Nis puna për riparimin e dëmeve në apartamentet e dëmtuara nga tërmeti në Durrës


Bashkia e Durrësit, ka deklaruar nisjen e punës për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, të vitit të kaluar. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, vizitoi dje disa nga këto familje që janë duke kryer punimet. Në një njoftim në faqen zyrtare të bashkisë në “FaceBook”, bëhet e ditur se pritet që në muajin tetor të fillojë dhe puna për rindërtimin e 3 pallateve të para.

Postimi i Bashkisë Durrës:

Përmes grantit të rikonstruksionit, në qytetin e Durrësit, ka nisur puna për riparimin e dëmeve në apartamentet e dëmtuara nga termeti.

Janë gjithsej 10220 familje që kanë përfituar nga granti i rikonstruksionit, për dëmet të klasifikuara si DS1-DS2-DS3, dhe deri tani janë likujduar rreth 6100 familje, të cilat me fondet e marra po kryejnë punimet në apartamentet e tyre.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, vizitoi disa nga këto familje që janë duke kryer punimet. Ajo shoqërohej nga arkitektë dhe inxhinierë të bashkisë së Durrësit si dhe nga anëtarë të këshillit bashkiak.

Kryebashkiakja Sako, ndërsa takoi banorët që po riparojnë shtëpitë e tyre, deklaroi se paralelisht po punohet për procesin e riparimit edhe të ambienteve të përbashkëta të pallateve. Ky është një proces shumë i rëndësishëm, tha kryebashkiakja Sako, dhe aktualisht jemi duke kryer procedurat perkatese.

Ndërkohë, lidhur me pallatet që janë prishur dhe ato që do të prishen, është marrë deri tani vendimi për ndërtimin e pallateve të reja në të njëjtin vend, ndërsa puna vijon edhe për godinat e tjera.

Pritet që në muajin tetor të fillojë puna për rindërtimin e 3 pallateve të para.

 


Like it? Share with your friends!