“Këpucët e Kuqe” është fushatë sensibilizimi kundër dhunës së grave në familje dhe shoqëri. Kjo fushatë e ka fillesën në vitin 2009 dhe shumë qytete të mëdha në botë kanë mbushur sheshe të tërë me qindra këpucë të kuqe ose të lyera me të kuqe, si një simbolikë për gjakun e derdhur të femrave.
Teatri “Aleksandër Moisiu” Durrës do të sjellë një maratonë xhirimesh me 8 histori të vërteta të disa grave shqiptare, të cilat kanë humbur jetën ose kanë përjetuar dhunë. Pamja e këtyre videove do të jetë një skenë e mbushur me këpucë të kuqe. Më pas të gjitha këpucët e kuqe ose të lyera me të kuqe, do të vendosen me datë 8 mars në shkallët midis Prefekturës Durrës dhe Galerisë së Artit Pamor “Nikolet Vasia”.
Këto video do të xhirohen më datën 27 shkurt, ndaj teatri i Durrësit, por jo vetëm, bën thirrje për grumbullimin sa më të shpejtë të këpucëve:
“A ke një palë këpucë të kuqe që nuk i vesh më? A ke një palë këpucë që nuk të duhen më? A e di që shoqja jote ka shumë palë këpucë e i mban kot? Ju ftojmë t’i sillni në Teatrin ” Aleksandër Moisiu” çdo ditë, duke u bërë kështu pjesë e fushatës sensibilizuese kundër dhunës ndaj gruas.“