“Nuses sime” Dëshmores së Atdheut “Prena Ndoja Ukas “


Ma vranë Prena Ukën,
ma vranë,
mi lanë netët pa Agim,
mi rrafshuan malet Alpine,
ma vranë dragoneshën time.

Patëm vallëzuar mes plumbash,
e ëma na qonte lajmin e vdekjes,
i vëllai na sajdisi “fishekun e pajës”;
u kthyem mesazhe pëllumbash
përmes grykës së pistoletës
si ftesë në festën e dasmës.

Ma vranë Prena Ukën,
ma vranë,
lulet e kopështit mi thanë
ujitur e rritur prej Prenës,
ma vodhën “Lulen e Jetës”!

Ma thanë limoneshën, Lulen Shqiponjë,
400 breza mi shkelën, pa Kuran e Bibël,
gjurmë të përgjakta zemrës më lanë,
kujtesës ato 5 vite të monogamisë sonë
mbetën si foshnje e vdekur brënda në mitër
se dhe mua më vranë
kur Prena Ndue Ukën ma vranë.

Ma vranë Prena Ukën,
ma vranë,
tani emri i saj të rrisë ndonjë fëmijë,
fantazma ti shëtisë rrugëve të Rrëshenit,
mua mornica më shkojnë
dhe prej shqiptimit të emrit.

Andris Lleskai
Janar 2023

Prena* – Emri i vërtetë i personazhit të “Cuca e Maleve” të Loni Papa-s, luajtur në dramë, balet, e deri në film; Mësuesja e parë e Mirditës, e cila dha mësim fshehurazi në vitet 1945-1950, emancipoi femrat, por u vra nga “Komiteti i Maleve” për thyerjen e traditave sepse femrave nuk u lejohej arsimimi. Emrin e saj e ka Kopështi i Rrëshenit të Mirditës.


Like it? Share with your friends!