Karakteristikat e Dashit sipas Linda Goodman


Dashi ka të lindur një aspekt të pafajësisë dhe besim të përjetshëm, të gëzueshëm, naiv, përzier me zellin e verbër të revolucionarit të lindur. Metali i tij është hekuri dhe forca e pathyeshme e tij i jep Dashit nëntë jetë më shumë se të tjerët dhe nëntë herë më shumë shanse për të fituar betejën. Zjarri që djeg shpirtin e tij mund të jetë një pishtar i zjarrtë, që ndriçon rrugën për të inkurajuar këdo që njeh idealizmin e tij të madh.
Ai është pionieri, gjithmonë në krye për të drejtuar të tjerët drejt një qëllimi të pamundur. Besimi i tij i hekurt është i pastër dhe i papërzier më elementët e hipokrizisë dhe lakmisë.

Dashi është shenja e parë e zodiakut. Kjo shenjë përfaqëson lindjen, ashtu si Peshqit përfaqësojnë vdekjen dhe ndërgjegjen. Dashi është i vetëdijshëm vetëm për veten e tij. Ai është i mituri i zodiakut – foshnja e porsalindur – duke thithur plotësisht gishtërinjtë e duarve dhe këmbëve të tij. Nevojat e tij vijnë të parat. Një të mituri nuk i intereson nëse prindërit apo fqinjët e tij janë duke fjetur. Kur ai është i uritur ose i lagur, ai qan nga sikleti. Ai dëshiron biberonin e tij dhe t’i ndërrohet pelena me çdo kusht. Kur personi Dash ka një ide apo diçka që ai dëshiron ta nxjerrë nga mendja e vet, ai do t’ju marrë në telefon në katër të mengjesit pa u ndjerë në siklet fare. Pse mos të jeni ju zgjuar për ta dëgjuar atë? Ai është zgjuar. Vetëm kjo ka rëndësi. Atë që e dëshiron ai e merr.

Ashtu si një i mitur, Dashi është i shqetësuar për botën vetëm për mënyrën sesi bota lidhet me veten e tij. Por kush mund ta quajë foshnjën e vogël egoiste? Ai është plotësisht i gatshëm që t’i dhurojë buzëqeshjet e tij bujare për ata që kënaqin kërkesat e tij. Është e vështirë t’i rezistosh një fëmije të vogël, sepse ai është plotësisht i paditur që po shkakton edhe bezdinë më të vogël te të tjerët. Pra, ky është Dashi. Pafajësia e tij zbut agresivitetin, ashtu si pafajësia e një të porsalinduri e bën më të butë egoizmin e tij.

Ky naivitet çarmatosës është edhe arsyeja pse njerëzit Dash janë kaq të patrembur. Fëmija nuk frikësohet nga asgjë dhe askush, derisa të digjet. Madje edhe atëherë, ai do të përpiqet përsëri në mënyrë të sigurtë, pasi ta ketë harruar dhimbjen e plagës. Nuk ka asnjë gjurmë të lajkave dhe të dinakërisë te një Dash, ai do të mbetet i tillë gjatë gjithë jetës së tij: Gjithmonë duke besuar me gjithë zemër, gjithmonë duke u rrëzuar dhe duke u ngritur përsëri për ta provuar edhe një herë. Dashi mund të besojë sot për nesër dhe të thurrë ëndrra të pabesueshme, por ai nuk mund të thotë as një gënjeshtër të bardhë.

Ajo cfarë ju shihni kur keni një person Dash përpara jush është çfarë ai është në të vërtetë. Nuk ka asnjë gjë të fshehtë apo të komplikuar rreth tij. Ai është po aq i cënueshëm dhe i pafuqishëm sa një foshnje.

Kur njerëz më të rritur dhe më të fuqishëm e detyrojnë atë ose i marrin gjërat e tij, Dashi reagon në të vetmen mënyrë që di – duke bërtitur dhe duke shkaktuar kaq shumë shqetësim, sa njerëzit dorëzohen vetëm për të patur pak qetësi. Ai nuk ka nevojë për strategji “delikate”. Mushkeritë e fuqishme dhe këmbëngulja e lindur i japin mundësi të funksionojë në këtë mënyrë.

Është shumë e rëndësishme të njohim pamjen fizike të Dashit. Njerëzit e shenjës së Dashit kanë tipare të mirë vendosura, zakonisht të mprehta, rrallë të buta ose të paqarta. Ju mund të vini re që vetullat shpesh bashkohen me urën e hundës, duke formuar shenjën e brirëve të dashit, ndoshta si një paralajmërim për të ndaluar këdo që mund ta cënojë atë. Ju gjithashtu mund të ndjeni shkëndija të padukshme në të gjitha anët. Lëvizjet zakonisht i ka të shpejta dhe të prera, në përputhje me proçesin mendor. Personat Dash, qoftë burra apo gra, zakonisht kanë shpatulla të gjera dhe mund të ecin me trupin pak të kërrusur përpara, duke udhëhequr me kokë, gati për të folur dhe pothuajse gjithmonë janë me nxitim të madh. Struktura e kockave është e mirë dhe e fortë, dhe pak njerëz Dash mund të rrëzohen. Qëndrimi i tyre reflekton egon e tyre shumë të lartë dhe dhe vetëbesimin. Nëse ju shikoni një person Dash me supet e ulura, ai ndoshta është një lloj deleje, i cili ishte lënduar keq në ego, kur ishte më i ri. Atij mund t’i duhet disa kohë të shërohet, nëse plagët janë të thella, por ai do të ngrihet dhe do t’i drejtojë supet një ditë. Ju mund të mbështeteni tek ai. Asgjë nuk i mban këta njerëz të rrëzuar, aq më pak dështimi.

Personi që udhëhiqet nga planeti Mars do t’ju shikojë drejt e në sy, me ndershmëri dhe besim të palëkundur. Ju jeni miku i tij, apo jo? Ju e pëlqeni atë, apo jo? Jo? Atëherë lotët do të fillojnë të rrjedhin, por brenda shpirtit të tij ai kurrë nuk do ta tregojë lëndimin hapur. Nëse e shikoni atë duke qarë, të jeni të sigurt se atij i është copëtuar zemra në një farë mënyre. Personat Dash do preferonin t’i kapnin të vdekur, sesa t’i gjenin të “dobët” dhe të “lënduar”.

Dashi rrallë shikon me nervozizëm nëpër dhomë. Kur e bën këtë, ai nuk është më i interesuar për të folur me ju. Diçka tjetër ka kapur vëmendjen e tij dhe për momentin, juve ju ka harruar, bashkë me ato që ishit duke thënë. Por mos u ofendoni. Mbani mend cfarë thamë për foshnjën që luan me duart dhe këmbët.

Ai padyshim do të jetë në krye të karrierës profesionale që ka zgjedhur apo i përfshirë në një profesion të vetin. Nëse ai nuk është në një situatë të tillë, atëherë ju mund ta dalloni lëhtësisht atë nga pakënaqësia që shpreh kur të tjerët i imponohen në ambientin e punës. Ju mund të shikoni te Dashi një qëndrim liberal dhe bujari të madhe si me kohën ashtu edhe me gjërat materiale. Gjithashtu edhe një dëshirë të dukshme për të udhëhequr të gjitha marshimet – duke trumbetuar me zë të lartë. Por mos kërkoni për finesë, takt apo përulje. Ai nuk dallohet për durim të madh. Në një lokal, ai shumë shpejt do të kritikojë kamarierin dhe sanduiçin, nëse kamarieri është i ri në punë dhe sanduiçi nuk eshtë i freskët. Por ai ndoshta do të lërë një bashkish shumë të madh kur shërbimi të jetë i mirë.

Dashi është shumë i drejtpërdrejtë, për të qenë i butë. Mashtrimi dhe dredhia janë krejtësisht të huaja për natyrën e njerëzve që udhëhiqen nga Marsi. Sinqeriteti dhe ndershmëria janë tiparet dalluese të personave Dash, por sërish nuk e bëjnë atë të ketë besueshmërinë më të mirë. Disa prej tyre u mungon stabiliteti ashtu si tek fëmija mungon përgjegjësia. Edhe ata që janë më të pjekur, mund të harrojnë borxhet nga entuziasmi i momentit , i cili gjithmonë merr gjithë vëmendjen e tyre. Përfundimisht do t’i paguajnë borxhet e tyre me dëshirë, por juve mund t’ju jetë marrë fryma për t’i arritur ata.
Ndonëse Dashi është një njeri i guximshëm që e drejton jetën e tij përmes sfidave dhe iniciativave, ka dicka të çuditshme në trimërinë e tij. Ai nuk e duron dot dhimbjen fizike. Dashi asnjëherë nuk është një frikacak moral, por mund të bëhët një qaraman për cdo gjë që i dhemb fizikisht. Dentisti nuk është një nga njerëzit e tij të preferuar.

Çdo Dash, në një moment të jetës së tij, do të përfshihet në një sjellje të nxituar që do t’i shkaktojë një lëndim në kokë apo fytyrë. Gjithashtu të prerat dhe vragat, kanë të ngjarë të ndodhin, si dhe dhimbje te kokës të forta apo edhe migrena, të cilat mund të jenë si rrjedhojë e infeksioneve në veshka. Dashi është aq i zgjuar sa të kujdeset për shëndetin e vet, për dietën, për shikimin, për dhëmbët si dhe të qëndrojë larg alkoolit. Skuqjet e lëkurës, dhimbjet e gjunjëve dhe çrregullimet e stomakut , prekin më shumë të lindurit në fund të Marsit ose në fillim të Prillit.

Konstrukti i Dashit është i fortë, nëse ai nuk e keqpërdor, gjë që zakonisht ndodh duke e injoruar atë. Kur e shihni të shtrihet në shtrat pa thënë shumë fjalë, e dini se ai është me të vërtetë i sëmurë. Edhe në këtë gjendje, mund të duhen pranga për ta mbajtur shtrirë. Ai mund të përballojë temperatura shumë të larta, të mjaftueshme për të vënë poshtë një njeri të zakonshëm dhe këtë e arrin përmes kokëfortësisë për t’i bërë gjërat sipas mënyrës së tij. Padurimi dhe frustrimi janë shkaku i vërtetë i problemeve të tij të shëndetit. Reagimi i tij ndaj vonesave mund ta çojë drejt sëmundjeve dhe kultivimi i vetëdijëshëm i durimit dhe reflektimit të kujdesshëm, do ta mbajë doktorin larg prej tij. Jo se ai do të marrë parasysh një këshillë të tillë. Ai prej vitesh i qëndron larg mjekut, derisa vjen një moment që ndihet shumë keq ose arrin një moshë ku bëhet më i ndjeshëm nga problemet shëndetësore. Nuk ka rrezik të madh që një Dash të bëhet i varur nga droga. Zakonisht, një Dash nuk pranon të marrë asnjë kokërr qetësuesi për gjumë, sepse preferon të rrijë zgjuar sa më shumë të jetë e mundur. (Ka frikë se mund të humbasë diçka në kohën që është në gjumë).

Për shkak të optimizmit të tij të madh, Dashi (së bashku me shenja të tjera të zjarrit, Luani dhe Shigjetari) rrallë bie viktimë e sëmundjeve kronike – për të cilat astrologjia gjithmonë ka thënë dhe shkenca mjekësore e ditëve të sotme ka kuptuar, se intensifikohen nga melankolia dhe pesimizmi. Shenjat e zjarrit janë më të ndjeshëm ndaj etheve, infeksioneve të ndryshme, presionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve akute.

Mund të thoni ç’të doni për impulsivitetin e tij, por Dashi rrallë herë bie në depresion. Farat e depresionit, edhe në qoftë se do të mbillen, do të thahen shpejt në një tokë si të Dashit. Por ideja fikse që ka Dashi, se askush nuk mund t’i bëjë gjërat aq me efikasitet sic i bën ai, mund ta çojë atë në shumë fatkeqësi, njëra pas tjetrës. Ai do të vazhdojë të veprojë sipas skemave të tij me besim dhe nxitim, pa kuptuar që është duke dëmtuar shëndetin, kryesisht duke shkaktuar probleme me stomakun dhe me sistemin nervor. Të paktën, asnjë nuk mund ta akuzojë se është njeri dembel apo përtac.

Për shkak të natyrës së tyre të çiltër, hiletë ose strategjitë janë të pamundura për këta njerëz. Njerëzit të cilët kanë arritur në krye me punë dhe vështirësi, janë të durueshëm dhe e justifikojnë Dashin e rrëmbyer, i cili mendon se di më shumë, pavarësisht eksperiencës së pakët. Personi i Dashit e mëson modestinë dhe përuljen, vetëm pas shumë dështimeve të mjera dhe të dhimbshme. Por pasi ta mësojë këtë, ai mund të bëjë lëvizje të sakta dhe të marrë vendimet e duhurabnë mënyrë intuitive, si dhe të japë ide krijuese. Ai arrin pozicionin e lidershipit, vetëm duke respektuar së pari ata që janë sipër tij në nivel dhe pozicion, por kur suksesi vjen, ai është normalisht shumë i madh dhe mbresëlënës. Çuditërisht, shumica e njerëzve të shenjës së Dashit, shpesh krijojnë pasuri për të tjerët, sesa për veten e tyre. Shumë prej tyre, paguajnë qera pjesën më të madhe të jetës së tyre dhe rrallë kanë në pronësi shtëpinë e tyre. Duket sikur atyre nuk u thyhet shpirti, pse paraja nuk shkon tek ta, ndoshta për shkak se ajo që kërkon Dashi, nuk është domosdoshmërisht e lidhur me lekët dhe nuk ndodhet në bankë.

Megjithëse Dashi ecën përpara me besim, duke mos u merakosur shumë për ndjenjat e të tjerëve dhe qëndrimi i tij, veçanërisht në rininë e hershme është “unë në fillim”, ai mund të jetë shenja më bujare dhe më e përzemërt nga të gjitha shenjat e tjera të zodiakut. Ai nuk është aspak mizor. Thjesht beson me sinqeritet, se ai mund të bëjë çdo gjë më mirë se kushdo tjetër. Jepini atij mundësinë për të zgjedhur midis parave dhe lavdisë dhe ai do të zgjedhë pa mëdyshjen më të vogël lavdinë. Ai është po aq i dhënë pas lekëve, njësoj si njerëzit e tjerë, por tërheqja e tij drejt lavdisë dhe famës është pak më shumë e fuqishme. Dashi ka një mënyrë të vetën, për të marrë vendime të menjëhershme, pa autorizimin e eprorëve të tij. Fjalimi i tij mund të jetë me nota satire dhe i prerë. Zemërimi i Dashit mund të shfaqet me shpejtësinë e zërit, por ai zakonisht zhduket, para se viktima e radhës të kuptojë se çfarë po ndodh dhe fëmija i lumtur Dash, me buzëqeshjen në fytyrë kthehet mënjëherë. Por kur Dashi injorohet dhe nuk i kushtohet vëmendje, ai tërbohet nga zemërimi, njësoj siç mund t’i thyhet zemra kur humbet mundësinë për të shijuar magjinë e mrekullisë së Botës së Çudirave të Disney-it.

Njerëzit e udhëhequr nga planeti i Marsit, akuzohen shpesh se kanë një një temperament të tmerrshëm. Ata realisht e kanë këtë temperament. Por ata gjithashtu janë komplet të paaftë për të qëndruar të zemëruar për një kohë të gjatë dhe sapo ankesa e tyrë është shprehur, harrohet edhe inati i tyre. Ai lëndohet dhe befasohet që ju ende i mbani mend fjalët e nxituara që ai tha, por të cilat nuk i kishte me gjithë mend. Nëse i jepet mundësia, Dashi do t’i kërkojë falje edhe armikut të tij më të keq, pavarësisht kërcënimeve të tmerrshme që ai bëri në momentet e zemërimit. Ai kërkon që të tjerët ta falin, edhe kur ata refuzojnë ta dëgjojnë atë. Njerëzit e Dashit rrallë zemërohen me individët. Juve mund t’ju prekin shkëndijat e zjarrit, por në fakt shigjetat janë për idenë e gabuar apo situatën e patolerueshme për Dashin.

Dashi është në gjendje të paktën të përpiqet për të thënë një gënjeshtër të vogël të bardhë, në qoftë se ajo do ta ndihmojë të shpëtojë atë ose një nga idetë e tij, por shumicën e kohës, ai ka shumë pak shanse ta përdorë gënjeshtrën, sepse ajo zbulohet pothuajse gjithmonë. Sinqeriteti dhe e vërteta është më e shpejtë dhe duke qenë se interesi kryesor i tij është të arrijë në një pikë me nxitim, ai preferon të thotë të vërtetën. Ai nuk ka kohë për t’u marrë me thashetheme. Kjo përfshin edhe diskutimet për të tjerët dhe Dashi është shumë i dhënë pas vetes së vet, për të harxhuar energji dhe kohë duke spekuluar për sekretet e fshehta, sjelljet apo qëllimet e njerëzve të tjerë. Përveç kësaj, njerëzit zakonisht janë ose të zinj ose të bardhë për të. Ai nuk merret dhe as merakoset për ngjyrat e grisë. Megjithatë, mos e ngatërroni këtë me paragjykimin. Nëse ai ka ndikime të mëdha planetare në tabelën e tij të lindjes, mosrespektimi i Dashit impulsiv ndaj fakteve, mund të shfaqet në formën e mizorisë apo paragjykimit, por kjo është jashtëzakonisht e rrallë. Dashi tipik do të darkonte si me lypësat, njësoj edhe me mbretërit, me lehtësi të barabartë dhe dashuri të mirëfilltë. Çdo etiketim që i vendoset lidhur me paragjykimet, vjen nga tendenca e tij për t’i ndarë njerëzit në dy kampe- shokët dhe armiqtë e tij dhe ai do të presë që edhe ju t’i shikoni dhe ndani njërëzit sipas këndvështrimit të tij.

Pavarësisht guximit të tij tronditës, Dashi gjithashtu mund të jetë mishërimi i elegancës dhe hijeshisë sociale. Ai mund të bisedojë me orë të tëra, në një mënyrë emocionuese dhe interesante, mbi tema rreth të cilave ai mund të dijë shumë pak ose aspak. Ka shumë sipërfaqe të lustruar, për të mbuluar agresivitetin e Marsit. Durimi me detajet nuk është pika e tij e fortë. Ai preferon t’ua lërë të tjerëve të dhënat e vogla, të papërfillshme, pasi këto janë çështje shumë delikate për të. Dikush tjetër mund t’i trajtojë ato me më shumë efikasitet. Koha e kaluar duke analizuar faktet, është e harxhuar kot për Dashin, sepse atij nuk i hyjnë në punë mësimet e djeshme dhe e nesërmja është shumë larg për t’u shqetësuar për të. E sotmja është vendbanimi i tij natyral. Kjo orë dhe kjo minutë. Ai konsumohet tërësisht në veprimet e së tashmes.

Njerëzit e udhëhequr nga Marsi, janë të paaftë për të pranuar humbjen. Ata nuk do ta pranojnë atë edhe kur t’ju përplaset në fytyrë. Ata janë optimist të pashërueshëm lidhur me rezultatet përfundimtare në fund të çdo gjëje, që nga dashuria deri te një ndeshje futbolli. Duke qenë shumë të zgjuar në beteja, njerëzit e shenjës së Dashit ndeshen me kokat e tyre, që do të thotë me mendjet e tyre. Ata i gëzohen pozicionit të të qënit kundër, për shkak të sfidës që ajo paraqet dhe do të vazhdojnë rrugën e tyre për të zgjidhur një pengesë, përpara se ajo të vijë te ata. Ata nuk presin që suksesi të bjerë në rrjetën e tyre, përkundrazi, do ta ndjekin atë me një ritëm të furishëm. Kjo është arsyeja, pse ju do të gjeni shumë pak persona të Dashit në listat e ndihmës nga shteti.

Fusha e politikës është e vështirë për një Dash mesatar. Aq më tepër, që ai nuk është një ekonomist shumë i mirë. Pastaj, ai është impulsiv në fjalimet e tij dhe e urren të dredhojë, dy tipare këto, thelbësore për një politikan. Shumica e politikanëve presin për të parë se çfarë njerëzit duan, para të prezantojnë pozicionin e tyre. Dashi tipik ka idetë e tij, rreth asaj cfarë njerëzit kanë nevojë, pa u shqetësuar për atë që ata duan dhe ai arrin ta shohë sesi njerëzit do ta marrin atë, më shpejt sesa është politikisht e leverdisshme.

Megjithatë, ai është kaq shumë idealist, sa që sapo një Dash shfaqet para publikut, ai e ndez imagjinatën e tyre dhe i bën ata të besojnë në veten e tyre përsëri. Por shumica e njerëzve te shenjës së Dashit, janë zakonisht më të lumtur në biznes apo në artet kreative, ku ata janë shumë të nevojshëm. Të tjerët mund të shkëlqejnë në planifikimin e strategjive. Mendjet e ftohta dhe mendjet praktike, mund të jenë më të mirë dhe efikase në organizim. Por pa veprimet e drejtpërdrejta, energjinë dhe origjinalitetin e Deshve, projektet më të mira, nuk do të përparojnë sa duhet ose mund të dështojnë.

Vetëm pasi të fitoni interesin e tij – nëse keni shumë fat – ai do tju dëgjojë me vëmendje, veçanërisht në qoftë se idetë tuaja janë emocionuese dhe përparimtare. Ai do t’ju promovojë ju maksimalisht dhe do tju ofrojë kohën dhe paratë e tij, simpatinë dhe besnikërinë. Kur ju jeni i shtruar në spital, ai mund të harrojë t’ju dërgojë një kartolinë, por ai mund të prenotojë spitalin për ju, t’ju cojë vetë deri aty dhe t’ju rekomandojë tek mjeku i tij (i cili do të jetë padyshim më i miri). Pasi t’ju ndihmojë ju, në këtë periudhë të vështirë të jetës suaj, Dashi do të largohet kilometra të tërë larg, pa hezitimin më të vogël. Por ju lutem, tregoji mirënjohjen tuaj. Ai do të lëndohet thellë, ose ndoshta do të zemërohet, kur ju nuk i vlerësoni veprimet e tij të fuqishme, të cilat shkojnë përtej thirrjes së detyrës dhe ndoshta edhe përtej asaj që keni patur nevojë ose keni kërkuar. Ai gëzon të bëjë favore dhe ndere; sa më e madhe bamirësia, aq më i mirë gjesti. Nëse falenderimet vonojnë, ai me shumë gjasa nuk do ta ndihmojë përsëri personin në fjalë.

Personalitete të famshme të shenjës së Dashit

Dean Acheson, Bismarck, Marlon Brando, Charles Chaplin, Ilka Chase, Julie Christie, Joan Crawford, Gimbel Harry ,Houdini, Henry James, Thomas Jefferson, George Jessel, Nikita Krushchev, Clare Boothe, Henry Luce, Eugene McCarthy, Andrew Mellon, JP Morgan ,Wayne Newton, Lily Pons ,Joseph Pulitzer, Vincent Van Gogh, Wemher von Braun, Tennessee Williams, Rosie-Huntignton Whitely, Lady Gaga, Mariah Carey, Reese Witherspoon, Sarah Jessica Parker, Celine Dion etj.


Like it? Share with your friends!