Nga Rita Shkurtaj
Në tetorin e letërsisë, lexuesit shqiptar patën rastin të njihen me shumë botime të zhanreve të ndryshme, duke filluar nga botimet poetike, deri tek ato shkencore, të poetëve, shkrimtarëve dhe studiuesëve të afirmuar shqiptar.
Falë kontakteve të punës dhe studimeve të thelluara, kam marrë me dhjetra ftesa për t’u bërë pjesë e prezantimit të këtyre librave, të cilat dita ditës po pasurojnë fondin e librarive të shkruar, në letërsinë shqiptare.
Nisur nga fusha studimore që studioj, një vëmëndje të shtuar për mua kanë patur ato me baza shkencore, të cilat klasifikohen si burime të Historiografisë Shqiptare, ndër të cilat do të veçoj “Kelmendi…dritë hije” (refleksione), të autorit Rush Dragu, i prezantuar për publikun me datë 28. 10. 2023, në sallën e konferencave pranë Hotel Rozafës në Shkodër.
Në prezantimin e këtij libri pata nderin të jemë pjesë e foltores, për të mbajtur edhe një kumtesë, lidhur me këtë dorshkrim të pasur me fakte e dëshmi historike dhe të dhëna të rëndësishme kulturore, gjë për të cilën dua të falenderoj autorin dhe gazetaren Kozeta Bruçi, organizatorë të kësaj veprimtarie letrare, për ftesen dhe vlersimin.
Falë respektit dhe kontributit të z.Rush Dragu në vite, në jetën politike, sociale e kulturore në Kelmend e më gjërë, pjesëmarrja e publikut ishte e jashtëzakonshme, aq sa mund të quhet ndër të rrallat sa i takon këtyre veprimtarive.
Libri “Kelmendi…dritë hije” me refleksione të Rush Dragut, mbart një vlerë të shtuar për krahinën e Kelmendit, por edhe për vetë autorin, pasi në të përmblidhet puna e 25 viteve, hulumtim dhe përkushtim, në studime të thelluara, për të mbledhur materiale të rëndësisë së veçantë, që lidhen me Kelmendin dhe kelmendasit, në kohë e në hapsirë.
Ky punim ka veçori dalluese jo vetëm për nga përmbajtja, por edhe nga metodika dhe didaktika e përdorur në hartimin e këtij teksti. E gjithë përmbajtja e tij shtrihet në 15 kapituj dhe në rreth 80 nënkapituj, ku lexuesi do të njihet me një kronologji faktesh historike, të cilat datojnë që nga antikiteti e deri në ditët tona.
Në këtë libër, lexuesi në mënyrë të tërthortë, do të njihet edhe me kontributin e z. Rush Dragu, pasi një pjesë e këtyre ngjarjeve lidhen me veprimtarinë e tij në Kelmend, vite më parë, çka e ka favorizuar për të patur gjithë këtë panoramë të pasur mbi vlerat dhe të vërtetat e kësaj treve të memorizuar në kujtesën kolektive të malësorëve kelmendas dhe frëngjinjëve shekullor të kullave alpine, në votrat e të cilave u përkunden djepa kreshnikësh, kudo në Bjeshkëve të Kelmendit. “Kelmendin…dritë hije” me refleksione të Rush Dragut, guxoj ta quaj libër shkencor, për faktin se ky studim është mbështetur mbi një bibliografi të pasur me referenca, ndër të cilat mund të veçoj buletinet shkencore, si Kumtari i Muzeut Popullor në Shkoder, nr.2 dhe 5, Kanuni i Lek Dukagjinit, Historia e Shqipërisë – vëllimi i dytë, Brenga e Ballkanit e Durhamit, Kultura Popullore, Kryengritja e Malësisë së Madhe e Romeo Gurakuqit, Fiset Shqiptare të Robert Elsies etj., të cilat janë një vulë e qartë e punës kërkimore të autorit.
Bibliografia e pasur me 30 referenca, bën që ky liber të dominojë si punë kërkimore shkencore ndaj ngjarje dhe fakte të mbështerura mbi trashëgiminë gojore, apo gojdhëna folklorike të mbledhura në terren.
Nga ana tjetër ky libër merr karakter referues për secilin studiues, që punën e vet shkencore e ka të orjentuar mbi këtë krahinë apo lokalitet. Në mungesë të referencave për kërkime specifike, fare mirë studiuesi mund të mbështetet tek ky libër, duke përdorur metodën e krahasimit, sidomos në rastet kur nevojiten të dhëna të përaferta, sikurse ato që lidhen me folklorin, traditat dhe ngjarje historike. Gjithashtu ky libër i mbështetur mbi gjithë këtë literaturë, si dhe burime institucionale shtetërore, dëshmon për një përmbajtje të pasur me dëshmi të sakta arkivore, të cilat për secilin kelmendas që përmendet në mënyrë direkte apo indirekte në këtë libër, mund të ruhet si një pasuri shpirtërore dhe t’u trashëgohet brezave.
Me një vlerësim dhe konsideratë të lartë për autorin dhe punën e tij, ftoj lexuesit ta lexojnë dhe ta vlerësojnë këtë punë të çmuar të autorit malësor Rush Dragu.
“Kelmendi…dritë hije” me refleksione të z.Rush Dragu, në këtë tetor të letërsisë së Shqipërisë, përmbushi me dinjitet edhe dritë hijet e letërsisë në Malësi të Madhe, ndaj me shumë konsideratë në emrin tim dhe të ACTV – NY i urojmë shumë suksese në punën dhe aktivitetin e tij mediatike si një përçues i denjtë i vlerave tona kulturore kombëtare.
Nëntor 2023