Karburante, toka e apartament/ Sekuestrohet pasuria e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese e dy ish-gjyqtarëve


SPAK ka sekuestruar pasurinë e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, ish-gjyqtarit të Gjykatën e Lartë, Shkëlzen Selimi dhe ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, të cilët janë emra të njohur të fushës së drejtësisë.

Fatos Lulos iu sekuestrua dyqani me sipërfaqe 172 m2, në rrugën e Durrësit në Tiranë.

Bashkim Dedjas iu sekuestrua apartamenti me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj në Golem të Kavajës.

Shkëlzen Selimit iu sekuestrua trualli me sipërfaqe 432 m2 dhe karburanti 132.25 m2 në shëtitoren e Lungomares në Vlorë. Gjithashtu truall sipërfaqe 2400 m2, e përbërë nga bashkim pasurish, në Jonufër të Vlorës, në pronësi të Kujtim Selimit dhe një truall tjetër me sipërfaqe 764 m2 dhe karburant me sipërfaqe 57 m2 në rrugën Transballkanike në Vlorë, në pronësi të të afërmit të tij, Kujtim Selimi.

NJOFTIMI I PLOTË

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 7.5.2020 regjistroi procedimin penal nr.137 për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal.
Duke qënë se shtetasit Fatos Lulo (ish – gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish – Kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish – gjyqtar në Gjykatën e Lartë), janë hetuar, për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 257a/a/2 të Kodit Penal, dhe për këtë arsye në bazë të nenit 3/1, gërma (d), të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ata janë dhe subjekte të këtij ligji.

Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesat përkatëse për sekuestrimin e pasurive në zotërim/pronësi të këtyre tre subjekteve.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.7, datë 20.4.2021, vendosi:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
• Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Fatos Lulo, me sipërfaqe 172 m2, e llojit Njësi/Dyqan, e ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.8, datë 20.4.2021, vendosi:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
• Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Bashkim Dedja, e llojit apartament, me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.

III. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.10, datë 23.4.2021:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur, masën e sekuestros mbi pasuritë në pronësi/zotërim të shtetasit Shkëlzen Selimi, si vijon:
1/2 (50%) e pasurisë e llojit truall 432 m2 dhe objekt 132.25 m2 Karburant/Pikë Tregëtimi, me vendodhje Shetitore Lungomare, Vlorë, në pronësi të shtetasit Shkëlzen Selimi
2. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 2400 m2 (pasuri e përbërë nga bashkim pasurish), e ndodhur Jonufër, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi.
3. 55% e pasurisë e llojit truall, me sipërfaqe 764 m2 dhe godinë me sipërfaqe 57 m2, Karburant, e ndodhur në Rrugën Transballkanike, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi.

Top Channel


Like it? Share with your friends!