Pothuajse e gjithë popullsia evropiane jeton në qytete shumë të ndotura, ku nivelet mesatare vjetore të grimcave të pluhurit janë më të larta se limitet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Pra gati të gjithë në kontinent thithin ajër, që është provuar të jetë i dëmshëm për shëndetin, gjë që mund të jetë fatale.
Ndotja e ajrit rrit rrezikun e sëmundjeve të frymëmarrjes dhe zemrës dhe ul jetëgjatësinë.
“Shumë njerëz po sëmuren me nivelet aktuale të ndotjes së ajrit. Është e qartë se më me pak ndotje të ajrit këto shifra do të reduktoheshin”, thotë Mark Nieuwenhuijsen, drejtor i Institutit të Barcelonës për Shëndetin Botëror (ISGlobal).
– Publicitet –
Sa i ndotur është ajri në Europë?
Së bashku me European Data Journalism Network, DW vlerësoi të dhënat satelitore të Shërbimit për Monitorimin e Atmosferës Copernicus (CAMS), Copernicus Atmospheric Monitoring Service (CAMS).
Analiza tregon se në vitin 2022 pothuajse të gjithë në Evropë – 98 përqind e popullsisë – jetonin në zona, ku përqendrimet e pluhurit të imët ishin mbi kufirin e vendosur nga OBSH.
Përjashtimet e vetme ishin Islanda, Finlanda, Norvegjia dhe Suedia.
Sipas OBSH-së përqendrimi mesatar vjetor i grimcave të pluhurit të imët nuk duhet të kalojë pesë mikrogramë për metër kub ajër. Një mikrogram është një mijë herë më pak se një miligram. Sipas analizës sonë rajonet më të ndotura të Evropës arrijnë çdo vit një përqendrim mesatar prej rreth 25 mikrogramësh për metër kub pluhuri të imët (PM2,5).
Në fakt nivelet e larta të ndotjes së ajrit për disa qytete evropiane janë tashmë të njohura. Megjithatë kjo analizë e re e të dhënave ofron për herë të parë një vështrim gjithëpërfshirës të problemit në të gjithë Evropën: ne krahasojmë nivelin e ndotjes në rajone të ndryshme, duke treguar se ku është përmirësuar cilësia e ajrit dhe ku është përkeqësuar.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se si masat e marra nga politika ndihmojnë në reduktimin e grimcave në ajër. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në sfondin e debatit të BE mbi rregulloret e reja të ndotjes së ajrit, që pritet të zhvillohet javën e ardhshme.
Çfarë janë grimcat e pluhurit?
Pluhuri i imët – i quajtuar zakonisht shkurt PM2.5 – përbëhet nga grimca shumë të vogla, një kombinim i shumë materialeve dhe ndotësve të ndryshëm. Këta ndotës nuk mund të shihen me sy të lirë. Ata kanë një diametër prej më pak se 2.5 mikrometra, që është rreth 30 herë më i hollë se një fije e vetme floku. Edhe pse ka shumë substanca të tjera, që janë të dëmshme për shëndetin, diskutimi shpesh përqendrohet te pluhuri i imët. Sepse ka prova të qarta shkencore për efektet negative të tij për shëndetin.
Sa i ndotur është ajri i Evropës në krahasim me pjesën tjetër të botës?
Cilësia e ajrit në Evropë është në përgjithësi më e mirë se në rajonet e tjera të botës. Në qytetet në veri të Indisë – si Nju Delhi, Varanasi ose Agra – vlera mesatare PM2.5 mund të arrijë deri në 100 mikrogramë për metër kub.
Në Evropë vlerat maksimale janë rreth 25 mikrogramë për metër kub. Edhe në nivelet relativisht të ulëta të Evropës ndotja e ajrit ka ndërkohë pasoja domethënëse mbi shëndetin.
Rregullat e reja të Bashkimit Evropian për cilësinë e ajrit në Evropë do të lejojnë një përqendrim mesatar vjetor prej 10 mikrogram pluhuri të imët për metër kub ajër. Komiteti i Parlamentit Evropian për Mjedisin pati propozuar, që të pranohen rekomandimet e OBSH-së, të cilat janë më rigoroze, me pesë mikrogramë grimca të imta për metër kub ajër.
Edhe 10 mikrogram do të ishin një përmirësim në krahasim me standardet aktuale, që lejojnë përqendrime vjetore të PM2.5 me 20 mikrogramë për metër kub – katër herë më lart se rekomandimi aktual i OBSH-së.
Mjaft të ndotura janë aktualisht pjesë të Evropës Lindore, lugina e lumit Po në Itali dhe rajone të mëdha metropolitane si Athina, Barcelona dhe Parisi. Studiuesit në fushën e shëndetësisë dhe ambientalistët argumentojnë se udhëzimet e reja të BE duhet të miratojnë kufijtë e OBSH-së, por pranojnë se kjo gjë do të ishte e vështirë.
“Limitet e BE nuk marrin parasysh vetëm arsyet shëndetësorë, por edhe argumentet ekonomikë. Limitet e OBSH-së nga ana tjetër janë krijuar nga ekspertë, që kanë parasysh vetëm shëndetin”, thotë studiuesi Nieuwenhuijsen. “Shpresoj se BE do të ndjekë udhëzimet e OBSH-së. Por disa ndoshta do të argumentojnë, se e gjitha do të ishte shumë e shtrenjtë.”
Sa vdekje nga ndotja e ajrit mund të parandaloheshin?
Autoritetet e mjedisit raportojnë se mijëra njerëz vdesin para kohe çdo vit nga sëmundjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit. Në mesin e shkurtit 2023 shumë qytete në Luginën e lumit Po në Itali u mbuluan nga smogu. Veçanërisht të prekura qenë Lombardia dhe Veneto. Sipas studiuesve të Copernicus përqendrimi mesatar ditor i PM2.5 gjatë asaj kohe u rrit në mbi 75 mikrogramë për metër kub në qytete si Milano, Padova dhe Verona.
Kjo gjendje lidhet pjesërisht edhe me gjeografinë e rajonit: ai është i rrethuar nga male, kështu që ndotja e shkaktuar nga trafiku i rënduar, industria, emetimet bujqësore dhe ngrohja e banesave mbeten në zonë.
Një studim i botuar në revistën shkencore The Lancet vlerësoi në bazë të të dhënave të vitit 2015, se rreth 10 për qind e vdekjeve në qytetet si Milano mund të shmangeshin, nëse përqendrimet mesatare të PM2.5 bien me rreth 10 mikrogramë për metër kub.
Studiuesit arritën në përfundimin se totali i 100.000 vdekjeve nga ndotja e ajrit mund të shmangej çdo vit, nëse qytetet kryesore të Evropës do të mund të reduktonin ndotjen nga grimcat në pesë mikrogramë për metër kub. Por nuk është ky drejtimi, që po merr zhvillimi i Luginës së lumit Po.
Përveç vendndodhjes së pafavorshme gjeografike, ne kemi bërë pikërisht të kundërtën e asaj që duhet të bëjmë”, thotë Anna Gerometta, avokate dhe presidente e Cittadini per l’Aria, një organizatë joqeveritare italiane, që angazhohet për rregulla më të rrepta për cilësinë e ajrit në Itali. Gerometta thotë se masat aktuale kundër ndotjes nga makinat, ngrohja e shtëpive dhe fabrikat e mishit janë shumë të dobëta për të konfrontuar shkallën e problemit.
Çfarë mund të bëjë politika për të përmirësuar cilësinë e ajrit?
Në disa pjesë të Polonisë nivelet e ndotjes janë ndër më të lartat në Evropë. Por që nga viti 2018 – viti i parë në analizën tonë – ato po bien në mënyrë të vazhdueshme.
Një shembull është Krakovi, qyteti i dytë për nga madhësia në vend. Në vitin 2018 ndotja nga pluhuri i imët ishte rreth 25 mikrogramë për metër kub. Deri në fund të vitit 2022 ajo ra me më shumë se 20 për qind. Ajri po bëhet më i pastër edhe në qytetet fqinje si Katovice, Glivice dhe Tychy si dhe Poznań dhe në kryeqytetin Varshavë.
Autoritetet polake kishin vendosur të modernizojnë sistemet e ngrohjes të shumë ndërtesave të banimit, të njohura zakonisht si “duhanpirës”. “Ne i quajmë ata “duhanpirës”, sepse prodhojnë shumë tym”, thotë Piotr Siergiej nga organizata për mjedisin Polish Smog Alert. “Rreth 800.000 janë zëvendësuar, por kanë mbetur edhe rreth 3 milionë. Është një proces i ngadaltë.”
Në vitin 2019 rajoni i Krakovit ndaloi ngrohjen me qymyr dhe dru në ndërtesat e banimit. Ndërkohë janë ndërruar pothuajse të gjitha sistemet e vjetra të ngrohjes.
Si ndikon opinioni publik mbi ndotjen e ajrit te politika?
Para dhjetë vjetësh, kur flitej për ndotjen e ajrit në Poloni, njerëzit thonin se “nuk ishte ndonjë problem i madh”, thotë Siergiej. “Pra, suksesi më i madh është ndryshimi i perceptimit.” Ligji, sipas tij, është i rëndësishëm, por politika do të bëjë vetëm atë, që duan zgjedhësit.
Në Itali ka një problem të ngjashëm, komunikimi midis shkencës dhe jetës së përditshme: “Njerëzit nuk e kuptojnë problemin e ndotjes së ajrit. Ngaqë shpesh nuk e sheh, nuk i njeh efektet e tij”, thotë ambientalistja Gerometta.
Por gjërat janë duke ndryshuar. Rreth gjysma e popullsisë së Evropës beson se cilësia e ajrit të tyre është përkeqësuar gjatë dekadës së fundit. Ky ishte rezultati i një sondazhi të Eurobarometrit nga viti i kaluar.
Shumica e njerëzve në BE i shohin sëmundjet e frymëmarrjes, që shkaktohen nga ndotja e ajrit, si një problem serioz. Shumë të anketuar deklaruan se nuk ishin të informuar mirë për standardet aktuale. Por shumica dërrmuese e atyre, që e konsiderojnë vetën të informuar, mendon se duhen forcuar rregullat e cilësisë së ajrit./ DW
j.l./ dita