, që ka dedikuar ose ka nënkontraktuar/marrë me qera ose që pritet në mënyrë bindëse të përfitohen nga ose për Aplikantin(Albpetrol) për të kryer funksionet ose plotësuar detyrimet nën Licencën e kërkuar si dhe lejet dhe autorizimet mjedisor sipas rastit për aktivitetet ushtrimi i të cilave kryhet me asetet përkatëse) janë plotësuar plotësisht.

“Duke qenë se këto dokumente janë depozituar në ERE në formatin fotokopje dhe fotokopje të njësuar me vulën e vetë Albpetrol sh.a., vlerësojmë vendosjen e një kushti në diapozitivin e vendimit në mënyrë që shoqëria t’i përcjellë ato në formën e kërkuar nga neni 8, pika 3, e “Rregullores për procedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, ose heqjen e licencave në sektorin e gazit natyror” thuhet në vendimin e Entit.

Monitor/


Like it? Share with your friends!