Operacioni “Shpronësimi”, nën hetim punonjësit e Autoritetit Rrugor


Policia Vendore e Durrësit, deklaroi mëngjesin e kësaj të marte se përfundoi operacionin e quajtur “Shpronësimi”. Policia tha se ka goditur një grup me ish punonjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, për shpërdorim detyre, ku 3 shtetas janë ndaluar nga policia dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim.

 

Njoftimi  i plotë:

 

Ndalohen 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë, të dyshuar për shpërdorim detyre.

 

Specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi disamujor, kanë goditur një grup me ish – punonjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të cilët duke shpërdoruar detyrën, kanë shpronësuar një pronë dhe kanë lejuar një subjekt që të ushtrojë aktivitetin në kundërshtim me ligjin, në afërsi të Shkëmbit të Kavajës.

 

Shërbimet e Policisë kanë bërë ekzekutimin e urdhrave të ndalimit të Prokurorisë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës u ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, shtetasve:

A.M., 57 vjeç, banues në Tiranë;

 

E.B., 40 vjeçe, banuese në Tiranë;

 

N. D., 53 vjeçe, banuese në Tiranë.

 

Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit S. Ç., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe M. K., për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimit me pasoja të rënda”.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

 


Like it? Share with your friends!