Ndryshimet kushtetuese, çfarë risie do të sjellin për votuesit…?./ Nga Gerta Meta


Pas marrëveshjes së 5 qershorit me opozitën jashtë parlamentit, mazhoranca arrin një tjetër dakordësi, këtë herrë me pakicën brenda Kuvendit, sa i përket ndryshimeve kushtetuese.

Në zgjedhjet e ardhshme do shkohet me listat pjesërisht të hapura të kandidatëve për deputetët. Krahas votës për partinë, zgjedhësit do të mund të listojnë sipas preferencës, të paktën 2/3 e emrave për deputetë.

Pragu i votave që një parti duhet të sigurojë për t’u futur në kuvend, do të jetë kombëtar. Por, niveli nuk është vendosur në kushtetutë. Sa i përket koalicioneve, hiqet fjalia që i ndalonte shprehimisht ato, siç ishte propozimi fillestar i opozitës. Por në nenin 68 të ligjit themeltar të shtetit është hequr togfjalëshi “koalicion zgjedhor i partive politike”, si propozues i kandidatëve për deputetë.

Rezultati është i njëjtë: koalicionet nuk regjistrohen më si subjekte, por gjuha e përdorur është më e butë.

Ndryshimet kushtetuese do të votohen në seancë më 30 korrik, ndërkohë që do të amendohet dhe kodi zgjedhor, për ta përshtatur me dy marrëveshjet që mazhoranca ka arritur tashmë me të dy opozitat, brenda dhe jashtë parlamentit.

“1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar.

 

  1. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar.

 

  1. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.”

Neni i riformuluar:

Neni 2

Pika 1 e nenit 68 ndryshohet si vijon:

“1.Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”.


Like it? Share with your friends!