Presidenti Ilir Meta dhjetë përpara zgjedhjeve, ka nisur të japë deklarata që shkojnë në dëm procesit zgjedhor të 25 prillit, duke paralajmëruar një skenar që nuk do të njohë fituesin e tyre.
Në konferencën për shtyp nga selia e presidencës, Meta denoncoi atë që ai e quan skandalin me vjedhjen e identiteteve në zonën e Korçës, kryesisht në Pustec ku jeton komuniteti pakicë kombëtare maqedonase.
Sipas tij, personave me rekorde kriminale po u jepet identiteti i personave të pastër ligjërisht. “Si Presidenti i Republikës jam në dijeni me disa fakte që përbëjnë vepra penale dhe që mund të ndikojnë apo të venë në rrezik integritetin apo vetë rezultatin e zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor që zhvillohet në datën 25 Prill. Në qarkun e Korçës, në disa bashki të banuara kryesisht nga komuniteti pakicës kombëtare maqedonase, persona me rekorde kriminale, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, apo të përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe të ndjekur ndërkombëtarisht, janë pajisur me pasaporta dhe dokumente identifikimi nga autoritetet vendore. Jo me të dhënat e tyre por duke përdorur ato të personave të tjerë që nuk kanë probleme me ligjin. Pra, duke vjedhur të dhënat e tyre. Pra, shtetas të huaj apo shqiptarë janë pajisur me dokumente identifikimi të lëshuar nga gjendja civile shqiptare duke vjedhur identitetet e shtetasve shqiptarë me nënshtetësi maqedonase pa dijeni e tyre“, u shpreh ndër të tjera Meta.
Ai shtoi se “shtetas të huaj apo edhe shqiptarë janë pajisur me dokumente duke vjedhur identitetin e shtetasve të tjerë pa dijeninë e tyre. Për shkak se mbajtjes së dy shtetësisë së personit që i është marrë identiteti janë pajisur edhe në Maqedoni me dokumente. Ky rrjet është zbuluar në disa vende europiane. Origjina rëndon edhe në autoritetet përgjegjëse. Një pjesë e tyre janë pajisur fillimisht në Korçë dhe Pustec”.
Gjithashtu ai paralajmëroi edhe për një tjetër skenar, që sipas tij, po synohet manipulimi i zgjedhjeve në njësinë 10 në Tiranë, aty ku do të kryhet për herë të parë votimi e numërimi elektronik i zgjedhësve. Ai gjithashtu bëri të ditur se ditën e votimit do të jetë në Vlorë.
“Edhe ditën e numërimit do jem në Vlorë ta dinë të gjithë numëruesit. Nëse ia kanë marrë lekët e bandës së Astirit ti mbajnë po do jenë në numërim. Zero interes për LSI ne Vlorës. Interesi më i madh për të mos lejuar provokimin Vlorës se Vlora ndizet. I ftoj qytetarët të jenë të qetë të mos intimidohen nga askush. Se denoncimet na kanë ardhur në Presidencë. Pjesë të skenarit kanë ardhur këtu. Siç ka edhe një skenarë për ndërhyrje në njësinë 10 te votimi elektronik. Ka shumë siç janë edhe shumë fakte të tjera. Siç është rrëmbimi i të dhënave të qytetarëve. Ju kam dhënë fjalën që në 25 prill do të triumfojë referendumi për mbrojtjen e Kushtetutës,” tha Meta.