Një nder i Harry Bajraktarit ndaj kombit të vet/ NGA: RAMIZ LUSHAJ


 “Artur Avenue”, kjo lagje e Bronxit në qytetin e Nju Jorkut, një emër fort i njohur për mue. Aty, edhe unë, kam gjurmët e hapave të mi, jehonë të bisedave të mia, kohë jete të qëndrimeve të mia përkohore në orë e ditë të çdo vizite shumëherëshe në Amerikë. Këtij vendi i thonë ndryshe edhe “Italia e Vogël”. Po, kjo, tashti, mund të quhet edhe “Shqipëria e Madhe”, pasi aty gjen zyra biznesi, shoqatash e gazetash, lokale gjithfarësh si bar-kafe-restorante, shitore për libra-gazeta-flamuj e kostume kombëtare shqiptare, etj., si dhe shtëpi (banesa) të shqiptarëve nga shtete e treva shqiptare në Ballkan. Kjo “Shqipëri në Bronx”, që ka dyfishin e popullsisë dhe afro trefishin e territorit krahasue me Tiranën – metropolin shqiptar, nuk erdhi krejt rastësisht e ashtu menjëherë, por nga fakti i (pa)kushtëzuar se shqiptarët-mërgimtarë nga vendet komuniste të Shqipërisë e të Ish-Jugosllavisë erdhën në Tempullin e Lirisë – Amerikë nga kampe të emigrantëve në Itali, me kujdestari të OKB-së. Aty, prej kryehere, kishte edhe arbëreshë– diaspora e vjetër shqiptare në Itali, sepse arbëreshët në Amerikë kanë ardhë qyshce nga koha e para Xhorxh Uashingtonit të madh. “Artur Avenue” po bahet përditë e ma shumë e ma mirë edhe “Lagje e Shqiptarëve”. Jo vetëm me popullim, me frekuentim, por edhe me akte të tilla si ky i fundit i biznesmenit atdhetar e humanist Harry Bajraktari, që ishte donator i vendosjes në gusht 2017 të Statujës së Shenjtores e Nobelistes shqiptare, Nanë Tereza në Kishën Mont Kamel në Artur Avenue. Ky është një akt i lartë që lagjen “Artur Avenue” e ban edhe ma shqiptare në personalitete e vlera panshqiptare, në histori kombëtare shqiptare. Tani, për herë të parë, shqiptarët do t’i kemi edhe në statuja, si ky rast shembëllues me Nanë Terezën, Shenjtoren (2016) e Nobelisten shqiptare (1979), “Nderi i Kombit” në Shqipëri, që Presidenca Shqiptare në Tiranë ndan një Urdhër të Artë me emrin e Saj, që 19 tetori – Dita e Lumturimit të Saj është Festë Zyrtare në Shqipëri, etj. Ky është një akt i lartë, që edhe biznesmenin humanist Harry Bajraktari– “Nderi i Kombit” e ban shqiptar edhe ma të madh se ç’është ai realisht me kontributet e tij të shumanshme kombëtare për Pavarësinë e Kosovës, për Demokracinë në Shqipëri, në themelimin e botimin e të pares gazetë shqiptaro-amerikane “Illyria”, etj. Ky është një akt që e lartëson figurën e madhe të Nanë Terezës, që e nderon personalitetin dinjitar Harry Bajraktari, që iu rrit krenari shqiptare e qytetari amerikane shqiptarëve të “Artur Avenue” e të krejt Bronxit, të Nju Jorkut e të krejt Amerikës. Nanë Tereza është një nga figurat shqiptare dhe botërore ma të vlerësuarat në Amerikë. Ajo është “Qytetare nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Ky është çmimi nderues ma i larti në Amerikë për ata që nuk janë amerikanë. Këtë dekoratë e kanë marrë vetëm shtatë personalitete nga krejt bota. Dy prej tyre sa ishin të gjallë në jetë, si Nanë Tereza  dhe Winston Çurçill. Amerika e ka nderue edhe me shpërblimin ma të lartë amerikan: “Medalja e Lirisë” – që ia ndau Presidenti Amerikan Roland Regan (1985); me Çmimin Ndërkombëtar John Kennedy në Uashington, me Çmimin “Samaritan i Mirë” në Boston, etj. Ndërkohë, edhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në  Nju Jork, më  2012, e  ka shpallë 5 shtatorin, ditën kur kaloi në amshim Nanë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë. Ajo, e madhja, e shenjta, e rralla Nanë Tereza është Qytetare e Botës, e Popujve, e Feve, e Qytetërimeve. 2. Harry Bajraktari nuk investoi për Statujën e Nanë Terezës në Kishën Mont Kamel nistue nga fakti se kjo “Shtëpi e Zotit”, ky institucion fetar i krishterë, ndodhet në “Artur Avenue”, pse kjo kishë ndodhet afër zyrave të firmës së tij në Bronx të Nju Jorkut, por ngaqë kjo kishë mbeti gjithnjë afër e gjithmonë pranë shqiptarëve në këtë lagje e në këtë qytet njujorkez të Amerikës. Vet Harry Bajraktari në një intervistë nga Bronxi i Nju Yorkut për RTV 21 të Kosovës thekson se kjo kishë ka afro njëqind vjet që është në shërbim të shqiptarëve, është kishë edhe e shqiptarëve. Gjithashtu, më 17 qershor 1988, Nanë Tereza ishte në Bronx në një takim e komunikim të përzemërt me komunitetin shqiptaro-amerikan të Nju Jorkut. Shqiptaro-amerikani Harry Bajraktari, njëherash edhe senator i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë, nuk është hera e parë dhe rasti i fundit që jep kontributin e tij për nderimin e emrit e veprës të Nanë Terezës dhe për kishat në Amerikë apo në Kosovë. Gazetari i njohur Beqir Sina njoftonte më 2008 se biznesmeni humanitar Harry Bajraktari dhuroi 20 mijë dollarë amerikanë për Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.  Gazeta “Atlantik” në Tiranë, e prillit 2017, shkruan se me inisiativën e Harry Bajraktarit në Nju Jork u grumbulluan 31.600 dollarë amerikanë për Kishën shqiptare “Shën Ndou” njëqind vjeçare në Gllogjan të Lugut të Beranit për rindërtimin e saj, famullia e së cilës iu shërben fshatrave Gllogjan, Nepole e Llugaxhi. Ai, vet Harry Bajraktari, për këtë kishë në vendlindjen e tij, dhuroi 7.000 dollarë amerikanë. Këtë fond ia dorëzuan Kishës “Zonja e Shkodrës” në Nju Jork. Harry Bajraktari ishte një ndër shqiptaro-amerikanët kontributorë në hapjen më 26 prill 2010 në selinë e OKB në Nju Jork të Ekspozitës të jehonshme:  “Të jetosh me Dashurinë e Simbolit dhe Dinjitetit të Njeriut”, e cila i dedikohej nobelistes shqiptare Nënë Tereza në 100 vjetorin e Lindjes së saj. Veprimtari i shquar shqiptar, Harry Bajraktari, përkrah me kongresmenin amerikan Eliot Engëll – mik i madh i shqiptarëve, dhe me gjithato personalitete të larta shqiptaro-amerikane, ishte më 4 shtator të vitit të kaluem (2016) në Vatikan, në Ditën e Shenjtërimit të Nanë Terezës. Kjo statuja e Nanë Terezës në Kishën Mont Karmel në Artur Avenue, me kontributin e biznesmenit atdhetar e humanist Harry Bajraktari,  thuhet në burime të shkruara, se është e teta e ngritur në Amerikë, pesë prej të cilave në qytetin e shtetin e Nju Jorkut.  Një shtatore e Nanë Terezës me nismen e kontributet e një grupi atdhetarësh shqiptarë në Amerikë u vendos në shtator 2016 në platon të Kishës Saint Anthanasius në Brooklyn të Nju Jorkut, ku jetojnë ma shumë se 20 mijë shqiptarë. Një statujë e Nanë Terezës u vendos në “Rockfeller Park” të Kleveland në shtetin Ohajo të Amerikës në 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Vjet, më 2016, në Vitin e Shenjtërimit të Nanë Terezës, me kujdestari e donacion të asambleistit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, komuniteti shqiptaro-amerikan e vendosi një tjetër statujë të bronztë të Saj në Parkun Battery në Manhatan të Nju Jorkut. Statuja për Nënë Terezën janë vendosur edhe në vende të tjera të Amerikës si në Detroit, etj., por edhe në dy kontinentet amerikane – në atë të Veriut e të Jugut, si në Brazil, Kanada, etj. Në historinë e jetës së tij, në këto dekadat e fundit, Harry Bajraktari ka gjithato raste që dëshmojnë se nderimi e lartësimi i figurës së Nanë Terezës nuk është akti i tij i një dite gushti 2017, i një statuje në Kishën Mont Karmel në Artur Avenue të Bronxit. Kjo është ndërgjegjia në gene e hapa të tij, zemra e shpirti i tij, ditunia e kultura e tij me rrënjë e degë shqiptaro-amerikane. Ky është shembulli i Harry Bajraktarit– “Nderi i Kombit”, një shembull që i ban nder Kombit Shqiptar, edhe atij Amerikan. Një nderim që nuk ka peshë të bronztë e as çmim monetar, pasi është një nderim shqiptaro-amerikan që na përket të gjithëve, i përket kohës tonë euro-atlantike.


Like it? Share with your friends!