Më në fund çlirohemi nga çertifikatat! Qeveria miraton proçedurat e reja.


Dje Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për të lejuar printimin e certifikatave apo dokumenteve të tjera që i lëshojnë institucionet shtetërore në mënyrë elektronike.
Në mbledhjen e parë të kabinetit Rama II është kërkuar prej institucioneve përfshirja në rrjetin dixhital për t’i afruar prej aty shërbimin shtetasve shqiptarë.
Ndërsa për të garantuar autenticitetin e dokumentit do të ketë dhe një vulë elektronike të institucionit që e lëshon, duke siguruar saktësinë e të dhënave të aplikuesve.
Në fund të çdo dokumenti të marrë në formatin pdf, do të shënohet se “është lëshuar nga sistemi elektronik, referuar bazës së të dhënave shtetërore të institucionit lëshues”.
Aplikimi për një dokument do ti adresohet institucionit që administron bazën e të dhënave shtetërore, i cili gjeneron dokumentin administrativ elektronik.
Për shërbimet për të cilat aplikohet tarifë, do të krijohen mundësi për qytetarët që të kryejnë edhe pagesat on-line.
Për të ulur numrin e aplikimeve për dokumente, qeveria ka vendosur që institucionet të kenë akses në bazën e të dhënave.
Në këtë mënyrë, kur për shkak të procedurës administrative nevojiten dokumente të tjera të lëshuara nga institucione publike, vetë institucionet do të marrin të dhënat elektronikisht për çdo qytetar pa qenë nevoja për të aplikuar sërish nga këta të fundit.
Shkurtimi i numrit të dokumenteve dhe aplikimeve nga qytetarët shqiptarë ishte një zotim i Kryeministrit, i cili e ka konsideruar këtë praktikë si sorollatëse për njerëzit.


Like it? Share with your friends!