Mbrojtja e të dhënave personale, rriten ankesat, ulen sanksionet


Zyra e Komisionerit për Mbritjen e të Dhënave Personale mori vitin e kaluar 308 ankesa të lidhura me mënyrën e përdorimit të këtyre të dhënave, shifër kjo në rritje për të tretin vit radhazi.

Sipas informacionit nga ky institucion, në 60% të ankesave të trajtuara, objekt i tyre është cenimi i së drejtës së subjektit të të dhënave personale për akses dhe ato në lidhje me marketingun e drejtpërdrejtë. Ndërsa, është konstatuar se një numër në rritje ankesash kanë lidhje me përpunimin e të dhënave personale nëpërmjet platformave online, sidomos, gjatë periudhës së pandemisë, e në vijim.

Gjatë vitit 2020, Zyra e Komisionerit realizoi 60 procese hetimi administrativ. Nga këto, 21 janë iniciuar mbi bazë të ankesave dhe 39 me nismën e institucionit, ndër të tjera, edhe të Rezolutës së Kuvendit. 15 hetime administrative janë realizuar në subjekte publik dhe 45 në subjekte private. Për shkeljet e konstatuara Komisionerit ka dalë me 18 vendime, të cilat korrespondojnë

me 37 sanksione administrative. Megjithë shtimin e ankesave dhe zgjerimin e problematikës së shpërdorimit të dhënave personale, sanksionet e ndërmarra nga ky institucion janë në rënie krahasuar me dy vitet e mëparshme. Duke qenë se vendimet e këtij institucioni nuk publikohen, i vetmi informacion i disponueshëm është ai në raportin vjetor për Kuvendin, që nuk jep detaje lidhur me subjektet e sanksionuara nga ky autoritet apo mbi natyrën e shkeljeve që kanë çuar në këto sanksione. Megjithatë, vititn e kaluar Komisionerit është shprehur veç të tjerash me 3 urdhëra për subjekte private, në lidhje me ndërprerjen e menjëhershme të përpunimit të të dhënave personale nëpërmjet sistemit të video-survejimit (CCTV), shkatërrimin e menjëhershëm të të dhënave të grumbulluara në mënyrë të paligjshme dhe ndërprerjen e menjëhershme të përpunimit të të dhënave personale te palë të treta.

Institucioni bën të ditur se një problematikë e konstatuar gjatë hetimeve administrative të realizuara është se në pjesën më të madhe të kontrolluesve publik, aspekti rregullator i mbrojtjes së të dhënave personale në proceset përpunuese përmes TIK është i veçuar nga rregullat për proceset e tjera përpunuese. Komisioneri rekomandon se institucionet e administratës shtetërore që ofrojnë shërbime në këtë sektor duhet të parashikojnë në mënyrë konkrete të gjitha proceset përpunuese me akte të mirëfillta rregullatore për garantimin e të drejtave të subjektit të të dhënave.

Gjithashtu, nga hetimet është konstatuar mungesë e njohurive ligjore dhe teknike dhe ndërgjegjësimi mbi detyrimet që parashikon në tërësi legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale. Një problematikë specifike është ajo që lidhet me marrëdhëniet kontraktore që institucionet publike lidhin me palë të treta për delegimin e shërbimeve të ndryshme, ku ofrimi i shërbimit lidhet me edhe përpunimin e të dhënave personale. Në këto raste, vërehen mangësi në adresimin e elementeve, detyrimeve dhe garancive ligjore në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale.

Në tërësi, lista e problematikave të evidentuara nga hetimet dëshmon mangësi dhe neglizhenca të mëdha në zbatimin e detyrimeve që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale, duke krijuar hapësira për rrjedhjen dhe përdorimin e paautorizuar të këtyre të dhënave./ E.Shehu

Monitor/


Like it? Share with your friends!