Luani, parashikimi i muajit Qershor 2020


Parashikimi i muajit, ashtu si edhe parashikimi ditor, është i përgjithshëm dhe mund të mos i përshtatet që të gjithëve prej jush. Ky interpretim planetar i muajit Qershor vlen për njerëzit që kanë Diellin në Luan, Hënën në shenjën e Luanit, dhe sidomos për ata që kanë ashendenten në shenjën e Luanit. Për të gjitha shenjat ekzistojnë të njejtat lëvizje planetare në qiell por ndryshimi është këndvështrimi i shenjës i cili interpretohet çdo muaj. Në këndvështrimin e Luanit, këto janë pasojat apo rrjedhojat e secilës lëvizje të rëndësishme planetare këtë muaj.

Dielli është në shenjën e Binjakëve deri më datë 20 Qershor. Ëndrrat tuaja më të mëdha janë në vëmendjen e Diellit tani. Mund të ndjeheni më të lumtur, me zemër më të lehtë dhe të jeni më socialë se zakonisht. Do rrisni rrethin tuaj shoqëror gjatë kësaj periudhe. Do jeni shumë të fokusuar tek qëllimi juaj dhe do e arrini nëse vazhdoni kështu. Ju premtohet një muaj i gjallë, me shumë interes. Do merreni me gjëra që nuk janë të zakonshme dhe idetë do i keni shumë origjinale dhe progresive. Ky është muaji për të ndjekur ëndrrat, idealet dhe për të mbjellë farën e të ardhmes.

3 Qershor: Afërdita do rilind në shenjën e Binjakëve, meqë bashkohet me Diellin në këtë datë. Do arrini të keni një qartësi të re mbi jetën tuaj romantike veçanërisht. Ky do jetë një moment i fuqishëm dhe do përfundoni me pastrimin tuaj emocional. Lexoni shumë dhe mos dëgjoni muzikë të kotë. Dëgjoni muzikë që nuk ju lodh, muzikë të ëmbël.

5 Qershor: Eklipsi i Hënës së plotë në shenjën e Shigjetarit. Do finalizohet nje çeshtje e rendesishme lidhur me dashurine, do vihen te gjitha pikat mbi i dhe cdo gje do jete e qarte edhe per ju edhe per personin tjeter.

18 Qershor: Mërkuri zmbrapset në Gaforre dhe do jetë i zmbrapsur në Gaforre deri më 12 korrik. Nevoja për tu tërhequr prej botës dhe për të gjetur qetësi do jetë shumë e fortë. Mund të fokusoheni drejt psikologjisë suaj të brendshme. Mërkuri mund t’ju sjellë mesazhe përmes ëndrrave. Mbajini shënim ëndrrat dhe mendimet apo idetë gjatë kësaj periudhe me Mërkurin e zmbrapsur pasi mund të jetë informacioni që ju duhet për tu bërë të vetëdijshëm. Mund t’ju duket sikur keni mbetur vetëm dhe nuk mund të mbështeteni askund. Mund të ndjeni pendime, mendime të tipit si është situata aktuale në krahasim me atë që mund të ishte po të kishit bërë një tjetër zgjedhje apo tjetër sjellje por tregohuni më të mirëkuptueshëm, më të dashur me veten. Edhe ky moment dyshimi do kalojë dhe do arrini të merrni vendimin e duhur dhe të ecni përpara.

Do ushqeheni më shëndetshëm. Do jeni më të vetëdijshëm dhe të ndjeshëm psikologjikisht. Meditoni, bashkohuni me shpirtin tuaj, lutuni.

20 Qershor: Dielli do vijë në Gaforre. Situatat apo gjërat që nuk kanë me dobi për ju në jetën tuaj (gjëra ose njerëz), do i lini pas. Energjinë do e fokusoni kryesisht në çështje personale dhe private. Sjellja juaj është introspektive pra do shikoni më shumë brenda vetes se njerëzit dhe gjërat përreth. Pushoni, reflektoni, dhe përgatituni për një cikël shumë aktiv kur Dielli të vijë në shenjën tuaj më datë 23 Korrik.

21 Qershor: Hëna e re në shenjën e Gaforres. Aftësia juaj për të eksploruar nënndërgjegjen tuaj do jetë e lartë në këtë moment, dhe bëni mirë ta përdorni informacionin që kuptoni pasi Hëna e Re e ardhshme me shumë do ndodhë në shenjën tuaj dhe do ju sjellë shumë aktivitet, ndërsa tani jeni produktivë por së brendshmi, jo shumë së jashtmi.

23 Qershor: Neptuni do zmbrapset në shenjën e Peshqve për 5 muaj. Mund të hasni disa sfida financiare ose sfida në çeshtjet e pronave që i keni të përbashkëta me të tjerë. Nga ana tjetër mund të vijë papritur një mbështetje financiare, ndoshta edhe në një mënyrë misterioze. Marrëdhëniet intime mund të jenë shumë të gjalla, me impakt shpirtëror por edhe pak konfuze. Nëse partneri ka financa të paqëndrueshme tani, kjo mund të ndikojë në financat tuaja. Bëni kujdes nga çdo gjë që i ngjan sado pak mashtrimit. Mos i jepni para hua askujt gjatë kësaj periudhe.

25 Qershor: Afërdita do drejtohet në shenjën e Binjakëve dhe do vazhdojë në shenjën e Binjakëve deri më 7 gusht. Gjatë kësaj periudhe lidhjet e reja por dhe komunikimi me njerëzit, nuk do jetë shumë emocional por mendor, fokusoheni më shumë tek inteligjenca se sa tek emocionalja. Mund të filloni të dilni me dikë që e keni patur shok; ose mund të jetë dikush që ju ka pëlqyer ose ajo/ai ju ka pëlqyer juve më parë dhe tani filloni t’i jepni zë pëlqimit tuaj. E përgjithshmja është që do përqafoni më shumë individualitetin se sa partneritetin romantik.

27 Qershor: Marsi do hyjë në Dash dhe do jetë në Dash deri më datë 6 janar 2021. Do bëheni shumë entuziastë gjatë kësaj periudhe. Shumë gjëra do i përjetoni në mënyrë të re. Mund të udhëtoni shumë larg. Do eksploroni jo vetëm vende të huaja por dhe mendime të reja, lexime të reja, kuzhina të reja dhe mund të takoni njerëz nga kultura të tjera. Do jetë periudhë e mirë për të mësuar diçka të re, shkolla do ecë shumë mirë. Rutinën do e flakni nga dritarja dhe do jeni shumë spontan.

30 Qershor: Jupiteri do lidhet me Plutonin për herë të dytë por të parafundit për këtë vit. Ngarkesa me punën ka qënë e tepërt ndërkohë që vlerësimi nuk ka qënë aty ku duhet, punësimi ka qënë më pak i sigurt seç keni menduar, stresi ka qënë i lartë, problemet me shëndetin kanë qënë më të ndjeshme se zakonisht dhe stresi nga bilanci që i bëni jetës suaj është shtuar. Kjo sepse Plutoni dhe Jupiteri ju ka fokusuar tek nevoja për organizim. Tani Jupiteri do jap kontributin e vet, do ju japë mundësinë për të mbledhur veten prandaj bëni një plan, ristrukturoni veten, pastroni veten nga çdo gjë të tepërt dhe kjo lehtësi e re do ju udhëheqë drejt një shtegi të ri. E keni vetë në dorë që të ruani fokusin e të ecni para, kjo do të thotë se duhet të ndryshoni zakonet e këqija që ju bëjnë të humbni kohë. Bëhuni produktiv me jetën tuaj. Mos lini asgjë të rëndësishme pas dore.

Qiell të mbarë.


Like it? Share with your friends!